l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Më shumë mbështetje për muzetë nga Ministria e Kulturës, Bashkitë dhe bisnesi privat

NË MUZEUN HISTORIK DHE ETNOGRAFIK TË DIBRËS

 

Sakip CAMI

Historia mbetet histori. Tradita mbetet traditë. Kjo mund të thuhet për popujt e mëdhenj dhe të vegjël, për krahinat e vendit tonë deri për individë me emër.
Dibra ka patur histori dhe traditë, por ka patur dhe ka edhe muze historik dhe etnografik. Muzeu historik i Dibrës ka ardhur nga koha në kohë duke u pasuruar dhe jo duke u varfëruar. Kjo, edhe për meritë të drejtorëve të tij ndër vite që nga krijimi e deri më sot. Historianët Hilmi Sadikaj, Hysen Lala, Gafur Zoto e bënë pjesë të jetës së tyre punën në muze dhe pasurimin e tij. Sot punonjës të tjerë të devotshëm e vazhdojnë punën e tyre. Vizitova këto ditë Muzeun Historik dhe Etnografik të Dibrës në qytetin e Peshkopisë. Në fillim mendova se do të ishte shkatërruar si në shumë vende të tjera, ose të paktën do të shihja një gjë të stisur si muze. Por përkundrazi. Muzeu ishte vendosur në ndërtesën e ish Shtëpisë së Kulturës “Haki Stërmilli” , një ndërtesë dykatëshe, ndonëse e vjetër, por e mirëmbajtur.


Na priti përgjegjësja e këtij institucioni Morena Ruçi, e cila na shoqëroi dhe na shpjegoi të gjitha pavionet e muzeut që nga pavioni i arkeologjisë që mbahej nën kujdesin e arkeologut Prof. Dr. Adem Bunguri dhe që ishte pasuruar me gjetje të reja ku binte në sy një poçe e madhe me diametër mbi dy metra, e cila tregon se në Dibër është përgatitur vera dhe është kultivuar rrushi qysh në kohët e prehistorisë së Dibrës. Një punë të lavdërueshme ka bërë edhe historiani Mois Murra, i cili vetëm para një viti botoi historinë e Dibrës që nga antikiteti deri në monarki. Ai u nda para kophe , por la një sërë librash dhe studimesh me karakter historik. Moisiu vinte shpesh në muze, tregon Morena dhe sillte dokumente e fakte të reja.
Po kështu edhe historiani tjetër dibran Iljas Kaca e ka lidhur jetën me këtë muze dhe me historinë e Dibrës. Për çdo gjë, thotë Morena ne pyesim profesor Iljazin. Edhe Iljazi ka botuar një sërë studimesh historike. Studimet e tij e kanë kaluar kufirin e Dibrës. Ata kanë karakter mbarëkombëtar.
Ajo që të bie në sy, tani në vitin e Skënderbeut, se përveç muzeumeve lokale për Skënderbeun në vendlindjen e të atit të tij në Çidhën e Kastriot është pasuruar edhe muzeu i qarkut me dokumente e fakte tye reja si vula dhe stema e Skënderbeut, harta e betejave të tij etj.


Një vend të rëndësishëm në muze zë periudha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe e Lidhjes së Dibrës, figura e Iljaz Pashë Dibrës (Qokut) dhe më pas periudha e pavarësisë, delegatët e saj Dom Nikollë Kaçorii, nënkryetari i Qeverisë Ismail Qemalit, Vehbi Dibra kryetar i Pleqësisë (Parlamentit) të Shqipërisë dhe Hafiz Sherif Langu që arriti në ditën e dytë të pavarësisë, ai që hapi dhjetra shkolla shqipe në Shqipëri dhe në viset shqiptare në Maqedoni.
Dibra është e njohur për Qeverinë e Arrasit, fshati dibran që strehoi qeverinë e viteve -20, për luftërat kundër serbëve sepse dibranët nuk e njoftën kurrë kufirin e vitit 1913, sepse ka vetëm një Dibër, Dibra e bashkuar. Dibranët luftuan dhe derdhën gjakun lumë me Elez Isufin në krye.
Ajo që të bën përshtypje është edhe fakti që muzeu pas viteve -90 ka pësuar ndryshime edhe në përmbajtje. Pavioni i Luftës antifashiste nacional çlirimtare përmban edhe çetat nacionaliste të viteve 1940 – 1943, edhe çetat partizane, edhe betejat dhe dëshmorët që luftuan në Dibër të Madhe. Kjo është një risi që ka ardhur natyrshëm dhe në kohën e duhur nga historianët dibranë.


Një pavion të rëndësishëm zë edhe lufta për dije dhe dituri , lufta për shkollën shqipe, veprimtaria e Klubit “Bashkimi” të Dibrës së Madhe, veprimtaria e Josif Bagerit, Seit Najdenit, Haki Stërmilit, Haki Sharofit etj.
Vizituam edhe muzeun etnografik. Të bie menjëherë në sy sofra dibrane, ajo sofër e rrumbullakër, sofër bujare ku kanë ngrënë bukë të ngrohtë çerepi dhe gjizë dibre dibranët dhe miqtë e tyre ndër mote.
Të bien në sy enët e bakrit, mangallët e mëdhenj që mbusheshin me prush dhe mbanin ngrohtë odën e burrave në çdo qoshe të saj, atë odë që ka çuar në kuvende e në luftëra trimat dibranë.
Veshjet popullore përbënin një pjesë të rëndësishme të këtij muzeu. Por mua, si dibran dhe si njohës i këtij thesari të popullit dibran më ra në sy mungesa e të gjitha veshjeve të zonave të Dibrës, si të Gollobordës, të Zerqanit, të Zall Dardhës, etj , veshjet e burrave dhe të grave. Ato mungojnë. Ka vetëm një model sa për ta parë. E pyes Morenën: Përse nuk janë të gjitha veshjet popullore të të gjitha trevae të Dibrës ? Morena më thotë si e zënë në faj:” Nuk kemi fonde për t’i blerë. Janë të shtrenjta. Prodhohen vetëm në mënyrë artizanale. Kanë filluar t’i blejnë dhe t’i mbajnë shqiptarët jashtë Shqipërisë. Një sensiblizim më i madh mund të aktivizojë edhe bisnesmenët , edhe institucionet e vendit, edhe OJF, OJQ etj.
Kohët e fundit, falë bisnesit privat, pronarëve të lokaleve të dasmave në Dibër është futur një risi. Në çdo dasëm kërcehen valle popullore me kostume popullore , me valltarë të moshës nga 05 vjeç deri në 75 vjeç. Kostumet popullore janë blerë nga këta pronarë lokalesh , që krahas fitimit të tryre përhapin kulturën popullore dibrane. Është një kënaqësi e jashtëzakonshme kur shikon këta fëmijë të vegjël, që së bashku me prindërit dhe gjyshërit çojnë më tej traditën popullore. Tradita vazhdon…



 



Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes