l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

KREMTOHET 100 VJETORI I LINDJES së Gjeneral Major Qazim Kapisyzit

“Historia e një gjenerali”, dokumentar kushtuar Gjeneral Qazim Kapisyzit

• Në realizimin e këtij dokumentari një vend të veçantë zinte intervista e Gjeneral Rrahman Parllakut, bashkëkohës dhe bashkëluftëtar i Kapisyzit
• Me 29 nëntor 1944, me çlirimim e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë u krijua edhe Brigada e 27 Sulmuese. Komandant i Brigadës u caktua Qazim Kapisyzi dhe Komisar Sadik Bekteshi të dy djem trima të Shkodrës që kishin dhënë prova gjatë gjithë Luftës.

Me datën 24 nëntor 2017 në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, në kuadrin e veprimtarive me rastin e festave të 28 dhe 29 nëntorit u shfaq dokumentari “Historia e një gjenerali” kushtuar Gjeneral Qazim Kapisyzit, me skenar dhe regji të Verdi Takes. Në realizimin e këtij dokumentari një vend të veçantë zinte intervista e Gjeneral Rrahman Parllakut, bashkëkohës dhe bashkëluftëtar i Kapisyzit.
Merrnin pjesë veteranë, ush­tarakë, familje të dëshmorëve të LANÇ, pjesëtarë të familjes Kapisyzi etj. Ndodhej edhe Kryetari i OBVL, Gjen­eral Leitnant Rrahman Parllaku, Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, Gjeneral brigade Dedë Prenga -zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjener­alët në pension Kostaq Karoli, Perlat Sula dhe Astrit Jaupi. Në emër të ministrit të Mbrojtjes Znj. Olta Xhaçka përshëndeti dhe i dorëzoi mirënjohjen e MM, djalit të madh, Perlat Kapisyzi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FASH , Gjeneral Bardhyl Kollçaku.

Po kush është Gjeneral QazimKapisyzi ?
Qazim Mujo Kapisyzi është lindur në nëntor të vitit 1917 në qytetin e Shkodrës në një familje me tradita patriotike. E ëma e la të vogël dhe u rrit nën kujdesin e të atit. Shkollën fillore dhe gjimnazin i mbaroi në qytetin e lindjes.
Në vitin 1935 shkon për studime ushtarake në Itali. Me 13 maj 1939, pas pushtimit italian të 7 prillit, 400 studentë ushtarakë shqiptarë refuzuan të bënin betimin mbi flamurin italian. Ne jemi shqiptarë dhe betohemi vetëm mbi flamurin shqiptar, qenë betuar shqiptarët, ndër to edhe Qazimi.
Ja si e tregon Skënder Malindi, student bashkëkohës me Qazimin në atë kohë:
“Autoritetet në tribunë, tashmë të shqetësuara, nuk i mbante më vendi.Gjenerali italian u shpreh: “Këta janë shqiptarë dhe nuk e dinë mirë italishten, prandaj do tua sqaroj edhe njëherë si bëhet betimi”.
Pastaj iu drejtua qetësisht katërqind nxënësve dhe akademistëve ushtarakë shqiptarë: “Dëgjoni! Ju nuk e keni kuptuar mirë. Do tua them edhe njëherë tjetër. Kur unë të ngre shpatën dhe t’iu pyes “A betoheni”, ju do të përgjigjeni duke thirrur “Betohemi!” Tani besoj se e keni kuptuar, prandaj do ta përsëritim edhe njëherë”.
Kështu gjenerali e lexoi edhe njëherë tjetër formulën, pastaj nxori shpatën, e ngriti lart, thirri “A betoheni?”, por edhe këtë herë asnjë përgjigje nuk i erdhi. Atëherë të gjithë në tribunë e kuptuan që shqiptarët në mënyrë të vetëdijshme nuk dëshironin ta bënin atë betim. U urdhërua shpërndarja e të rreshtuarve dhe vetë autoritetet ikën.
Për hakmarrje autoritetet italiane arrestuan dhe internuan në ishullin Ventontene shumë studentë shqiptarë, ndër to edhe Qazim Kapisyzin.
Një foto që shoqëron këtë kronikë paraqet personat që kundërshtuan këtë betim. Në foto edhe Qazimi.

Skënder Çaçi, Riza Nazimi, Hamid Keçi, Qazim Kapisyzi, Spiro Shalsi, Hasan Fariçi, Xhavit Topçiu, Mehmet Buhi, Riza Kuça, Xhemal Punavija, Hajrullah Ishmi, Rexh Zeqiri, Arif Peza, Ali Tafaj, Enver Lufi dhe Petraq Vuçani.

Pas një viti burgim dhe internim Qazimi kthehet në Shqipëri dhe përfshihet në lëvizjen nacional çlirimtare, në fillim me njësitet guerile dhe më pas në formacionet partizane si drejtues batalioni dhe brigade.
Me 29 nëntor 1944, me çlirimim e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë u krijua edhe Brigada e 27 Sulmuese. Komandant i Brigadës u caktua Qazim Kapisyzi dhe Komisar Sadik Bekteshi të dy djem trima të Shkodrës që kishin dhënë prova gjatë gjithë Luftës.

Qazim Kapisyzi dhe Sadik Bekteshi gjatë ditëve të luftës

Pas çlirimit të vendit Qazimit iu besua përgatitja e oficerëve të rinj për ushtrinë e re shqiptare. Në vitin 1949 deri në vitin 1953 Qazim Kapisyzi ndjek studimet në Akademinë Ushtarake “Frunze”. Gjatë këtyre viteve ai drejton edhe grupin e studentëve shqiptarë në Moskë.
Qazim Kapisyzi është një ndër komandantët dhe drejtuesit më të përgatitur të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Shkollën e Bashkuar të oficerëve e kanë drejtuar gjeneralë e komandantë të shquar si Vaskë Gjino, Gjin Marku, Thoma Xhixho, Qazim Kapisyzi, Enver Begeja, Halil Xhuka, Spiro Adhami, Rustem Peci, Aleks Andoni, Perlat Sula, Armand Vincani, Luan Hoxha etj. Mijëra ushtarakë kanë studiuar në këtë shkollë, ndërkohë që dhjetra prej tyre kanë arritur të drejtojnë strukturat më të larta ushtarake dhe të marrin gradën Gjeneral.
Në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisëatij ju besua detyra e Drejtorit të Përgatitjes Luftarake , detyrë të cilën e kreu me përsosmëri dhe përkushtim.
Qazim Kapisyzit në vitet 60 ju besua detyra e Zv.Ministrit të Mbrojtjes për arsimin ushtarak. Të shumta janë botimet e Q. Kapisyzit për arsimin ushtarak si nga Instituti i Studimeve Pedagogjike, Botimet Ushtarake etj.
Po në vitet 60, Qazimit ju besua edhe një detyrë tjetër e rëndësishme politiko-ushtarake, ajo e atasheut ushtarak të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kinës, ku ai luajti një rol të madh për pajisjen dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare.
Pas kësaj detyre Qazimit për nevoja të drejtimit i caktohet detyra e Komandantit të Korpusit të Shkodrës, korpusit më të rëndësishëm të Veriut.

Komandant të Korpusit të Shkodrës kishin qenë shumë gjeneralë siTahir Kadareja, Arif Hasko, Nexhip Vinçani, Hito Çako, ndër to edhe Qazim Kapisyzi.
Në vitet 1970-1974 Qazim Kapisyzi ka qenë deputet iKuvendit Popullor për zonën e Shkodrës.
Por në fund të vitit 1974 ndodhi katrahura në ushtrinë shqiptare. Partia shtet “zbuloi” “puçistët” ushtarakë dhe pushkatoi, burgosi, internoi dhe liroi nga detryra qindra oficerë madhorë. Ndër to edhe Qazim Kapisyzin. Qazimin e përjashtojnë nga partia dhe e caktojnë instruktor ushtarak pranë Ministrisë së Tregëtisë dhe më pas e nxjerrin në pension.
Jeta dhe vepra e Gjeneral Major Qazim Kapisyzit është jeta dhe vepra e një heroi të vërtetë, që jetën ja kushtoi atdheut, që kurrë nuk u ndal, që kurrë nuk u zbraps nga vështirësitë, model i mardhënieve me njerëzit dhe me popullin.

Sakip Cami

 



Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes