l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

INMEMORIAL

Luftëtari Mato Mato, akoma nuk ka
marrë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”

Nga Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Familja ku u lind Matua ishte një familje me tradita të shquara luftarake, atdhetare, patriotike e liridashëse. Të parët e tij kishin luftuar historikisht me osmanët, andartët grekë e më tej edhe me pushtuesit italianë e gjermanë. Aktiviteti i Matos nis që në moshë të re me aktivizimin në njësitet guerile të fshatit dhe të krahinës. Frymë e luftës për liri kishte shkuar gjer në fshatrat e thellë të Labërisë dhe ishte dhënë kushtrimi për luftë dhe burrë për shtëpi. Fushëbardha një nga fshatrat e dëgjuar të Labërisë mbushi vrullshëm rreshtat e çetave, batalioneve e brigadave partizane. Ky fshat në mes të maleve të Labërisë i dha atdheut 15 dëshmorë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Gjatë LANÇ-it në vitet 1939-1944, morën plagë dhe ngelen invalidë dhe mjaft luftëtarë të tjerë ku midis tyre ishte dhe Mato Mato.
Matua në një moshë të pjekur u aktivizua në interes të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në fshat e krahinë, ku shtëpinë e tij e ktheu në një bazë të rëndësishme për luftëtarët e lirisë. Ai mori vendim dhe doli partizan, vendim të cilin e përkrahu dhe familja dhe veçanërisht babait të tij. Kështu në vitet e para të luftës duke u nisur nga pjesëmarrja në njësitet guerrile të krahinës së Kardhiqit, më 12 dhjetori të vitit 1942, u rreshtua luftëtarë i çetës së parë partizane të Fushëbardhës, çetë që mori emrin e luftëtarit të shquar të lirisë Çerçiz Topulli. Çeta nisi veprimtarinë luftarake me aksionin që në ditët e para në Rrëzomë, në Krahinën e Kardhiqit, për të vazhduar më tej deri në Konispol. Me partizanët dhe kuadrot me përvojë në luftime dhe eksperiencë përfitoi dhe luftëtari Mato Mato, i cili u shqua që në fillim të luftimeve si një ndër partizanët më trima e më të dalluar të çetës.
Luftëtari Mato Mato më 13 prill 1943 në Cepo, pranë Plesatit, u rreshtua në batalionin territorial të Fushëbardhës së bashku me 72 luftëtarë. Ky batalion komandohej nga komandanti i sprovuar në beteja Karafil Bello dhe zëvendëskomandant Nexhip (Xhipe) Kozaku. Pjesë e luftëtarëve të batalionit ishin shumë trima të tjerë si Sami Golemi, Mato Serjan Mato, Nishat Çarçani, Hodo Basho, Tafil Lagji, Dino Meçani, Destan Nora, Ferik Shalari, Maliq Cama, Shefqet Golemi, Hodo Basho etj. Mato Mato ishte një luftëtarë i denjë i batalionit partizan territorial të krahinës së Kardhiqit. Ky batalion më 7 gusht 1943 do të krijonte batalionin partizan “Asim Zeneli” te rrepet e Kardhiqit, si njësi e madhe partizane të krijuar me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH.
Mitralieri në brigadën partizane

Në batalionin partizan “Asim Zeneli” partizani Mato mësoi mitralozin në një kohë të shpejtë dhe u bë mjeshtër në përdorimin praktik dhe teknik të tij, si dhe dha rezultate të larta në qitjet luftarake që bënte batalioni para së të futej në luftime. Kështu mitralieri Mato Mato tregoi trimëri të rrallë dhe u plagos dy herë, por nuk u tërhoq nga fronti i luftës.
Plagët do të shëroheshin bashkë me Shqipërinë e lirë, ju thoshte shokëve të luftës. LANÇ-i mori hov të madh veçanërisht në Pranverë të vitit 1944. Matua ishte bërë një luftëtar profesionist në radhët e rreshtave partizane. Në maj të vitit 1944, vetëm katër ditë përpara se të fillonte punimet Kongresi i Përmetit, më 20 maj 1944, rreth 600 partizanë e partizane të ardhur nga Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, u mblodhën në Sukë të Përmetit dhe krijuan Br. XII S, ku komandant u caktuar Refat Bajramin dhe komisar Qemal Klosin.
Detyra e parë e luftarake e Br. XII S ju caktua mbrojtja e qytetit të Përmetit, ku zhvillonte punimet Kongresit Antifashist. Emri i Br. XII S është i lidhur me Kongresin e Përmetit ndaj dhe është thirrur “Brigada e Kongresit”, kështu e njohu historia. Brigada në organizimin e saj i ndau forcat luftarake në 4 batalione duke ju caktuar detyrë konkrete për mbrojtjen e qytetit nga ndonjë sulm i papritur i armikut. Në këtë brigadë karakteristik ishte pjesëmarrja masive e vajzave partizane, ku në ditën e inaugurimit u rreshtuan 50 luftëtare dhe shumë shpejt numri arriti në rreth 200 partizane, të cilat luftuan me trimëri për çlirimin e atdheun. Prenda pak ditëve Brigada u rrit në 670 partizanë nga të cilët 200 nga Gjirokastra dhe mbi 470 nga Vlora e Mallakastra. Në Përmet partizani Mato Mato u takua me 26 bashkëfshatarë fushëbardhas, që ishin rreshtuar dhe luftonin në të njëjtën njësi luftarake si Mehmet Tafil Lagji, Cirok Cama, Guxho Muho, Maksut Muho, Fejzo Kapo, Sako Mullai, Shefqet Golemi, Ramiz Cama, Aqif Bello, Avni Bello, Boço Muho, Baxhul Nora, Rauf Basho, Musto Zani, Lufto Bello, Rabihe Caca, Sako Meçani, Laze Muho, Ramo Nora, Sorush Bineri, Shefqet Deçka, Shega Onjea, Nuri Çarçani, Amzo Muho, Dife Maçi dhe Hodo Basho. Br. XII S në Operacionin armik të Qershorit 1944, përballoi detyra të rëndësishme duke vepruar në terrene të thyera malore dhe në prani të mjaft armiqëve që kishin kapur pozicione të favorshme luftimi si në rrethinat e Berat dhe të Skrapart, në luftimet e Tendës së Qypit dhe Qafës së Kiçokut. Luftime të ashpra me pushtuesin nazistë kjo brigadë ka zhvilluat në Tepelenë, Kurvelesh, Vlorë, Llogara, Himarë etj., ku Mato Mato dhe partizanë të tjerë të kësaj brigade shkruan faqe heroizmi e lavdie.

Mitralieri plagoset në Tendën e Qypit

Në betejën e Tendës së Qypit plagoset rëndë, por partizani Mato Mato. Ai ishte komandat i togës dhe ishte vendosur në qendër të luftimeve ku dhe forcat armike ishin më të shumta dhe në pozicione të favorshme të terrenit dhe të armatimit. Plaga e tij rridhte gjak, por ai qëndroi deri në fund të luftimit. Ai e arriti ditën e lirisë më 29 nëntor 1944. Mirënjohja dhe nderimi për të rënët në luftë dhe që sollën lirinë e dhanë gjithçka për çlirimin e Shqipërisë nuk rreshti asnjëherë. Mato Mato dhe gjithë luftëtarët e Br. XII S kujtohen gjithnjë nga pasardhësit e veteranëve të partizanëve e partizaneve, nga Organizata e Veteranëve dhe e Dëshmorëve.
Br. XII S, luftëtarët e saj dhe midis tyre edhe Mato Mato shkëlqejnë në gjoksin e atdheut, ata janë nderi dhe krenaria e kombit. Të gjithë dëshmuan dhe treguan trimëri, si dhe mbetën simbole të trimërisë, sakrificave dhe heroizmit në shërbim të Atdheut e lirisë. Prandaj ne kemi detyrimin e respektin e nderimit të tyre, nderimin e gjakut të derdhur për atdhe. Në Br. XII S, luftëtari dhe komandanti i togës Mato Serjan Mato, bashkë me armën e preferuar të tij, mitralozin që se ndau nga dora, qëndruan heroikë në pozicionet e luftimit dhe e kryen me nder detyrën që ju kishte caktuar Atdheu, çlimimin e popullit nga pushtuesi i huaj.

Plagë të luftës që flasin... për reflektim

Pas çlirimit të vendit Mato Mato është vlerësuar nga Ministria e Mbrojtjes si “shënjues”, “luftëtar i dalluar” dhe medalje të tjera që tregojnë për trimërinë dhe heroizmin gjatë luftës partizane. Luftëtari i rreshtave të para partizane Mato Mato, ngeli invalid dhe u kthye në fshatin e tij të lindjes në Fushëbardhë, ku ndërroi jetë në moshën 27 vjeçare prej plagëve të marra në luftë. Ai u plagos tri herë, por plaga e marrë në Betejën e Tendës së Qypit, nuk ju mbyll kurrë. Plaga e Mato Matos flet përjetësisht, janë plagë të marra në beteja të luftës për liri e çlirim të Atdheut. Partizani Mato Mato tregoi aftësi për të ndihmuar shokët e plagosur, veti që ia jepte zemërmirësia dhe dashuria për shokët, por dhe aftësia për të mbajtur e transportuar shokët e plagosur si rrezultat i fuqisë trupore dhe fizikut të tij, trupmadh dhe i shëndetshëm.
Koha tani është për reflektim. Partizani që u shua nga plagët edhe pse e ka merituar prej dekadash titullin “Dëshmor i Atdheut”, procedurat ligjzbatuese ende nuk e kanë marrë në shqyrtim, njërin prej bijëve të Fushëbardhës, krahinës lavdiplote të Kardhiqit, si dhe krejt trevës së Labërisë, një luftëtarë që plumbi i armikut nuk ja mori jetën në mënyrë të menjëhershme, por gradualisht e bëri invalid dhe i mori jetën.
Është fakt se Mato Serjan Matos rezultonte luftëtar partizan në regjistrin e Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it të Gjirokastrës, me nr. rregj. 424, të pasqyruar nga kryetarja Vera Sako. Ai u shua nga plagët e luftës në moshë 27 vjeçare. Pas la gruan dhe një vajzë të vogël 3 vjeçare, si dhe prindërit. Në më shumë se shtatë dekada Mato Mato është nderuar si luftëtar i rreshtave partizane njësoj si dëshmorët nga strukturat në Tiranë e rreth, por ende nuk i është akorduar statusi i merituar “Dëshmor i Atdheut”. Në çdo 5 maj familja e tij nderohej e respektohej si gjithë dëshmorët e tjerë. Gjykojmë se është koha të jepet titulli i lartë i merituar dhe i shenjtëruar “Dëshmor i Atdheut”, titull që e ka merituar prej kohësh. Luftëtari partizan Mato Mato që luftoi, për atdhenë është dhe mbetet dëshmia e plagëve që rrjedhin ende gjak...




 

 




Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes