l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

“MBAHU PUKË, MBAHU NËNË, / SE KE DJEMË NË TIRANË ,/ QË TË GJENDEN GJITHMONE PRANË E VETËM NUK TË LANË !“

LUMËZIU MES DY EPOKASH HISTORIKE

 

Nga Xhemal MEÇI

QYTEZA ANTIKE DHE HEC-i MODERN E KANALI I RI UJITËS DHE URA ME UDHËN E MAKINËS PËRMES FSHATIT

“Nga vijmë dhe ku po shkojmë!?” Janë dy pyetje me të cilat është marrë mendja njerëzore gjatë shekujve. Janë thëniet e profesorit suedez të historisë, Karl Grimberg: “Është karakteristikë njerëzore kërkimi i një shkaku, por gjithçka ndodh në rastin konkret,” si në rastin e Lumëziut, ku ndodhet “Qafë - Gjitet” (Qafë -Qytezë ) në Lumëzi - ngulmon Dodë Nikollë Luli, - emër i pagëzuar në shekuj, por sikur tani më shumë se kurrë na jep alarmin: “Zgjohuni dhe pyetni:-Pse e si ka mbetur prej shekujsh ky emër historik i këtij vendi?” Kjo pyetje e mundon prej vitesh ndërgjegjën e Dodë Nikollë Lulit, të cilin nuk e le të qetë as atje në Tiranë,prandaj udhëton shpesh drejt Lumëziut, vendlindjes së tij. Sado që vepron kështu dhe ka arritur të botoi librin lapidar për vendlindjen dhe zonën e lidhur me te. ( DERA E PERNOCAJVE TË FANIT, Tiranë,2016, për të cilin do të ketë në të ardhmen një shkrim të zgjeruar) përsëri është ngulmues për më shumë hulumtime, studime e botime për vendlindjen.


Lumëziu është një fshat mes Mirditës dhe Pukës, pjesë përbërëse e njësisë administrative Rrape, Bashkia Pukë, që përbëhet prej disa lagjesh, si: Zmeç, Përbibaj, Marpjetraj, Terdhot etj. Lumëziu deri më 1967 ishte lagje e fshatit Breg me një rrugë këmbësore, që zbriste kah Qafë-Gjitet (Qytezë), e cila ngrihej mbi kodrinën me emrin Qafë - Gjitet dhe përbri saj, nga ana perëndimore mbas një shpati shkëmbor.
Më tërhiqte ky toponim historik, prandaj kam menduar disaherë të shkoja në atë vend, por i trembesha asaj udhe këmbësore përmes shpatit shkëmbor. Tani është ndryshe, se është bërë i mundur ndërtimi (hapja) e udhës së makinës, që, siç na tregon Dodë N. Luli: “ Ajo udhë del nën Qafë-Gjitet, poshtë saj mbi 1 km dhe si del mbi fshat, merr drejtimin e HEC-it në shrytëzim prej më se një viti. Për ndërtimin janë përdorë maqineri gjermane. turbina me peshë mbi 40 ton është montuar nga inxhinier e teknikë gjerman. ”


Lidhur me emrin e fshatit, del se e ka marrë nga vetë lumi “Lumëzi”; një lum i vogël, që e përshkon fshatin, i cili buron përmes pishave, që i japin vendit një pamje të errët, por ka banorë të tjerë, që mendojnë se këtë emër e ka marrë pasi shtrati i lumit është i errët, që mund të jetë nga lëmyshku apo ranorët e zinj që dalin bashkë me burimin prej malit të Munellës. Ky shtrat lumi është shumë i përshtatshëm për rritjen dhe zhvillimin e troftës, që ka qenë e pranishme me shumicë në këtë lumë, që përbënte pasuri peshku e peshkimi për fshatin (lagjen Lumëzi) të fshatit Breg. Lumëziu gjatë rrjedhës për në lumin Fani i Madh bashkohet: me lumin e Tuçit, lumin e Qafë-Barit e Lumëbardhit. Po ky bashkim tani bëhet në Vashënkoll ku është ngritë HECI I LUMËZIUT; vepër e Firmës MC – INERT e një biri Lumzias, që sado me banim në Tiranë, si shumë pukas, mendjen e shpirtin e kish te vendlindja,pasurit ujore të tij, Lumëziu- uji i pastër i atyre burimeve si vetë shpirti i vendasve të shumëvuajtur që ta kthente në DRITË E SHPRESË për rilindjen e Lumëziut, tani i shtrirë mes dy epokash: GJITET (Qytezë e lashtë antike) me udhën “PIRUST” të karvaneve, që lidhte bregdetin me trojet verilindore dardane, iliro-arbërore. Ky investim, që filloi me urën mbi Fan, udhën e makinës, digën e krijimin e liqenit për sigurimin e ujit për HEC-in dhe kanalin ujitës për fshatin, na kujton vargjet e Nolit:
“Mbahu NËNË (Shqipëri)! Mos ke frikë, /Se ke djemt n’ Amerikë!” Për analogji një studente entuziaste thuri vargjet: Mbahu Pukë, mbahu NËNË,/ Se ke djemë në TIRANË!/ Që gjithmon të gjinden pranë e krejt vetëm nuk të lanë.”sepse janë edhe të tjerë të tillë në Kryezi, si Muhamet Brahaj që po ndërton HEC-in e dytë, krahas xhamisë së lagjes Brahaj, Tonin Alia që ka ripërtr kullën e prindërve, duke e kthyer në vilë turistike. Po kështu kullën e Nuhi Elezit kolonel Bilbil Dervishi me vëllezërit e ka ripërtrirë e modernizuar. Gjithashtu Gani Elezi etj. Shembuj të tillë ka plot në fshatrat e viset e Pukës. Prandaj jo rastësisht u frymzuan vargjet e mësipërmë.


Tani le t’i drejtohemi Qafë-Gjitet (Qafë-Qytezë) e cila lidhej me një udhë karvanesh, e cila, nga ana perëndimore zbriste drejt Fanit të Madh, në fshatin Breg e vijonte në Lumshtyllë, Prozhëm, Qafë-Mëzi dhe zbriste përfund Livadh-Kabashit, (anës veriore të tij) dhe kalonte nëpër Pezhkve të Pukës, në afërsi të Qytezës “AD PIKARIA (ende e paeksploruar), dhe vijonte përfund Terbunit (ana jugperëndimore) dhe dilte në Lajthizë të Kashnjetit, Vrith-Vig (Kala - GJITET”) Kalorit e në Lezhë për në bregdet dhe anasjelltas. Duket se kjo udhë ishte një shkurtojë verore e Via Publika (UDHË PUKË) që shekuj më parë quhej UDHA PIRUST . Ndërsa nga verilindja, kjo udhë ngjitej në QAFË-GJITET, përshkonte Lumëziun e dilte kah Tuçi i Vogël-Lakroshi, Qafë-Palucë, Qafëmali-Kalaja e Leks (Flet) e vazhdonte në Udhën e Madhe tradicionale, Goskë, Vaspas e për Gjakovë. Por mund të dilte edhe në Qafë-Mollë (Lajthizë të Mgullës), Qafë-Shllak, Qafë-Likmetë, Mgullë, Shëmri, Urë Veziri, Kosovë, Dardani.


Edhe gjatë lidhjeve Lumëzi e Tuç i Vogël për në Lumëbardh, kalohej nga Qafë-Kliz (Klyz).
(Studiuesi Kolë Luka thotë se: “ Qytezat, Klyzët, Kloset..., janë forcoja që mbronin udhët e rëndësishme të karvaneve Bregdet-Dardani (Kosovë) e më tej. Krahas “Qafë-Kliz” (Klyz) për në Lumëbardh kemi edhe një tjetër “Qafë- Gjitet” që me sa dukej i shërbente po kësaj udhe që vinte prej Kodër-Spaç e në Halë-Koshaj, Mesul, Qafë-Lisi, Qafë-Bari-Lakroshi, Lakpalucë, Qafë-Mali etj. Këtej kalonte edhe Bajram Curri në vitet ’20 të shekullit XX,kur hynte në Mirditë për në Mat e Tiranë. Në Lumëzi gjente bujtje e bujari, qetësi e siguri.. Për lashtësinë dhe rëndësinë e Lumëziut me zonë flasin edhe disa gojëdhëna mjaft domethënëse, si:
1.Palne thesari, ku thuhej se ” Ati ka pasë pare të fshehme”; si te “Lisi i Pares “ në Delmace të Shënkollit, Qerret i Vogël, Pukë;


2. “ Tuç të Vogël thuhej se “Ati (aty) ka pasë pushue Shejti Shenkoll”, prandaj jo rastësisht, aty Tuçi ka vendosë varret e veta. Këto gojëdhëna tregojnë se udha ishte e herëshme fort, mundet që nga koha iliro-romake, prandaj këto qyteza duhen studiuar prej arkeologësh për të parë shkencërisht lashtësinë dhe rëndësinë e tyre dhe si vendbanime antike me fortesat përkatëse, që mund të jenë përdorë deri në Mesjetën Bizantine. Me pushtimin osman popullsia u tkurr në zona të thella, më të mbrojtura. Para më se dy shekujsh në kushtet e krahinave autonome malore, më së forti Mirdita, filloi ripopullimi i fshatrave të braktisura, si Lumëziut me banorë prej Domi etj.Shfrytëzimi i pyjeve dhe i minierave në vitet 1950 e vazhdim e përmirësoi disi jetesën e lumëziasve të varfër, por kushtet e tranzicionit demokratik u shoqëruan me papunësi të përgjithshme dhe për pasojë filloi braktisja e madhe në male, si dhe në vetë Lumëziun.
Ky fshat ka pasë e ka familje të mira e të përmendura për bujari, trimëri e karakter, dhe si njerëz të dalluar për fisnikërinë e tyre. Vlen të përmenden: Shtëpinë e Ndrekë Markalleshit, ku është strehuar Bajram Curri “- Bajrak i gjallë, Dragoi i Dragobisë,”. Po kështu, Marpjetrat, shtëpia e Ndue Nikë Lulit, shtëpia e Carës, me Zef Ndrecë Carën, shtëpia e Nikë Marka Lushit etj.


Banorët e këtij fshati gjithnjë kanë pasë komunikim të mirë në mes tyre me tradita njerëzore e dokesore fisnike. Kujtojmë këtu një prej këtyre simboleve fisnike: në se, sendet , si barra e druve etj.) i lë dikush në rrugë ose në shpat me një gur sipër, i zoti aty ku i linte, aty do t’ i gjente, sepse guri i lënë mbi të ishte një amanet i trashëguar që prej kulteve pagane ilire,si kulti i Gurit, një ligj i pashkruar dokesor, që funksionoi perfekt edhe në këtë fshat të Mirditës.
Ky fshat në Mesjetën e Herëshme kishte edhe kishën e vet, si pjesë e famullisë së Kalivares, e cila daton e vitit 1154. (Studiuesi Mark Mesuli, në botimin e tij “Sofra Pukjane”, Lezhë, 2017, faqen 41 citon se është gjetur pllaka pagëzuese prej guri me mbishkrimin: “Anno Domini 1154”), që e bën këtë kishë nga më të vjetrat objekte të besimit të krishtenë në zonë.
Një grup ekspertësh, topografë e gjeologë rusë, në vitin 1956 kanë përcaktuar se “Munella është molla mbi monedhat e floririt,” me një pasuri të rrallë nëntokësore e me pyje po aq pasuri e rrallë. Dikur,rreth viteve ’70 të shekullit të kaluar në Qafë-Bari ka qenë një pyll eksperimental, që mbrohej nga shteti, se ishte nga më të rrallët në Shqipëri.
“Gjurmët e këtij qytetërimi të lidhura me këtë fshat, e të shprehura me këtë emër: “Qafë - Gjitet” (Qafë- Qytets) erdhën nga brezi në brez deri në ditët tona. Ja, tani pas pesëdhjetë vitesh,- shprehet inxh. pensionist , Ahmet Banushi,- fati më çon dhe takoj Dodë Nikollë Lulin, fëmijën e atëhershëm tashmë të rritur e të burrëruar, me horizont e kulturë të gjerë, publicist i shquar i zonës.”- Ndërsa lotët i binin faqeve, tregon Doda, - çmallej duke më pyetur për gjithçka të atij fshati e zonës përreth.”. “Në vitet 1960-’65 isha një inxhinier i ri,- vijonte inxhinieri tani pensionist, i rigjallëruar,-“ Isha inxhinier i ri dhe përgatisja hartat e rilevimit. pasdarke ishte traditë që burrat të mblidheshin rreth oxhakut dhe këndonin këngë me çifteli për Skënderbeun , Dedë Gjolulin e Ndoc Mardedën. dhe ndërsa dëgjoja këto këngë në mendje më shkonin shënimet e Stavri Frashërit të hedhura në librin: Përmes Mirditës në Dimër. botim 1922, ribotim 2002. Një natë prej netësh nga kureshtja e pyeta Ndue Nikë Lulin:Pse ai vend i këtij fshati quhet “Qafë - Gjitet”!? Ai mori në prehër nipin e vogël, Dodën dhe me vështrimin e një malësori të meçëm, m’u përgjegj: Dëgjo , mor bir , ajo asht nji nga Gjitezat e shumta që ka pasë Mirdita. dhe më tej iu drejtua të nipit me fjalët : “Thuej mësuesit në shkollë të bajë diçka dhe të mos humbasi historia e këtij vendi të lashtë!”


E veçantë dhe e pashlyeshme ka mbetur kjo kullë për mua teksa dilja në mëngjes prej saj me Nikollë Nikë Lulin dhe ktheheshim në darkë për muaj e muaj të tërë nga prilli deri në tetor, kur linim punimet sezonale. Më ka mbetur në kujtesë: zgjuarsia, çiltërsia, bujaria, harmonia dhe ngrohtësia, që gjeta si të isha pranë të afërmve të mi.”
“Doda flet me shumë dashuri e krenari për vendlindjen që tashmë ka ndryshuar e është zbukuruar me rrugë, ura, shtëpi, ujësjellës të rinj, madje duke më befasuar edhe me ndërtimin e një hidrocentrali modern, duke gjallëruar, zhvilluar e duke i dhënë një qytetërim të ri kësaj qyteze të lashtë. Më tej ai, me pasion e krenari, më thotë:“Tek sa ndjek e studioj veprat e studiuesve Xhemal Meçi (Mjeshtër i Madh), Mark Mesuli, Kol Dedaj, Idriz Ahmetaj, Ton Zmali, Ndue Dedaj, Ndoc Selimi etj. nuk mund të rri pa shprehur ndjenjën time për këto dy treva Pukë-Mirditë, të cilat janë si dy vëllezër “siamezë” në piedestalin me vlera njerëzore shekullore të kombit shqiptar”. ( Dodë N. Luli,-Intervistë e datës 27.09.2018 me inxhinierin pensionist Ahmet Banushi)i cili tani shet libra udhëve të Tiranës, më shumë nga dashuria për librin e për të ndihmuar lexuesit, se sa për atë pak fitim, që siguron.


Dodës i bën përshtypje edhe qyteza në jug të varrezave të hadrojve, Rrypë, Rrape për të cilën thotë se “është me interes arkeologjik e historik që të përmendet edhe kjo qytezë, siç ka vepruar studiuesi Xh . Meçi në vitet 1980, kur ende ruante fragmente të shkëputura muresh dhe mjaft skorie, kurse në afërsi, kah perëndimi, kishte gurë bakri në sipërfaqe, e cila ishte përballë Qafë-Gjitet të Lumëziut. Qyteza në Hadroj qëndronte thikë mbi udhën që kalonte bregut të Fanit Madh, Arës- Gojan, që siç dukej ishte edhe si fortesë nyjë në një udhë (shkurtojë që vinte kah Rrypa, Rrape, Shkallë-Bushtre, Ad Pikaria etj. (Xh. Meçi-Kabashi, “Puka që në lashtësi-2”, Tiranë,2008, fq.327).
Të moshuarit e Lumëziut, duke parë këto transformime të fshatit të tyre bisedojnë si me habi me njëri-tjetrin: “ Bre- bre-bre!, mor burrë,(Djemtë, jetimat) mecat e Nikollë Nikë Lulit, nipat e Ndue Nikë Lulit me u ba kaq të zot e kaq punëtor, ene per katunin e tine,biles! Po ene libra paskan shkrue, mor burrë! Bre-bre- bre! ene kush! mecat( bijtë) e Nikollë Nik Lulit! I pastë shperti dritë Nikolls e Ndojt atje në vorr, ku janë, mor shoq! Aferim u qoftë, hej burrë! Bre-bre-bre! mecat e Nikollë Nik Lulit, hej mos u humbtë puna e ndera kurrë! Jau shtoftë Zoti i Madh vrullin, dijen, jeten e të pasmen, mor shoq! Zoti jau dhasht të mbaren! PO-po-po, ashtu qoftë, mor shoq! Bre-bre- bre! jetimat e Nikollë Nik Lulit! Kësaj i thonë me rrit meca t’hallallit! Aferim, aferim u qoftë!” Ndërsa një këngëtar mbi një bregore po përcillte me çiftli vargjet e rinj sapo kishte mësuar: “ Mbahu Pukë, mbahu NANË/ Se ke djemë në TIRANË!/ Që të gjinden Gjithmonë Pranë!,/ E vetëm nuk të lanë.”

*Studiues, “Mjeshtër i Madh”



Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes