l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

“Ëmbël dhe bukur është te vdesësh për Atdhe dhe të lirë të lesh pas vetes, fëmijët, shtëpinë dhe çdo gjë tjetër”. - HOMERI

66 vjetori i krijimit - Çeta e Mokrës , Çeta e parë partizane në Qarkun e Korçës

Ing. MyfitGuxholli*

Në Historinë e lavdishme të LUFTËS Antifashiste nacionalçlirimtare, Çeta e Mokrës (Pogradec), renditet si Çeta e parë partizane në Qarkun e Korçës dhe e dyte në Shqipëri, pas çetës së Pezës. Komandant i kësaj çete, që me krijimin e saj në 27 Mars 1942 ishte Reshit Çollaku.
Reshit Çollaku, lindi në Pogradec me 1914 ku mbaroi dhe shkollën fillore. Më vonë vazhdoi mësimet në Tiranë dhe për katër vjet në gjimnaz. Pas kësaj kaloi në gjimnazin ushtarak në Romë. Vitet e fundit i bëri në Akademinë Ushtarake të Modemas ne Itali, ku e gjeti edhe pushtimi i Atdheut nga hordhitë fashiste. Kjo ngjarje e kobshme e tronditi dhe e trishtoi së tepërmi sepse u shkel liria. Në 12 prill 1939, Komanda e Akademisë, në mënyre pompoze organizon një mbledhje, gjoja me të gjithë shqiptarët që të bënin betimin ushtarak para dy flamurëve shqiptarë dhe flamurëve italiane me sëpatat e fashizmit. Komandanti i Akademisë mori fjalën nga Koloneli dhe përshëndeti. Kur filloi t’u flasë oficerëve shqiptarë se ju duhet të krenoheni për këta flamuj, Reshiti ju përgjigj: “Ne do të krenohemi me flamurin tonë kur ta mbrojmë me gjokset tona dhe kur ta shohim këtu ne Itali, të mbajtur nga duart e ushtarëve shqiptarë si në kohën kur Skënderbeu i erdhi në ndihme Ferdinantit të Napolit, dhe jo te rrethuar nga bajonetat tuaja”. Më pas Koloneli i ftoi të gjithë ushtarakët shqiptarë të betohen, duke thëne “Logiuro”, por ata nuk e pasuan. Gjenerali i tha Kolonelit: “A dinë italisht këta apo jo”?. Në këmbim të fjalëve të betimit, Reshiti foli përsëri: “Nuk na gënjeni me propagandën tuaj” dhe me pas vijoi: “Unë jam betuar një herë për Shqipërinë dhe një betim të dytë e quaj të turpshëm dhe korruptonjës”. Mbas bojkotimit të mësimit për tre ditë ata u mblodhën përsëri. Koloneli i fton përsëri për të bërë betimin përpara flamurit kombëtar, por askush nuk del përpara për t’u betuar. Atmosfera elektrizohet, gjokset filluan të ndizen, të gjithë i kanë sytë tek Reshiti, por ky tashme nuk është në vendin e tij. Duke lënë shokët pas, i qetë, i sigurtë, plot vendosmëri, me kokën lart e sytë drejtuar në fytyrën e oficerit fashist, Reshiti filloi të flasë: “Na ndjeni zotërinj, ky flamur nuk është i yni. Për çdo shqiptar të vërtet është krejt i huaj, prandaj ne s’kemi pse te betohemi përpara një cope bezeje të kuqe që ka aq vlerë sa edhe copat e bezeve me të cilat mbështjellim këmbët”. Reshiti u përkrah edhe nga disa shokë të tjerë. Mbledhja u prish dhe Reshiti u vu në arrest. Pas disa ditësh erdhi në Shqipëri dhe mënyre ilegale kaloi kufirin për në Jugosllavi ku u takua me shqiptarë të tjerë te arratisur.
Ku u pushtua Jugosllavia ne 1941, u kthye në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij për vendin e okupuar nga fashizmi dhe qëndroi ilegal ne zonën e Mokrës. Në Shqipëri kishte filluar lëvizja e luftës kundër fashizmit deri në çlirimin përfundimtar të Atdheut. Reshiti mbështeti menjëherë këtë lëvizje dhe u rreshtua të luftonte. Qysh ne fillim ai mori pjesë në demonstratën e madhe të 29 nëntorit 1941, duke qëndruar në radhët e para të demonstruesve. Pastaj kaloi në malësinë Mokrës dhe me pushkë e besë punoi pa u lodhur për mobilizimin e popullit në luftë.
Ne 27 mars 1942 u formua Çeta e Mokrës dhe komandant i saj u caktuar Reshit Çollaku, nën udhëheqjen e të cilit ajo u bë tmerr për fashistët italianë. Brenda një kohe të shkurtër, Çeta pastroi krahinën e Mokrës nga armiqtë. Me vonë ajo kaloi ne Gorë, çliroi krahinat e Berzështës e Velcës, fshatrat e Rëzes së Pogradecit dhe të Malit te Thatë. Reshiti ishte një propagandist dhe agjitator i shquar, trim, guximtar dhe një organizator me zotësi te madhe për të lidhur më së miri traditat luftarake dhe atdhetare të popullit me ato të luftës që po bënte vendi ynë kundër pushtuesit fashist dhe kolaboracionistëve që bashkëpunonin me armikun. Puna e merita e Reshitit ishte ndihma në rrethin e Pogradecit për zhdukjen e hasmërive dhe tarafeve në mbledhjen e organizuar nga ai në fshatin Slabinjë te Mokrës. Bashkimi i popullit në luftë kundër armikut u forcua më tepër dhe kështu nga ditë në ditë po shtoheshin radhët e partizanëve. Në zonën e Mokrës e Gores dhe Rëzes u krijuan Këshillat NÇ, të cilët ndihmuan për krijimin e njësiteve partizane dhe që të pastroheshin postat ku vepronin karabinierët italianë. U zhvilluan aksione luftarake kundër milicëve dhe mercenarëve dhe fashistëve italianë. Partizanet e Çetës se Mokrës, përveç punës propagandistike me popullsinë, ngritjen e këshillave Nacional-Çlirimtarë, mblodhën armë duke ia marrë armikut dhe duke mbledhur armët e mbetura nga lufta Italo-Greke nëpër fshatrat kufitare.
Çeta e Mokrës ka bërë shumë aksione luftarake kundër forcave fashiste të cilat rritën besimin për të luftuar dhe pjesëmarrjen e popullit e veçanërisht rinisë, të cilët lanë shkollat dhe u rreshtuan në radhët partizane. Çeta e Mokrës në bashkëpunim me atë të Gorës dhe Oparit fqinj, shkatërruan urën e rajonit te Përrenjasit, mori pjesë në luftën e Snorit, ku shpartalloi postën e Karabinierëve dhe zuri shumë ushtarë rob. Ka marrë pjesë në aksionin e Grabovicës së bashku me Çetën e Gorës për të çliruar dy shoke: Kiço Greco e Midhin, që dogjën zyrat e partisë fashiste ne Korçë. Në ketë aksion u plagos Teki Kolaneci. Gjithashtu mori pjesë në luftën e Voskopojës, kreu aksionin në minierën e Çermenikës, në çlirimin e gjithë zonave te Mokrës, Gorës dhe e detyroi armikun të mos shkelë më në zonat e çliruara. Kështu emri i Reshit Çollakut u bë tmerr për pushtuesit. Të gjitha këto aksione u kryen gjatë vitit 1942.
Në saj të punës dhe aksioneve te kryera, fshati Kreshovë i Gorës është fshati i parë në Qarkun e Korçës ku ngrihet flamuri i Lirisë te cilin e mori Çeta e Mokrës. Gjatë fjalimit që po mbante, Reshiti, i mallëngjyer ndalej e shpërthente përsëri. Gjithë kjo llavë ndjenjash e bëri për vete masën e cila u përlot bashkë me Reshitin. Një plak 80 vjeçar, Kadriu, filloi të qante, gjithashtu dhe pasi largohet, kthehet përsëri me një flamur në dore e i drejtohet Reshitit: “Merre o bir! Është flamur që e mbaja në syndyq, por flamujt nuk janë për syndyqe, janë për ju, për ty o Reshit o bir dhe le të valojë”. Reshiti s’mund të vazhdonte më fjalimin nga sytë e mbytur me lotë. E mori flamurin dhe e puthi. Ky veprim u përhap dhe bëri jehone në të gjithë fshatrat. Reshiti në këtë rast ndjeu barrën e rëndë që i kishte ngarkuar populli.
Mbi bazën e Çetës së Mokrës, u formua batalioni i Mokrës, i cili më vonë mori emrin Batalioni “Reshit Çollaku”.
Krahina e Pogradecit mori pjesë masive në këtë luftë me disa njësi, Çeta dhe dy batalione. Batalioni partizan “ReshitÇollaku” dhe batalioni i forcave vullnetare të krahinës dhe sidomos të Mokrës, në ketë luftë i dhanë atdheut 1582 luftëtarë të armatosur në formacionet luftarake. Nga këta, 144 dëshmore ne altarin e nderit që dhanë jetën për çlirimit e atdheut dhe dy heronj te popullit, Reshit Çollaku dhe Kajo Karafili.

*Veteran Kolonel në pension



Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes