l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Më 17 tetor, forca të Brigadës goditën me top nga kodrat e Saukut Asamblenë Kuislinge dhe zhvilluan aksione të tjera edhe në qytetin e Tiranës

75 – vjetori, betejat e lavdishme të Brigadës së Tretë Sulmuese

Populli ynë gjatë gjithë historisë së tij, ka përkujtuar dhe festuar me madhështi ngjarjet historike, që tregojnë heroizmin dhe vitalitetin e kombit tonë. I tillë është edhe përkujtimi dhe kremtimi i përvjetorit të 75-të të Brigadës së III-të Sulmuese.
E krijuar më 9 Tetor të vitit 1943, në fshatin Arbanë të zonës luftarake të Pezës, kjo njësi relativisht e madhe për kohën, kishte në përbërje të saj partizanë të çetës së Pezës, të batalioneve “Dajti” e “Ishmi”, intelektualë, të rinj, që erdhën nga qyteti i Tiranës, të gjithë me përvojë dhe të kalitur në betejat e ashpra luftarake me okupatorin , i cili synim kryesor kishte likujdimin e forcave partizane në krahinën e Pezës dhe në zonat rrethore të Tiranës.
Udhëheqja e brigadës bëri organizimin e shpejtë të forcave dhe mjeteve luftarake, caktoi detyrat e njësive më të vogla, sqaroi situatën politike dhe luftarake, dhe menjëherë ra në ndeshje ballore me armikun në zonën e Pezës dhe në pikat më strategjike në periferi të Tiranës. Rruga luftarake e saj është e gjatë dhe aksionet e saj janë me të vërtetë herokike.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare i ngarkoi detyra të rëndësishme dhe shumë të vështira. Rrugën e saj, brigada e vazhdoi në zonën e Dajtit.


Forcat pushtuese, të alarmuara për aksionet dhe dëmtimet e mëdha që pësonin nga partizanët e Brigadës së III-të Sulmuese, organizuan dhe i bënë prita e rezistencë të madhe, sidomos gjatë kalimit për në Çermenikë e në të gjithë zonën e Elbasanit, ku i shkaktoi armikut humbje në njerëz dhe paisje lufte.
Në kushtet e një dimri shumë të egër, me kufizime shumë të mëdha në veshëmbathje, armatime e ushqime (që të gjitha këto i rrëmbeheshin armikut, por edhe nga populli ndihmohej e furnizohej) mundi t’i plotësojë me sukses detyrat shumë të vështira kundër një armiku shumë të madh në forca e mjete luftarake.
Një nga aksionet e suksesshme ka qenë mbajtja nën goditje dhe ndërprerja e herë pas herëshme e rrugës Elbasan-Tiranë, gjë që pengonte dhe bënte të dështonin veprimet e goditjet e armikut, që e kishte të domosdoshme lëvizjen në Jug e në veri të vendit. Vetë komandanti i batalionit gjerman, kapiteni Llokman, në kujtimet e tij thekson: “Luftimet e Arbanës kanë qenë më të ashprat që kam kaluar në Ballkan, që janë zhvilluar deri në përleshje ballore. U futëm në një kazan values nga i cili nuk dilnim dot, por falë perëndimit të diellit, errësira na shpëtoi nga asgjësimi”, se “nuk po luftonim me partizanë, por me një ushtri të përgaditur mirë”.


Më 17 tetor, njësi të Brigadës goditën me top nga kodrat e Saukut Asamblenë Kuislinge dhe zhvilluan aksione të tjera edhe në qytetin e Tiranës. Marshimi luftarak vazhdoi në zonën e Skraparit dhe Përmetit. Gjatë luftimeve që u zhvilluan në Sukën e Përmetit, të drejtuara nga “Heroi i Popullit” Myslim Keta, iu shkaktua armikut një humbje e madhe dhe u bë e mundur të shpëtohet jeta e 17 fshatarëve, që ishin të zënë robër e që do të pushkatoheshin.
Brigada mori detyrë që në përbërje të Divizionit të I-rë Sulmues, me luftime të marshonte në drejtim të Verilindjes, Tiranë-Martanesh-Peshkopi-Kukës-Has dhe për në Malësinë e Gjakovës, nëpër një terren shumë ët thyer e malor, duke kaluar Drinin e Zi e Drinin e Bardhë, në një dimër të ashpër. Në bashkëpunim me Brigadën e V-të Sulmuese, luftime të ashpra kemi zhvilluar në zonën e Peshkopisë e të Kukësit.
Me çlirimin e Tropojës në Tetor, luftime shumë të ashpra e të përgjakshme janë zhvilluar në zonën e Junikut në Kosovë, për çlirimin e Rrafshit të Dukagjinit, të qytetit të Gjakovës e të Pejës.
Detyrat luftarake vazhduan në drejtim të Malit të Zi e deri në Sanxhak të ish Jugosllavisë.
Heroizmi luftarak, trimëria deri në përleshje me armikun, dashuria deri në vdekje mes partizanëve ishin cilësitë e vyera të efektivit.


Në luftime dhanë jetën shumë partizanë e patrizane të kësaj brigade si “Heroina e Popullit” Ylbere Bylikbashi, komisari Birçe Sinomati, dëshmorët Kapo Ademi, Kozma Papa, Sali Ymeri, Ali Dervishi e shumë të tjerë. Në Dhjetor të vitit 1945, brigada kthehet në Atdhe duke plotësuar detyrat për çlirimin e Atdheut, gjithashtu edhe në ndihmë të popujve të ish-Jugosllavisë, udhëheqja e së cilës asnjëherë nuk i vlerësoi veprimet luftarake të brigadave e divizioneve tona partizane, pa ndihmën e të cilave do të vështirësohej çlirimi i jugosllavisë. Përkundrazi, udhëheqja e Beogradit, për gjysmë shekulli, shfrytëzoi dhe keqtrajtoi barabarisht popullin shqiptar të Kosovës, duke kaluar deri në genocid dhe asgjësimin fizik të tij.
Falë rezistencës kosovare, ndihmës politike, diplomatike e deri me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe mbështetjes së madhe të shtetit e të popullit Shqiptar, Kosova arriti pavarësinë e shumëkërkuar.





Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes