l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Kryetari i OBVL përshëndet pjesëmarrësit në takimin e Org.Veteranëve të rajonit të Ballkanit

BALLKANI – ZONË E PAQES DHE E MIRËKUPTIMIT

Gjen.Rrahman PARLLAKU*

I nderuar zoti Dushan Çukiq, Kryetar i Organizatës së veteranëve antifashistë të Serbisë dhe mikpritës i kësaj Konference,
I nderuar z. Vilmosh Hanti, kryetar i FIR-it,
Të nderuar pjesëmarrës, të kësaj Konfrence të rëndësishme,

Ju falenderoj për ftesën dhe ju bëj me dije, se megjithë moshën gati 100- vjeçare, erdha me kënaqësi këtu, për të bashkuar zerin tim me Ju veteranë, ish bashkëluftëtarë e pasardhës te Luftës së Lavdishme Antifashiste, që i bashkoi popujt tanë.
Unë pata fatin, atëherë në moshën 25- vjeçare, me detyrën e Komandantit të Divizionit të V- të, të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, të luftoj krahas forcave të Ushtrisë Çlirimtare Jugosllave, për çlirimin nga pushtuesit nazifashistë të popujve të Sanxhakut, të Malit të Zi e të Bosnjës.
E kujtoj edhe sot pritjen e përzemërt të Komandantit të Divizionit të 37- të, të Ushtrisë Jugosllave, kolonel Pjero Papivoda, i cili shprehu gëzimin e tij, që për hërë të parë në histori, ne nuk do të luftonim kundër njëri-tjetrit, por do të luftonim sëbashku kundër pushtuesve Nazifashistë. Duke na uruar mirëseardhjen, ai hoqi nga dora orën e tij, për të ma dhuruar në shenjë mirënjohjeje.
Detyra e forcave të Divizionit, që unë komandoja, ishte që pas luftimeve për çlirimin e Sanxhakut dhe daljes në luginën e lumit Lim, të bashkoheshim me forcat e Divizionit të VI- të, që mësynte nga Mali i Zi, dhe bashkarisht të vazhdonim mësymjen e mëtejshme.
Në zbatim të kësaj detyre, pas çlirimit të Sanxhakut, të dy divizionet tona vazhduan luftimet në Bosnjen Jugore deri në çlirimin e Vishegradit. Luftimet ishin të ashpra, kundër një mbrojtjeje naziste të fortifikuar dhe të një dimri të egër të maleve të Sanxhakut.
Ato zhvilloheshin në një tokë të djegur, të lënë pas nga forcat naziste në tërheqje, ku furnizimi me ushqime e veshmbathje i forcave tona ishte shumë i vështirë. Me sakrifica mbinjerëzore partizanët i plotësuan detyrat e ngarkuara. Ne ishim krenarë që ndihmuam për çlirimin e popujve të Sanxhakut e të Malit të Zi dhe të Bosnjes. Në luftë për çlirimin e këtyre popujve dhanë jetën rreth 700 partizanë.
Me forcat e dy divizioneve tona, ne jo vetëm ndihmuam në çlirimin e popujve fqinjë, por edhe plotësuam me nder detyrën, në kuadër të Aleancës Antifashiste, ku bënim pjesë, duke goditur, dëmtuar e vonuar forcat e Grup-Armatës ERE, që shkonin të luftonin kundër Forcave Aleate, që kishin zbarkuar në Francë.
Të nderuar miq,
Unë pres me padurim që popujt tanë të mos vonohen, por të gjejnë sa më parë mirëkuptimin mes tyre, si fqinjë, që historia njerëzore i ka sjellë të jetojnë pranë njeri – tjetrit. Ata duhet të merren vesh, të mirëkuptohen, me qëllim që popujt e tyre, kudo ku jetojnë, në trojet e tyre apo në shtetet fqinjë, të jenë të sigurt, të lirë e të gëzojnë të drejta të barabarta në mjedisin ku jetojnë.
Gjithashtu pres, qe sa më parë, të gjithe shtetet tona të jenë pjesë e Europës së Bashkuar, pasi me këshillat dhe ndihmën e Europës, ne do të punojmë më mirë për demokratizimin e brendshëm të vendeve tona, do të kuptojmë dhe zbatojmë më mirë liritë demokratike, në mënyrë që Ballkani, të bëhet vendi i paqes dhe begatisë, që të gjithë e dëshirojmë.
Të nderuar miq,
Unë, jam në moshë të thyer dhe koha ndoshta nuk do më lejojë të shikoj të realizuara këto dëshira, por jam i gëzuar të përcjell sot me bindje të plotë, mesazhin se idealet për të cilat luftova në rini dhe gjatë gjithë jetëgjatësisë sime, do të realizohen dhe do ti gëzojnë brezat që na pasojnë.
Unë ju bëj thirrje veteranëve që jetojnë dhe veçanërisht pasardhësve tanë, që të punojnë në mbrojtje të idealeve të shenjta që besuam, për të cilat luftuam dhe sakrifikuam rininë.
Të nderuar pjesëmarrës,
Duke ju uruar të gjithëve shëndet paqe e harmoni, ju faleminderit që patët durim e më dëgjuat.

*Fjala e Gjeneral-lejtënant Rrahman Parllaku - Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit Shqiptar, mbajtur në takimin e Org.Veteranëve të LANÇ të rajonit të Ballkanit më 5-6 Maj 2018

 

 

DEKLARATË E KRYESIVE TË VETERANËVE TË LANÇ TË RAJONIT TË BALLKANIT

Veteranët e LANÇ, të vendosur kundër forcave totalitariste, revanshiste dhe racizmit

Organizatat e veteranëve janë krenare për traditat antifashiste dhe shfaqin domosdoshmërinë e luftës kundër gjallërimit në rritje të ideologjisë fashiste dhe promovimit të saj në botën e sotme.
Ne mbetemi të vendosur në kundërvënien ndaj forcave totalitariste, revanshiste dhe racizmit, kundër mohimit të lirive civile, të drejtave të individëve, grupeve sociale dhe kombeve e shteteve në tërësi. Përsëri ndihet kërcënimi që me forcë, në mënyra të ndryshme imponuese dhe manipulimeve të paturpshme të pushtohen hapësira dhe territore nga ato, të cilat jam mposhtur nga Fronti i gjërë antifashist, para së gjithash në Luftën e Dytë Botërore.
Cilido që përpiqet të fallsifikojë historinë, që justifikon të keqen siç është fashizmi, relativizon krimet e kryera. Detyra e të gjitha forcave liberale dhe progresive, në radhët e të cilave marshojmë, është të japin kontributin e plotë në mbrojtje të vlerave civilizuese, pespektivës së botës së sotme dhe gjeneratave të reja.
Duke ushqyer respektin më të thellë ndaj veprës së atyre, që, me gjithë sakrificat e mëdha, iu kundërvunë me sukses fashizmit, kur ishte në kulmin e vet, duhet që pa u lodhur të punojmë në atë drejtim, që shembujt e ndritshëm të mbeten udhërrëfyes për luftën në vazhdim.
E domosdoshme është kujdesi i vazhdueshëm dhe përpjekjet që programet mësimore-edukative në mënyrë sistematike të pasurohen me përmbajtje nga të dhënat konkrete mbi burimet social-ekonomike dhe iedologjiko-politike të fashizmit, me rezultatet historike, me fitoret ndaj tij, me nevojat dhe rëndësinë e luftës së mëtejshme antifashiste, në të cilat duhet të kontribuojnë të gjitha organizatat dhe qytetarët.
Duhet të vëmë forcat për rritjen e ndërgjegjes për domosdoshmërinë e ruajtjes dhe promovimit të monumenteve dhe burimeve relevante historike, që vazhdimisht të kujtojnë luftën antifashiste, krimet e fashistëve dhe viktimat e tyre.
Ne nuk duhet të lejojmë që idenë e pajtimit dhe bashkezistencën ta njësojmë me përpjekjet për barazimin me ideologjinë e bartësve të fashizmit ashtu si edhe me kolaboraboracionizmin, me shtypësit fashistë në luftën antifashiste, të cilët në të kaluarën jo të largët janë mposhtur bindshëm, për të mirën e botës ku jetojmë dhe që do t’jua lëmë trashëgim brezave të rinj.
Ne jemi dëshmitarë sesi neofashistët, në rrethanat e sotme, ku, për fat të keq jetojmë, në një sërë elementesh karakteristikë të kujtojnë kohët kur u shfaqën në skenën e historisë të shembujve të tyre të palavdishëm; ata përpiqen të organizohen, madje të legalizohen dhe të hedhin farën e së keqes në institucionet lokale dhe më gjërë në botën e sotme.
Organizatat antifashiste, jo vetëm që kanë rol të rëndësishëm për të mos reshtur luftën që zhvillohet me të gjitha mjetet disponuese demokratike, por me mjete politike të mobilizohen në frontin më të gjërë kundër së keqes neofashiste.
Duke ua bërë të qartë këtë organeve përgjegjëse lokale dhe qendrore shtetërore, shoqatat e rajonit, si edhe bashkësitë ndërkombëtare të antifashistëve të Ballkanit, të mbledhur në Beograd, nënvizuan se në mjediset e tyre, në plan rajonal dhe global me tëra forcat duhet të kontribuojnë për krijimin e nje klime shoqërore në të cilën neofashizmi të mos kenë vend. Po ashtu të mos lejohen edhe retorika luftënxitëse, teoritë e pushtimit të territoreve të të tjerëve, nënvlerësimi i popullit dhe pengimi i mendimit të lirë dhe të avancohen më tej demokracia, barazia si edhe fitoret e civilizimit.

Beograd, më 5 e 6 maj 2018.
Nënëshkruar nga delegacionet e:
Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Bullgarisë, Malit të Zi, Greqisë, Kroacisë, Hungarisë, Maqedonisë, Republikës Srpska, Sllovenisë, Serbisë dhe FIR-it (Federatës Ndërkombëtare Antifashiste).

Përktheu: Nikolla Sudar





 

 




Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes