l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

• Finalizimi vetëm para tre muajsh i Marrëveshjes për krijimin e Federatës Shqiptare të Veteranëve të Luftrave për Liri të popullit shqiptar dhe përvijimi i aktiviteteve të përbashkëta në kuadrin e kësaj Federate, janë garanci e përmbushjes së misionit tonë historik: evidentimit, dhe promovimit të ngjarjeve historike dhe përkujtimit të Heronjve e dëshmorëve në ditëlindjet e tyre jubilare
Ta ndihmojmë historinë të thotë të vërtetën

Nga Halil RAMA*

Të nderuar delegatë të Kuvendit Zgjedhor të OVLANÇ të Kosovës!
I nderuar Z. Zija Mulhaxha, kryetar
Zonja e zoterinj!

Është kënaqësi e veçantë për mua që në emër të kryesisë së OBVL të popullit shqiptar t’ju sjell përshëndetje të zjarrta dhe t’i uroj suksese Kuvendit tuaj zgjedhor.
Bashkëpunimi ynë intensiv prej më shumë se dy dekada, i nisur dhe vijuar nga themeluesit dhe drejtuesit e dy organizatave tona, Heronjtë e Popullit tonë, burrështetasit Fadil Hoxha, Dr.Ymer Dishnica e gjeneral Rrahman Parllaku, është tashmë realitet i njohur; bashkëpunim ky i konsoliduar edhe këto vitet e fundit mes dy organizatave tona. Finalizimi vetëm para tre muajsh i Marrëveshjes për krijimin e Federatës Shqiptare të Veteranëve të Luftrave për liri e pavarësi të popullit shqiptar dhe përvijimi i aktiviteteve të përbashkëta në kuadrin e kësaj Federate janë garanci e përmbushjes së misionit tonë historik: evidentimit, dhe promovimit të ngjarjeve historike dhe përkujtimit të Heronjve e dëshmorëve në ditëlindjet e tyre jubilare.

Të nderuar miq!
Në Tiranë, por besoj edhe në Prishtinë, Gjakovë e Prizren vazhdon ende jehona e shfaqjes dhe promovimit të filmit dokumentar “Fadil Hoxha-arkitekt i Kosovës së lirë”. Kjo, edhe për faktin se në një vështrim realist të kushteve dhe rrethanave historike nëpër të cilat kaloi Kosova, në vitet e thyerjeve të mëdha dhe krizës së pushtetit, janë të rrallë personalitetet që u kundërqëndruan sfidave, provokimeve, përndjekjeve, hileve dhe dredhive politike të panumërta, në mënyrë aq stoike, si Fadil Hoxha. Ai pati vizionin e një politikani patriot e modern, i cili projektoi dhe sendërtoi të ardhmen e atdheut të tij.
Përvoja e krijuar me realizimin dhe promovimin e këtij filmi si dhe shfaqja e tij në televionet publike të Shqipërisë e Kosovës, besoj se në kuadrin e Federatës Shqiptare të Veteranëve do të ndiqet edhe për personalitete tjera të LANÇ e pas luftës. Jemi me fat që dy organizatat tona dhe FSHVLL kemi si emblema Heronj të tillë si Fadil Hoxha, Dr.Ymer Dishnica e gjeneral Rrahman Parllaku, të cilët janë e do të jenë burim frymëzim sot e në të ardhmen për gjeneratat që do vijnë.
Pikërisht mbështetur në trashëgiminë e tyre të vyer ne duhet të projektojmë vazhdimësinë tonë.
Është fakt që në veprimtaritë e ndryshme me karakter politik, patriotik e social të organizatave tona, gjithmonë ka qenë i dukshëm kontributi i madh dhe i përhershëm i veteranëve. Por gjithsesi është e pamundur vijueshmëria e aktivitetit, pa e trashëguar traditën te më të rinjtë.
OBVL, në dy Kuvendet e fundit ka bërë një ndryshim cilësor në përbërjen dhe strukturën e saj organizuese e drejtuese. Megjithëse të vonuar, kurorëzuam përfshirjen në organizatë të pasardhësve, të parashikuar në Statutin tonë, të miratuar që në mbledhjen themeluese dhe në Kuvendin tonë të parë. Këtë hap, ju ftojmë ta bëni edhe ju, pasi duke bërë këtë ndryshim në strukturë e përbërje, mendojmë se gjallërojmë jo vetëm dy Organizatat tona, por edhe FSHVLL, për të përmbushur në vazhdim detyrat fisnike e historike të kujtimit të atyre që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë e të Kosovës nga pushtuesit nazifashistë dhe të atyre që megjithëse bënë sakrifica sublime në luftë, për fat të keq e pësuan nga regjimi dictatorial në Shqipëri dhe nga shovinizmi serb në Kosovën martire. Të vazhdojmë me brezat e ardhshëm, të mbrojmë lavdinë e luftrave heroike të popullit tone për liri, ta ndihmojmë historinë të thotë të vërtetën.
Së fundi, dua t’ju bëj të ditur se në ndjekim me vëmendje e interes zhvillimet në Republikën e Kosovës. Na inkurajojnë disa arritje, por shpresojmë në një progres më të dukshëm, sidomos në avancimin e njohjeve të saj nga ato shtete që ende s’e kanë njohur dhe në anëtarësimin në organizmat ndërkombëtarë si NATO, BE etj.
Duke përshëndetur zyrtarizimin e kërkesës për anëtarësimin e në Këshillin e Europës, urojmë që Republika e Kosovës të bëhet anëtare e denjë edhe në struktura tjera ndërkombëtare prestigjioze.Edhë njeherë, i uroj punime të mbara e të suksesshme këtij Kuvendi.
Mbarësi dhe lumturi në familjet tuaja.
Faleminderit.

*Përshëndetje e mbajtur në Kuvendin Zgjedhor të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Kosovës – Prishtinë, më 27 Maj 2022.





 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes