l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Çeta e parë antifashiste në Dibër është krijuar në prill të vitit 1941

Të korigjojmë historinë e shtrembëruar të LANÇ

Nga Sakip CAMI

Në Fushën e Fshatit Miresh të Qarkut Dibër, sot Bashkia e Bulqizës, është një lapidar i Luftës Antifashiste, që për fatin e mirë nuk është dëmtuar. Dhe nuk ka se si të dëmtohet sepse atë e ruajnë vetë banorët e këtyre fshatrave, të Mireshit, Tërbaçit, Sepetovës, Viçishtit etj. Këtu është zhvilluar përpjekja e parë me armë e dibranëve kundër fushimit luftarak të fashistëve italianë të Divizionit “Firence” që vepronte në vijën kufitare të Shqipërisë përballë Dibrës së Madhe. Në këtë sulm dibranët i shkaktuan armikut 50 të vrarë dhe shtuan arsenalin e armëve të tyre luftarake.
Në kundërpërgjigje, fashistët italianë të Divizionit “Firence” arrestuan dhe burgosën jo pak, por 20 burra të Fisit Cami të Viçishtit dhe 15 burra të fisit Jashari të Kovashicës. Në Prill të vitit 1941 në këtë fushë janë pushkatuar katër djem të kësaj zone dhe pikërisht Ejup Cami nga Dibra e Madhe, 19 vjeç, gjimnazist në Tiranë, Mexhit Lezi , 20 vjeç, nga fshati Mazhicë, bari në fshatin Golevisht, Viçisht, Musa Cami 40 vjeç, me pesë fëmijë, nga fshati Golevisht, lagje e Viçishtit dhe Sefer Cami 27 vjeç nga fshati Sepetovë.
Katër ditë më parë ishte vrarë Fasli Cami, mësues në Gjoricës, normalist, i pari mësues dëshmor në Shqipëri. Po në këtë kohë, në këto ditë prilli 1941 në Maqellarë të Dibrës , në sulmet e organizuara ndaj postave të shërbimit italiane u vranë nga fashistët italianë Abdurrahim Lleshi dhe Vehbi Jashari. Plot 7 dëshmorë në një ditë. Dilaver Cami do të vdiste në burg në mars të vitit 1942. Të tjetrët i përballuan torturat e qelive të burgut të Tiranës dhe të Burrelit. Por të gjithë vdiqën para kohe, pas kthimit në fshat dhe daljes nga burgu.. Pas çlirimit , ata e morën statusin e dëshmorit, u ndërtua edhe lapidari në përkujtim të luftës së tyre, por asnjëherë deri më sot, edhe tani, që kanë kaluar 25 vjet nga fitorja e demokracisë, nuk u tha dhe nuk u shkrua se çfarë ishte kjo betejë, kjo luftë.
Para vitit 1990 çdo gjë ishte e lidhur me PKSH. Çdo gjë fillonte pas 8 nëntorit 1941. Që nga 7 prilli 1939 deri më 8 nëntori 1941, dy vjet e gjysmë histori lufte dhe përpjekjesh u shumëzuan me zero, sepse sipas PPSH dhe historianëve komunistë , lëvizja filloi pas formimit të PKSH. Një nga organizatorët e kësaj lufte , që më vonë do të bëhej anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ dhe komandant i Batalionit të Dibrës, Haxhi Lleshi, do të pranonte të dërguarin e PKSH për komisar çete partizane , Qazim Prishtinën dhe do të formonte të parën çetë partizane në Dibër me 20 qershor të vitit 1942.
Por pas vitit 1990, Haxhi Lleshi ka reflektuar dhe në kujtimet e tij , në librin e tij me kujtime:”Vite, njerëz, ngjarje” , botim i vitit 1996, Faqe 27 dhe 77, ai shkruan se çeta e parë antifashiste në Dibër u krijua në prill të vitit 1941 dhe për këtë ai më pas kishte vënë në dijeni Enver Hoxhën, i cili në fillim e kishte quajtur gjë të mirë, por që më pas e fshiu këtë periudhë rezistence prej dy vjet e gjysmë.
“Enver Hoxha më ndiqte me shumë kujdes, shkruan H.Lleshi, dhe herë pas here tundte kokën në shenjë miratimi. Kështu kur i fola për luftën kundër pushtuesve italianë në prill të vitit 1941, më pyeti për pjesëmarrësit, për gjetjen e armëve, për qëndrimin e autoriteteve jugosllave ndaj nesh. -Disa nuk e kanë vlerësuar si duhet atë luftë, tha Enveri, prandaj nuk e kanë popullarizuar me qëllim, të tjerë nga mosnjohja. Por të mohosh luftën e popullit për të mbrojtur trojet e veta nga pushtuesit, do të thotë të jesh ose dritëshkurtër ose armik. -Unë nuk e di ç’thonë ata disa, thashë (H.Lleshi) , por ngado që kemi kaluar, njerëzit na kanë thënë: “Ju lumtë pushka!”
Në krye të listës është Ahmet Fetah Cami, ish oficer, akademist, me gradën kapiten, ( i biri i Fetah Camit, dëshmor i Atdheut, komandant çete kunder serbve dhe bullgarëve, vrarë nga bullgarët në vitin 1916), babë e bir, Dullë dhe Uke Cami, vëllezërit Adem dhe Islam Cami, vëllezërit Sulë dhe Salë Cami, Destan Cami që ka kishte lënë dasmën dhe nusen e re në shtëpi, babë e bir Rrem dhe Shahin Cami, vëllezërit Tafë dhe Dilaver Cami etj. Jo pak por 20 vëllezër e kushurinj. Kjo kryengritje dhe ky organizim nuk ishte rastësor. Ai kishte ndodhur edhe në luftën kundër Hajredin Pashës në vitin 1844, në vitet 1913, 1914, 1915, 1916 dhe 1920 kundër serbëve që donin t’i aneksonin këto troje, që ishin copëtuar edhe nga kufijtë e vitit 1913. Studiuesi Prof. Gazmend Shpuza shkruan se shtëpitë e fisit Cami u bënë preja e parë e armikut duke u djegur tërësisht. Në kapitullin “ Lufta kundër forcave Serbe “ përshkruhet: “ Forcat agresive serbe ndeshën në qëndresën e shqiptarëve sapo kaluan kufirin. Dan Cami me forca të pakta organizoi pritën e parë në Sepetovë.
Gazmend Shpuza “ Kryengritja fshatare e Shqipërisë së mesme 1914-1915 “ Botim i Akademisë së Shkencave të RPSSH, Instituti i Historisë, viti 1986, f. 375-376, 392: “) Pikërisht kjo periudhë rezistence që nga prilli 1939 deri në prill të vitit 1941, rezistencë në vazhdimësi e kësaj zone , e këtij populli, e këtyre fiseve, e këtyre luftëtarëve është lënë e errët sepse dikush dhe disa kanë dashtë me marrë lavdinë dhe meritat. Është detyrë e historianëve që t’i rikthehen fakteve të reja dhe ta rishkruajnë historinë sepse ajo është shkruar me gjak dhe nuk është mirë që të mohojmë gjakun e derdhur të të parëve tanë për liri, aq më tepër sot që faktet po i nështrohen gjykimit të ftohtë dhe historik.

Ja faksimilja e AQSH të vitit 1942 me emrat e të dënuarve në burg nga Gjykata ushtarake e Divizionit „Firence“, divizion i dislokuar në Dibër:






Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes