l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PROFIL

Gruaja fisnike e Currajve të Fushë-Arrëzit

Ismet BALAJ

Frange Curri u lind në Kallmet të Lezhës më 1900 në familjen e Margjoneve, mirditas zbritur aty rreth një shekull më parë. Ishte fëmija i pestë, pas katër djemve. Lindja e vajzës nuk ka qenë ndonjë gëzim për arsye historike. Jeta ishte shumë e vështirë në malësi e në fusha ku siguria e nderit, e lirise dhe e jetës ishte një problem si buka e përditëshme.
Frani si burrë i njohur e shtëpi e parë e njohur në Kallmet e më gjerë I rriti fëmijët me tradita e zakone mirditore. Ata duhet të bëheshin jo vertëm punëtorë të mirë, por edhe luftëtarë të zotët, sepse jeta kërkonte trima për ta ruajtur atë. Kështu I stërviti të përdornin edhe pushkën. Frangëja e vogël shkonte bashkë më të vëllezërit dhe babanë sipër në boka, ku bëhej përgatitja e përdorimit të mirë të pushkës për qitje. Babai ia mësoi edhe asaj këtë “mjeshtëri” që herët. Gratë mirditore shpesh në jetën e tyre kanë zëvendësuar burrat dhe ishin edhe zoja edhe zotër shtëpie për shkak të mungesës për shumë kohë të burrit në shtëpi. Ishin kohë luftërash, prandaj burrat mirditas shkonin atje ku I therriste momenti historik.
Në fund të shekullit XIX Austrohungaria me politikën e saj, depërtoi edhe në Shqipëri të Veriut. Prandaj kishte ngritur një kishë edhe një manastir në Kallmet të Lezhës. Afër shtëpisë së Margjonëve, thuaj ngjitur, ishte manastiri. Aty jetonin edhe tri murgesha nga Kroacia. Ato u bënë të njohura e të afërta me gratë vendase. Si rrjedhim i punës së tyre të zgjuar, ato tërhoqën disa vajza në shkollën që u hap aty, në manastir. Një ndër to u bë edhe Frangeja. Frangëja u shqua shpejt si vajzë inteligjente për të mësuar, por edhe shumë e urtë dhe e dashur me mësueset.


Në shkollë mësoheshin shërbesa fetare nga ungjilli, por jepeshin dituri edhe për lëndë te tjera si shqip, por edhe ghuhë të huaja, si italisht e gjërmanisht. Franga u bë nga më të zellshmet, aqsa mësoi shumë këngë nga Lahuta e Malësisë, ku Fishta jepte mësim me përkushtim. Frangeja i mbante dhe i deklamonte mes shoqeve deri në vitet e fundit të jetës. Por mësoi po ashtu edhe te fliste italisht e gjermanisht aq sa ishte e mundur për kohën. Në këtë shkollë mësonin edhe ekonomi shtëpiake, si për të gatuar e për të qepur. Edhe këto zanate ajo I përvetësoi si më të mirat në atë manastir.
Dëshira e saj ishte të bëhej murgeshë, t`u ngjante mësuesve të saj. Por jeta e saj mori një kthesë të re. Ajo u bë nuse e Dedë Nikollë Currit të Fushë Arrëzit. Ditën që u martua, murgeshat mësuese i dhuruan makinën qepse, me të cilën Frangeja kishte mësuar zanatin e rrobaqepsisë. Kjo makinë ishte pjesë e pajës së saj. Ishte rast fort i rrallë ose i vetmi në çerekun e parë të shekullit të njëzetë edhe si dhuratë edhe si përdorim në Malësi.


Jeta në Fushë-Arrëzin malor ndryshonte shumë nga jeta në Kallmet, ku ishte krejt fushë. Kulla e Currit ishte me emër të njohur në Mirditë e me gjërë si shtëpi bujare, e besës dhe trime. Burrat e kullës së Currit disa breza prej viteve shtatëdhjetë të shekullit XVIII kishin qenë në rradhët e para të luftëtarëve të qëndresës për liri, pavarësi e përparim shoqërore në krahinë ne Pukës e të Mirditës. Bijtë e saj kishin luftuar, plagosur, vrarë dhe internuar nga pushtuesit turq, serbë, malazezë, austriakë,e më vonë edhe kundër pushtuesve italianë e gjermanë.
Dedë Curri, ishte djali i madh i Nikollës që mbas babës mbante peshën më të madhe të historisë së Currëve. E quante fat të madh martesën me Frange Fran Margjonin, po edhe ajo ishte e lumtur me jetën bashkëshortore. Mbas dy vitesh u lind një djalë. Emrin ia vunë Pjetër. Deda, djalë e burrë i zgjuar, i shëndetshëm dhe i pashëm mos me e vra për gjak[1], e zëvendësonte të atin, tashmë të plakur, si nëpër kuvende të bajraqeve e të krahinës së Pukës e të Mirditës, por edhe në tregjet e Kosovës e të Shkodrës për nevojat e shtëpisë.


Një rast bashkë me dy qafamalas e të tjerë shkon në lezhë. Kryejnë tregun dhe kthehen në shtëpi. Dedë Nikolla, por edhe të dy qafamalasit sëmurën dhe nuk ngrihen më. Sipas dëshmitarëve ata ishin helmuar gjatë rrugës. Dedë Nikolla, në moshën tridhjetëvjeçare shuhet duke lënë pas nusën të re dhe djalin një vjeç. Ishte një fatkeqësi e madhe, si një rrufe kulmonte në kullën e Currajve.
Sipas zakonit, vjehrri e thërret Frangën dhe i thotë: “ Bijë, ti pate fatkeqësi të madhe me vdekjen e djalit tëm. Je e lirë me gjetë fatin tand, se jeta asht e gjatë …”. Frangeja i betohet të vjehrrit: ”Unë, o babe, e lidha jetën me Dedën. Deda më la nji djalë. Unë do të jetojë me andrrat e Dedës dhe me rritjen e djalit. Dije, o babë, se Frangeja nuk ka me e koritë kurrë emrin e burrit as të kujt prej Currajve…”. Nikollë Curri e përqafon si bijën e vet e i thotë:” Qe, merre këtë allti, ti di me e përdorë si burrat. E di. Vëne në brez. Ruaje nderin tand e nderin e Currajve e të Margjonëve, bijë. Kam besim si për veten. Je edhe zojë e kësaj kulle…”.

Disa raste interesante nga jeta Frange Currit

Ishte viti 1925. Sapo ishte kthyer Zogu në pushtet, filloi mbledhja e armëve dhe përsekutimi i forcave proFanoliste. Nikollë Curri ishte mik ikahershëm i Bajram Currit, i Hasan Prishtinës dhe i burrave të tjerë të shquar të Kosovës martire që luftonin për clirimin e saj e për bashkimin me Shqipërinë. Prandaj u ndodh edhe ky në listën e të përndjekurëve nolist. Një ditë në shtëpinë e Nikollë Currit shkojnë tre xhandarë. Nikollë Curri i pret. Në dhomën e burrave fillon debati. Ndërkohë hyn Frange Curri. E veshur me të zeza, dukej në brezin e saj doreza e argjentë e alltisë. U ofron kafet xhandarëve dhe rri në këmbë sipas zakonit. Krijohet heshtje. Heshtja ishte dorëzim i të ardhurëve. U përcollën nga Franga derinë në derën e oborrit.[2]
Në vitin 1918 austriakët i kishin vrarë Nikollë Currit një vëlla Prengën dhe një djalë Zekën. Zeka kishte lënë pas një vajzë dhe gruan nuse të re. Edhe nusja vdes dhe mbetet vajza Gjela pa prindër. Me rritjen e saj u mor, sapo erdhi në Fushë-Arrëz, Franga. Ajo u bë nëna e saj. E rriti dhe u kujdes gjithë jetën për të, për fejesë, martesë e për gjithçka që kishte nevojë. Kjo vajzë ishte martuar në Bushat të Pukës. Franga një ditë shtatori të vitit 1932 po shkonte te Gjela. Gjatë rrugës takon një njeri që ky i bie në besë. Ai i thotë se disa burra i kanë zënë pritë nga të tana anët.… Ajo nxjer nga brezi alltinë, e ngrenë lart e therret më ze të fuqishëm:” Kush asht në pritë që don me e vra këtë burrë ta dinë mirë se ky burrë asht në besë të Nikollë Currit të Mirditës, që e njihni edhe ju, asht në besë të Margjonëve të Kallmetit, që edhe këta janë mirditorë, por edhe në besën time, prandaj mëshilni pushkët, lëshoni pritën, hapni rrugë se u zën e zeza. ..”. Ajo me allti në dorë i priu deri sa kaloi rrezikun…[3]
Nga viti 1921 deri më 1925 edhe Nikollë Curri me shumë mirditorë shkuan në Prizren, për shkak të konfliktit të qeverisë zogiste me Mirditorët. Frange Curri atje kishte mësuar diçka nga mjeksia popullore. Një barë me ngjyrë të verdhë e mbillte në baçe familja ku Currët jetuan për rreth katër vjet. Ky bar shërbente për shërim sëmundjesh lëkure. Përgatitej si pomandë. Po shërbente edhe për mjekim sëmundjesh e pihej si çaj. Franga e merr këtë bar dhe kur vjen e mbjell në oborr të kullës së Currajve. Këtë bar e përdori për shumë vite dhe u shërbeu shumë e shumë njerëzve në fshat por edhe nevojtarë të ndryshëm që vinin edhe prej larg. Pra ishte edhe një mjeke popullore. Ky bar është edhe sot në oborrin e nipit të Frangës, Lek Currit.
Nga mesi i viteve tridhjetë pat filluar njjë lëvizje për emancipimin e femrës. Në Fushë-Arrëz Frange Fran Curri u zgjodhë kryetare e grues. Me gjithë ndryshimet e sistemit, pas luftës Nacionalçlirimtare, iu besua përsëri detyra e kryetarës së këshillit të grues në fshat e disa herë edhe anëtare e këshillit të grues në rreth deri në mesin e viteve gjashtëdhjetë. Ajo, si grua me shkollë e me zanat, u ofroi dije e praktikë grave të fshatit duke ndikuar kështu në rritjen e dijeve të gruas në atë kohë që të gjitha ishin analfabete.
Me makinën qepse që i dhuruan murgeshat dhe mësimet që zotëronte për prerje e qepje rrobash, u bë një mjeshtre e këtij zanati. Luajti rol të veçantë për përgatitjen e pajës së vajzave mirditore për veshjet tradicionale, duke ruajtur me përkushtim traditën vendase. Njëkohësisht ajo mësoi edhe për prejrjen e qepjen e rrobave tradicilale të burrave mirditas. Por si një grua që çka i shihte syri ia bënte dora, mësoi edhe modelet e veshjeve te krahinës së Pukës dhe u bë e njohur edhe në këtë krahinë.
Në tetor të vitit 1943 disa forca ushtarake gjermane që po kalonin nga Prizreni për në Shkodër, kaluan nëpër Fushë-rrëz. Aty u ndalën dhe u shpërndanë arave të fshatarëve. Prisnin bimet me miser dhe i hidhnin në makina. Fshatari i varfër Mark Laska merr një kmes dhe u del përpara, duke u bërtitur.
Ata e moren e lidhën dhe e mbeshtetën për një pëmë. Ndërkohë nga oborri i shtëpisë vet Frange Curri e sheh ngjarjen dhe bërtet gjermanisht me sa fuqi që kishte:”Nain,Nain (jo,jo, mos, mos…) Mos e vrisni…Eshtë fukara…”. Gjermanët dëgjojnë, shikojnë lart e panë. E zgjidhen dhe vazhduan operacionin nëpër fshat.[4]
Frange Curri ishte e vetmja grua në Fushë-Arrëz që ishte e shkolluar. Po ashtu ishte e zonja e fjalës dhe e punës në shtëpi e shoqëri. Gëzonte shëndet të plotë. Ajo diti të dallpnte kohën e re që po vinte, prandaj u ndodh në krye të grave të fshatit. Kjo është arsyeja që e drejtoi organizatën e gruas edhe për afro njëzet vite dhe disa herë e zgjodhën edhe në kryesinë e këshillit të gruas së rrethit. Luajti rol të rëndësishëm në realizimin e detyrimit shkollor për hyrjen dhe vazhdimin e shkollës nga vajzat që ishte problem i vështirë për disa vite pas çlirimit. Fushë-Arrëzi ishte nga fshatrat e para në rreth që realizoi detyrimin shkollor me pjesëmarrjen në shkollë të gjitha vajzave të Fushë-Arrëzit dhe mbarimin e shtatëvjeçarës.
Ishte një thesar i kulturës popullore. Në vitet 60-70 mësuesit e rrethit të Pukës u angazhuan në mbledhjen e kulturës popullore ndër fshatra. Frange Curri u dha atyre mëse 40 këngë popullore kushtuar historisë së Pukës e të Mirditës, të krijuara e të kënduara nga poeti popullor Prendush Gega (1850-1930)[5]. Ajo dinte të vargëzonte nga Lahuta e Malësisë qindra vargje pa pushuar. Këto këngë nuk u mblodhën për shkak të qëndrimit negative ndaj Gjergj Fishtës në atë kohë.
Në vitin 1952-1957 u organizuan disa aksione për ndërtimin e Rrugës së Dritës për në Hidrocentralin e Ulëzës e të Shkopetit mbi lumin e Matit. Frange Curri udhëhoqi Brigadën e grave të Pukës. Brigada kreu me sukses detyrën duke u kthyer me flamurin e aksionit që ishte shpërblimi më i madh për aksionin.
Frange Curri jo vetëm se e rriti të birin, Pjetrin me përkujdesje të veçantë , por edhe e shkolloi në ato kushte që kishte zona në vitet tridhjetë e dyzetë të shekullit të kaluar.
Ai u bë një nga burrat e nderuar dhe kuadrat më të mirë të rrethit në vitet pesëdhjetë e deri në fund të jetës së tij (më 2009). Franga arriti të rritë dhe të edukoi edhe 5 nipër e 2 mbesa, fëmijë të djalit. Disa prej të cilëve edhe ua gëzoi dasmën.
U shua në verën e vitit 1975, duke lënë pas një trashëgimi të pasur dhe një emër të nderuar edhe për brezat vazhdues të Currajve të Fushë-Arrëzit në rrethji e Pukës.







Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes