l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Kukësi nderon “Nderin e Kombit” Rrahman Parllaku

PARLLAKU: “NDERIMI NGA
VENDLINDJA, MË I ÇMUARI PËR MUA”

 

Pasi ka marrë pothuajse të gjitha dekoratat, medaljet dhe titujt e nderit që renditen në hierarkinë e dekoratave që njeh shteti shqiptar, gjeneral Rrahman Parllaku, të shtunën e 28 Tetorit 2017 ka provuar një emocion tejet të veçantë, emocionin e nderimit nga vendlindja e tij. Këshilli i Qarkut që përfshin tre bashkitë veriore të vendit: Kukës-Has dhe Tropojë i akordoi kryetarit të OBVL-së Titullin “NDERI I QARKUT KUKËS”. Në ceremoninë e organizuar në sallën e Hotel “Amerika” të qytetit të Kukësit, përveç qindra veteranëve të LANÇ nga Kukësi, Prishtina, Prizreni e Gjakova, ndodheshin dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë Flamur Noka e Isuf Çelaj, kreu i veteranëve të LANÇ të Kosovës, Zija Mulhaxha, nënkryetari i OBVL, kolonel Myfit Guxholli, konsulli i Nderit i Bosnjes në vendin tonë, Fiqiri Kllari, kryetari i bashkisë Shijak, Indrit Buka, drejtuesit e Shoqatës “Luma”, prof.Dr.Dritan Spahia, Prof.Shefqet Hoxha e Dr.Fejzulla Gjabri si dhe ish komandanti i Divizionit të Kukësit gjatë konfliktit në Kosovë, Gjeneral Kudusi Lama, etj.
Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit, Rrahman Parllaku, është padyshim krenari kombëtare, por parasëgjithash ai është krenaria e kuksianëve. Që nga Novoseji, ku ai lindi para 98 vitesh, gjenerali-legjendë në kufirin e dy kohëve përshkoi, thuajse në hapësirën tonë mbarëkombëtare, një rrugë plot sakrifica, mençurore, humaniste, si i mençuri, trimi dhe atdhetari me grada të përjetshme.
Gjeneral Rrahman Parllaku e ka thurur së gjalli, vetë legjendën për emrin e tij, për jetën e tij, për veprën e tij. E vetëm me ato vite që ai ka në pasaportë, që shkojnë te numri hyjnor 98, ia vlen të përulesh plot nderim para tij.
Për ta njohur më nga afër, sidomos brezi i ri, të pranishmit ndoqën dokumentarin e RTSH “NJË LEGJENDË NË KUFIRIN E DY KOHËVE”.

Një nga ushtarakët më të dekoruar në vend

Gjeneral Parllaku, sot 98 vjeç, është një nga ushtarakët më të dekoruar në vend. Për merita të veçanta i janë dhënë titujt “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”. Ai është dekoruar me 9 urdhra të lartë, tri medalje të luftës, si dhe 3 urdhra të shërbimit ushtarak. Është “QYTETAR NDERI” i Shijakut dhe Kurveleshit, ndërkohë që vetëm para disa muajve u nderua me MIRËNJOHJE edhe nga Kryetari i Këshillit të Qarkut të Tiranës, z.Aldrin Dalipi.
Nga ky gjerdan i artë dekoratash dhe medaljesh, si MEMORIA HISTORIKE E KOMBIT, gjeneral Parllaku është ndër më të nderuarit. Por nderimi që iu bë të shtunën e 28 tetorit 2017 në vendlindje, për atë, si dhe për të gjithë pjsëmarrësite shumtë në atë ceremoni ishte ndër më të veçantët. Fjalën e rastit e mbajti sekretari i këshillit të Qarkut, Z. Sami Mata, i cili ndër të tjera tha “Jemi krenarë që nderojmë një nga figurat e mëdha të Kombit tonë, për merita dhe kontribute në Luftën Nacionalçlirimtare, që nderojmë një nga personalitetet dhe drejtuesit më të lartë të Ushtrisë Shqiptare, birin e kësaj Treve. Gjeneral Rrahman Parllaku”. Përfaqësuesi i pushtetit më të lartë vendor për veriun e vendit tha se ndjehej i privilegjuar, por dhe fatlum qe i jepej rasti t`i dorezonte Titullin “Nderi i Qarkut Kukes “Gjeneral Rrahman Parllakut, me të cilin ka të njejtin vendlindje, Novosejin “Është krenari dhe emocion i madh për mua, të nderoj sot një personalitet, që mban mbi supe jo vetëm historinë e Luftës Nacionalçlirimtare, por edhe historinë e një shekulli moshe”, - u shpreh z.Mataj. Dhe vërtetë, gjeneral Parllaku, me fizikun që paraqet, me aktivitetin që kryen, me mpreftësinë e fjalës që ka, të lë pa fjalë. Ai është lakmi për shumë njerëz që e ëndërrojnë karrierën e tij. “Jemi mësuar që për shumë personalitete të historisë tonë kombëtare, të ngrihen legjenda dhe t`i nderojmë pas jetës së tyre.
Ne kemi fatin që Gjeneral Parllakun, t`a e nderojme si legjendë e gjallë. Pasi është rasti i veçante në historinë e kombit tonë që kemi mes nesh, Gjeneralin e vetem Shqiptar të Luftës se Dytë Boterore që jeton”,-tha ndër të tjera Sekretari i këshillit Qarkut Kukës, Sami Mataj. Më pas ai ftoi kreun e Këshillit të Qarkut, Z.Abedin Oruçi për t’i dhënë titullin “NDERI I QARKUT KUKËS” gjeneralit që për meritat e tij të shquara, është nderuar me shumë grada e tituj nderi në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe që mbetet një vlerë e madhe për treven veriore, Krahinën e Lumës e Qarkun e Kukesit, si shembull frymezimi per brezat. Ai e uroi me gjithë zemër gjeneral Parllakun që edhe ky titull të zejë vendin që meriton në gjerdanin e artë të dekoratave e titujve që mban ky burrshtetas i rrallë.


PARLLAKU: “NDERIMI NGA VENDLINDJA, MË I ÇMUARI PËR MUA”

Mes emocionesh të veçanta, gjenaral Rrahman Parllaku, pasi falenderoi të gjithë anëtarët e Këshillit të Qarkut Kukës, u shpreh: “Ndonëse pas 18 muajsh mbush shekullin dhe nderime kam patur shumë, ky është nderimi më i çmuar për mua, sepse është nderimi nga vendlindja ime. Jetëgjatësia për mua ka qenë privilegj. Fati më ka përplasur me tallaze në jetë, por tradita familjare dhe e vendlindjes sime Novosejit, Lumës dhe Kukësit më ka bërë të mundur që t’i përballoj me sukses këto tallaze.
U përfshiva në lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, jo si partiak, por si atdhetar, duke kryer detyra të rëndësishme deri në atë të Komandantit të Divizionit të V. Mora dy plagë në këtë luftë, një në Shqipëri dhe një në Kosovë. Shërbeva për 22 vjet për forcimin e ushtrisë shqiptare, duke e ngritur atë nga hiçi, duke e bërë atë të krahasueshme me ushtritë homologe të Traktatit të Varshavës, dhe më në fund u godita nga regjimi komunist dhe u burgosa për 17 vjet me rradhë. Drejtuesit e kohës së pasluftës i degjeneruan idealet e luftës sonë.
Pas daljes nga burgu , në vitet e demokracisë nuk ndenja duarkryq, por drejtova Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ. Organizata që unë drejtoj ka vënë në piedestalin që meritojnë të gjithë figurat dhe gjeneralët e shquar të LANÇ, të mohuar nga PPSH dhe Enver Hoxha.
Ashtu siç kam luftuar dhe dëshiruar, Kosova u bë e lirë. Besoj se do të bëhet edhe bashkimi i Shqipërisë me Kosovën në një të ardhme jo të largët. OBVL ka marrëdhënie të shkëlqyera me Organizatën e Veteranëve të Kosovës. Respekt për historianët e Lumës që historinë e Lumës e kanë trajtuar të pashkëputur me historinë e Kosovës.
Tani po gëzoj edhe stërnipërit dhe stërmbesat, prandaj ndjehem i privilegjuar. Faleminderi, faleminderit, faleminderit!”.

HEROI LEGJENDAR I TRE EPOKAVE


Pas gjeneral Parllakut, qindra pjesëmarrësit në këtë ceremoni i përshëndeti deputeti i Qarkut, Flamur Noka, njëkohësisht bashkëfshatar i Heroit. Duke e konsideruar një vlerë të shtuar të Lumës, Kukëit dhe të gjithë Shqipërisë ai vlerësoi kontributin e Gjeneral Parllakut në tre epoka, të luftës antifashiste, të kundërshtimit të regjimit komunist dhe të epokës së demokracisë.
“Duke nderuar Gjeneral Parllakun, Këshilli i Qarkut Kukës nderon të gjithë brezin që bëri luftën antifashiste dhe dërgon një mesazh të rëndësishëm dhe të qartë, mesazhin se shteti demokratik vlerëson luftën e drejtë të rinisë dhe të popullit shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë gjatë Luftës së II Botërore, luftë që shprehte një kontribut shumë të madh në raport me popullsinë në aleancën antifashiste”, e mbylli fjalën e tij Zoti Noka.
Sot ne kemi përpara një hero të gjallë, një komandant divizioni të kësaj lufte, komandantin e Divizionit të V Sulmues që luftoi edhe për çlirimin e Kosovës dhe të viseve shqiptare në Ish Jugosllavi. Pikërisht për këtë kontribut, sot atë e përshëndesin edhe bashkëluftëtarët nga Kosova.
Në emër të Krysisë të Shoqatës të Vetëranëve të LANÇ të Kosovës, përshëndeti, kryetari i kësaj shoqate, z.ZIJA MULHAXHA. Ai tha se Gjeneral Rrahman Parllaku luftoi për çlirimin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ai e krahasoi gjeneralin me një katedrale epike që po plaket duke u nderuar.
Ky vlerësim i Këshillit të Qarkut tonë për gjeneral Parllakun, erdhi pas konsiderimit të propozimit të Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, që ai e drejton prej dy dekadash. Në emër të kësaj organizate, nënkryetari i saj, kolonel Myfit Guxholli u shprehu mirënjohjen anëtarëve të Këshillit të këtij qarku. Duke folur për kontributin e madh të Gjeneral Parllakut, z.Guxholli tha se ky është nga ata gjeneralë që si rrallëkush mposhti gjeneralët e fashizmit dhe nazizmit gjatë Luftës së II-të Botërore, që ua prishi planet gjeneralëve jugosllavë, gjeneralëve sovjetikë dhe të atyre të Traktatit të Varshavës, gjeneralëve serbë gjatë konfliktit në Kosovë, është gjenerali që nuk u mposht as nga burgu komunist.

SIMBOL I VLERAVA TË KRAHINËS QË E LINDI

Gjeneral Rrahman Parllaku është i lidhur pazgjishmërisht me vendlindjen e krahinën e tij, Lumën që aq shumë i ka dhënë historisë tonë kombëtare. Në emër të Shoqatës “LUMA”, përshëndet Kryetari i saj, Prof.Dr.Dritan Spahia. Ai tha se Parllaku është sintetizim i vlerave të krahinës që e lindi , i vlerave morale të Lumës.
Me jetën dhe veprën heroike të gjeneral Parllakut krenohemi të gjithë, por veçanërisht me të krenohen familja, nipërit dhe mbesat e tij. Njëri prej tyre, ish anëtari i këshillit të Qarkut Kukës, z.Enver Parllaku, kishte ardhur nga Amerika për të qenë i pranishëm në këtë event. Duke përshëndetur në emër të Shoqatës “Bijtë e shqipes” në Filadelfia me 20 mijë shqiptarë, nga keto 137 kuksianë, dhe Grupit “Vllaznia kuksiane” (Forumi i ish ushtarakëve) pranë kësaj shoqate, ai tha se : “Shoqatat tona, diaspora shqiptare në SHBA dhe veçanërisht familja e Fisi PARLLAKU krenohemi me këtë personalitet emblematik, që drejtoi njësitë më të mëdha të LANÇ dhe Ushtrisë Shqiptare, krenohemi me gjeneralin kuksian që luftoi fashizmin dhe sfidoi diktaturën dhe që si një enciklopedi e gjallë, edhe sot në moshën 98-vjeçare mbron të vërtetat e historisë sonë kombëtare. Gjenerali që ne nderojmë sot është fare pranë shifrës 100. Për të është shkruar shumë.Sa shumë e lakmojnë këtë shifër në jetën e tyre fizike, njerëz të shtresave të ndryshme, të kombeve të ndryshëm! Madje edhe urimi ynë për të sot është: “U bëfsh 100!
Jemi mësuar që shumë personazhe historikë apo edhe ata anonimët e një fshati të largët e të afërt të një kombi, t’i legjendarizojmë pas jetës që ata jetuan.E bëjnë këtë shumë kombe në botë. E bën dhe e ka bërë këtë gjë dhe kombi ynë dikur dhe sot, në një cep të tokës apo edhe larg, siç ndodhi me Skënderbeun, me Ali Pashë Tepelenën, Mbretin Zog e dhjetra personalitete të historisë tonë kombëtare.
Por ne kemi fatin që gjeneral Parllakun po e legjendarizojmë që në gjallje. Rrahman Parllaku ishte dhe mbetet Rrahman Parllaku. Ai dhe vetëm ai.
Po Rrahman Parllaku i kishte të gjitha, të gjitha. Kombe që kanë në kufinjtë e tyre njerëzorë, njerëz të tillë, besoj se bukur mirë duhet të jenë të përkëdhelur, të jenë më krenarë se muzetë që kanë ndërtuar me dritë shkëlqimtare, se urat që kanë ngritur, të jenë më të bekuar me historitë e tyre njerëzore, me betejat, me humbjet, me fitoret. Jeta-enciklopedi e tij ngre mes nesh kalanë e lartë të krenarisë që duhet ta njohim, ta prekim dhe të futemi në mes tyre, në mos si kështjellarë të sprovuar, të jemi në një bedenë të tyre….Ai është i ngjizur si tharm urtie në urtinë e odave lumjane, ku shkolla e urtisë bënte dhe bën garë me atë të librave.
Ndaj, uroj me gjithë zemër, që edhe ky titull Nderi që Keshilli i Qarkut Kukes i dha sot të zëjë vendin që meriton në gjerdanin e artë të dekoratave e titujve që mban ky burrështetas emërndritur.
Këto dhjetë dekada vite jetë në tri epoka, ose, e thënë pak më thjesht 100 vite, shumë më të pasur se ai i lakmojnë sa e sa herë. Ai është dhe mund të jetë një karakter i lakmuar për historianët, për historinë që ka lënë pas vetes. Për shkrimtarët që mund të gjejnë tharm rrëfimesh për tregime, poezi, novela, romane. Për dietologët që duan sekretin e tavolinës së tij në vite. Për sociologët që shohin tek ai sekretin e mbijetesës së tij në burgje e në liri…”.
Në përdundim të ceremonisë pjesëmarrësit udhëtuan drejt Novosejit, vendlindjes së heroit, ku u shtrua një drekë për të pranishmit.
Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar (OBVL) përfaqësohej me një grup veteranësh. Ata falenderoojnë Ministrinë e Mbrojtjes dhe veçanërisht Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjen. Brig. Bardhyl Kollçakun për mbështetjen dhe interesimin që tregoi për këtë eveniment të rëndësishëm.

Halil RAMA
Sakip CAMI






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes