l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Si ju mohua statusi i veteranes, duke mos i dhënë pagesën përkatëse si shtesë pensioni luftëtares së lirisë

Viktori Gjikondi, luftëtarja antifashiste që regjimi komunist ia mohoi meritat

Në 12 tetor u mbush një vit që Viktori Gjikondi, veterane e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ndërroi jetë. U lind në Vlorë në 21 shtator 1921 nga prindër të zhvendosur aty nga fshati Lekël i Tepelenës. Pasi mbaroi shkollën fillore prindërit e saj patriotë e arsimdashës e çuan për të vazhduar shkollimin në Institutin Qiriazi E më pas në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Përfundoi mësimet në degën klasike të këtij Instituti dhe, meqenëse nuk i doli bursë për studime të larta jashtë shtetit, për shkak qëndrimesh antifashiste, kreu edhe vitin e fundit të degës normale (të mësuesisë) të këtij Instituti dhe u diplomua si mësuese.


Filloi punën në Vlorë ku e pushuan pas një viti për shkak të qëndrimit kundër pushtimit fashist që mbajti në Brindizi të Italisë bashkë me shoqen e kolegen e saj Tefta Lepenica, ku i kishin çuar për të shoqëruar një grup fëmijës që qenë dërguar atje për të kaluar pushime verore.
U angazhua ndër të parat në lëvizjen antifashiste dhe e zgjodhën kryetare të Këshillit të Grave Antifashiste për Vlorën dhe anëtare të kryesisë së këshillit antifashist nacional-çlirimtar për qarkun e Vlorës.
Veprimtaria e saj ra në sy. E arrestuan, e burgosën dhe e dënuan me vdekje, por pas dy muajsh e liruan për mungesë provash.


Pasi në Vlorë ishte tashmë e dekonspiruar, erdhi në Tiranë, ku qëndroi tek vëllai i saj Vangjel Gjikondi, mësues i talentuar i matematikës dhe veprimtar i shquar antifashist. Në Tiranë Viktoria vijoi në ilegalitet veprimtarinë antifashiste. Gjatë ditëve të luftimeve për çlirimin e Tiranës Viktoria shërbeu pranë shtabit të çlirimit të Tiranës ku punonte për nxjerrjen e gazetës së përditshme “Buletini i Luftës Nacional-Çlirimtare”.
Në dhjetor të 1944-ës u kthye në Vlorë ku u emërua në Komitetin Ekzekutiv të qarkut si përgjegjëse e seksionit të shtypit, kulturës e propagandës, që botonte edhe gazetën “Zëri i Vlorës”. Pas transferimit në Tiranë të Aleks Çaçit e Dhimitër Grillos, kryeredaktorë të gazetës, drejtoi edhe botimin e gazetës.
Në tetor të vitit 1945 Viktoria u martua me Hilmi Thaçin, një kosovar nga një familje patriote gjakovare, i cili ishte angazhuar me Luftën Nacional-Çlirimtare në Shqipëri.
Në fillim të vitit 1946 Viktoria transferohet në Tiranë, në Sekretariatin e Përgjithshëm të Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë, ku punoi për botimin e revistës “Shqiptarja e re”.


Më pas, bashkë me bashkëshortin e saj, punuan në Radio Tirana dhe në vitin 1947 të dy u dërguan pranë Radio Beogradit, për emisionet shqip që ajo radio transmetonte sipas marrëveshjes në kuadrin e miqësisë që regjimi komunist i kohës kishte me regjimin komunist të Jugosllavisë. Atje punuan më pak se një vit, në kushte të një diskriminimi çnjerëzor ekonomik e jo vetëm, dhe u kthyen në Shqipëri ku vazhduan punë në Radio Tirana. Në vitin 1948, pas daljes së rezolutës së Informbyrosë (Byroja informative e partive komuniste), që dënoi partinë komuniste jugosllave dhe Titon si tradhtare të marksizëm-leninizmit, i shoqi i Viktorisë, pa i dhënë asnjë shpjegim, u largua papritur nga shtëpia dhe vetëm pas disa muajsh Viktoria mori vesh nga organet partiake se ai ishte kthyer në Kosovë duke kaluar ilegalisht kufirin. Për Viktorinë filluan telashet, sepse e larguan nga puna në Radio Tirana, duke e kaluar sa në një punë në tjetrën në pozicione sekretareje zyrash të nivelit të ulët dhe e përjashtuan nga partia, edhe pse ajo nuk dinte asgjë pse burri i saj e braktisi, duke e lënë me një djalë 3-muajsh. Ajo, gjatë periudhës së regjimit komunist kurrë nuk e morri vesh arsyen që e detyroi Hilmi Thaçin të ikte.


Viktoria, falë karakterit të saj të fortë, me gjithë kushtet e vështira për shkak të punës me pagë tepër të ulët dhe vështirësive të rritjes së fëmijës pa babanë, kreu studimet universitare pa shkëputje nga puna në fakultetin ekonomik, duke i përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Më pas punoi në bibliotekën e universitetit ku drejtoi sektorin e fondit dhe shkëmbimeve të librave me bibliotekat e vendeve të huaja. Në këtë punë bëri çmos të siguronte literaturën e nevojshme për specialistë të fushave të ndryshme që e dashuronin profesionin e tyre dhe përpiqeshin të arrinin ngritje sa më të madhe profesionale. Aty punoi deri sa doli në pension.


Ndonëse kishte një kontribut të shquar në luftën kundër pushtuesit, kur doli në pension nuk iu njoh statusi i veteranes dhe nuk i dhanë pagesën përkatëse si shtesë pensioni.
Me ndërrimin e sistemit iu dha statusi i veteranes dhe me rastin e 50-vjetorit dhe 60-vjetorit të çlirimit u dekorua me motivimin “Për kontribut të shquar në çlirimin e Atdheut”. Gjithashtu, pas thuajse tri vitesh që Hilmi Thaçi kishte vdekur, mori vesh që ai, ndonëse me kontribut të shquar në luftë, po të mos kishte ikur do të bëhej viktimë e komunistëve për shkak të mospajtimeve që kishte me mënyrën diktatoriale të sundimit të tyre.
Viktoria e kaloi pjesën tjetër të jetës me djalin, nusen dhe dy mbesat e saj, duke qenë aktive për problemet sociale dhe të organizatës së veteranëve.
Të gjithë ata që e kanë njohur do ta kujtojnë gjithmonë për kontributin e saj në luftë, vlerat e saj njerëzore, nivelin e saj të lartë profesional dhe kontributit në problemet sociale.

Kalendari ngjarjeve më të rëndësishme të LANÇ-it për muajin Nëntor

1 nëntor 1944 - U formua Br. XI-të S eUNÇlSH në qytetin e lirë të Fierit nga partizanët e Grupit të III-të të Zonës së
I-rë Operative Vlorë-Gjirokastër.
1 nëntor 1942- U formua çeta partizane e Martaneshit.
6 nëntor 1943 - Filloi Ofensiva e parë Gjermane kundërUNÇlSH. Në pragun e ofensivës UNÇlSH dispononte: 4 brigada, nga të cilat 2 në formim e sipër; 9 grupe, 17 batalione dhe një numur çetash e njësitesh,
gjithsejt 15.000 forca. Ofensiva filloi fillimisht në krahinën e Pezës, më 16 nëntor në qarkun e
Dibrës; më 19 nëntor në krahinën e Mallakastrës; në 10 dhjetor në krahinën e Mesaplikut e
Kurveleshit të Poshtëm si dhe në krahinat Çermenikë-Shëngjergj- Martanesh; më 7 janar 1944
ofensiva e përgjithshme në Shqipërinë e Jugut si dhe shpërtheu terror në të gjithë qytetet e vendit.
Nga muaji shkurt 1944 ajo ofensivë merr fund me dështim të plotë.
6 nëntor 1944- U formua Br. 10 S, në fshatin Karbunarë afër Lushnjës nga partizanë e vullnetarë të qarkut të
Beratit dhe rrethit Lushnjës.
6 nëntor 1944 - U formua Br. XV- S eUNÇlSH.
6 nëntor 1944 - U formua Br. XXV- S eUNÇlSH, në Tropojë.
8 nëntor 1941- U vra Heroi i Popullit Koçi Bako.
8 nëntor 1943- U formuabatalioni partizan “Bajram Curri”.
11 nëntor 1944 - U çlirua qyteti i Elbasanit.
14 nëntor 1944 - U çlirua qyteti i Durrësit.
16 nëntor 1943 -Lufta e detashmenteve partizane në Dibër kundër gjermanëve nazifashistë dhe tradhëtarëve të vendit.
17 nëntor 1942 - U formua çeta partizane e Oparit, në fshatin Lavdar.
17 nëntor 1944 - Çlirimi i qytetit të Tiranës nga pushtuetsit nazifashistë.
18 nëntor 1944 - Urdhër Dite i Komandantit të Përgjithshëm tëUNÇlSH për çlirimin e qytetit tëTiranës.
20 nëntor 1943 - Operacioni armik kundër Br. I - S në Mallakastër, lufta e Symizës.
20 nëntor 1943 - Ra Heroi i Popullit Gjok Doçi.
20 nëntor 1943 - U formua batalioni partizan “Pandeli Boçari” në fshatin Kalcat të Sarandës.
23 nëntor 1943 - U formua në Tiranë Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare.
26 nëntor 1943 - U formua batalioni partizan “Thanas Ziko” në fshatin Derviçan të Dropullit të Poshtëm.
27 nëntor 1942 - U formua çeta e Vithkuqit në rrethin e Kolonjës.
27 nëntor 1942 - U formua çeta partizane “Hajredin Tremishti” në Kurvelesh të Poshtëm.
27 nëntor 1942 - U formua çeta partizane “Avni Rustemi” në Kurvelesh të Sipërm.
28 nëntor 1912 - Dita e Pavarësisë Kombëtare e Shqipërisë dhe Dita e Flamurit.
28 nëntor 1943 - U formua Br. II-të S eUNÇlSH, në fshatin Shëngjergj të Tiranës nga forcat partizane të rrethit të
Tiranës, Elbasanit dhe një batalion i ardhur nga Zona I Operative.
28 nëntor 1944- U formua Korparmata III e UNÇlSH.
29 nëntor 1944- U çlirua qyteti i Shkodrës.
29 nëntor 1944 - U formua Br. XXVII- S e UNÇlSH, në qytetin e lirë të Shkodrës.
29 nëntor 1944 - Festa zyrtare e çlirimit të Atdheut tonë nga okupatori nazifashist dhe tradhëtarët e vendit



Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes