l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Dy libra – testament për brezat ku përshkruhen më së miri vendlindja, historia e lavdishme, personazhe e personalitete që kanë bërë historinë e traditat më të mira

Shuaip Methasani, veterani që rrezaton mirësi dhe vlera

 

Halil RAMA

Pothuajse në të gjitha veprimtaritë promovuese të OBVL të dhjetë viteve të fundit, si edhe në Kuvendin Zgjedhor të majit të vitit të kaluar ka spikatur me prezencën dhe performancën e tij edhe veterani Shuaip Methasani. Intelektuali që mishëron virtytet më të mira njerëzore: zgjuarsinë, mençurinë, fisnikërinë, dashurinë njerëzore, sinqeritetin, drejtësinë, solidaritetin, moralin e lartë dhe shpirtin human si fondamente kyçe të shoqërisë sonë. Dhe të gjitha këto virtyte ai i përçon më së miri edhe në dy librat e tij: “Sohodolli i Dibrës” dhe “Kujtime në vite”. Dy libra – testament për brezat ku përshkruhen më së miri vendlindja e tij, Sohodolli, historia e lavdishme, personazhe e personalitete që kanë bërë historinë, traditat më të mira të këtij fshati e të krejt Dibrës. Janë padyshim dhurata më e çmuar për njerëzit e familjes, farefisin, të afërmit, shokët e miqtë e tij të shumtë në gjithë Shqipërinë dhe hapësirën mbarëshqiptare në botë. Njeriu i mirë dhe i veprave të mira Shuaip Methasani gjatë gjithë jetës së tij ka rrezatuar dhe përçuar mirësi, por dhe vlera në dobi të shoqërisë.

Tavolina e dibranëve

Tek libri “Kujtime në vite”, një mestitull interesant (faqe 62) është “Tavolina e dibranëve”. Intelektuali që ka shërbyer me devotshmëri e përkushtim qytetar për afro dy dekada, pothujase në të gjitha krahinat e fshatrat e Dibrës, edhe këtu në metropolin shqiptar, ku është vendosur familjarisht prej shumë vitesh, punon pa rreshtur për të lartësuar emrin dhe dinjitetin e dibranëve. Nëse në Tiranë njihen nga shumëkush “Rruga e Dibrës”, “Lagja e dibranëve”, (e krijuar e shumëfishuar përgjatë një shekulli që nga eksodi i tyre i 1913, e sidomos pas viteve ‘90), apo dhe Xhamia “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës (e ndërtuar me kontributin financiar të filozofit popullor të mirënjohur si një nga këshilltarët më të afërt të Mbretit Zog I), “Tavolina e dibranëve” në një lokal kafeneje në qendër të Kombinatit, është një tjetër vlerë e shtuar e këtij komuniteti, e ideuar dhe promovuar më së miri nga intelektuali i mirënjohur Shuaip Methasani. Është kjo, tavolina ku ai nuk mungon thuajse asnjë ditë për t’u takuar e kuvenduar me miqtë e tij, jo vetëm dibranë, por edhe tepelenas, vlonjatë, shkodranë, nga Tirana dhe nga e gjithë Shqipëria. “Duke përdorur edhe alegorinë dibrane në muhabete e sipër e me kundërshtime ndaj njëri-tjetrit, ato të tavolinave tjera dhe njerëzit e shërbimit në lokal çuditen me ne. Një ditë i kishin thënë asaj kamarieres 2-3 veta nga Jugu e Tirana: More, po ata dibranët që u zunë dje në muhabate, a prapë qenkan bashkë?! Nuk u merret vesh dibranëve, kur flasin përdorin shumë thumba….”. Dhe në të vërtetë vetë Shuaipi është përçuesi më i mirë i alegorisë dibrane, të përvetësuar në odat e kuvendet e Dibrës, por edhe nga kryevepra e Hazis Ndreut “Alegoria dibrane” si dhe nga “Kanuni” i shkrimtarit të shquar dibran Xhafer Martini. Libri ka qenë miku dhe bashkëudhëtari më i mirë i Shuaipit në tetë dekadat e jetës së tij, ndaj mos u çudisni nëse nga një vizitë rastësorë në shtëpinë “Methasani” në një lagje të Kombinatit në Tiranë, do të gjeni një bibliotekë aq të pasur, konkurente në tituj e rubrika me ato të institucioneve. Ndërsa në bibliotekat tona, dy librat e tij duhet të zënë vend nderi, pasi ua kushton prindërve (babait Sulejman dhe nënës Fie), motrave Hike e Servete që e kanë mbajtur në krah kur ishte i vogël, bashkëshortes Farie - një zonjë e nderuar e fisnike, fëmijëve të mrekullueshëm: Defrimit (moderator i shkëlqyer i dhjetra veprimtarive promovuese e argëtuese dhe ndër më të mirët e gazetarisë sportive në rang kombëtar), Artanit, Natashës, Nderimes e Lilianës që e kanë nderuar si me shkollimin dhe me punët ku kanë punuar e punojnë, dy nuseve të djemve, Lume e Naze, nipave e mbesave që e lumturojnë pafund, miqve dhe shokëve të tij të mrekullueshëm...Një përkushtim brilant për ata që përbëjnë embrionin e familjes nga buron atdhedashuria e tij e flaktë. Dhe në çdo faqe të tyre gjejmë aspekte nga historia e lavdishme e popullit tonë, por dhe ngjarje e detaje jetësore befasuese.
Jeta dhe veprimtaria e një intelektuali shumëdimensional

Ka qenë fare i vogël, 6-7 vjeç, por e ka të ngulitur në kujtesë pushtimin fashist të vendit më 1939 dhe reagimin e tij prej fëmije të inatosur nga ky pushtim i egër. “Ishte prill 1939. E mbaj mend mirë kur erdhën italianët me makina e mushka të mëdha me artileri; kaluan lagjen tonë dhe dolën në vreshtat nën varre të Skëndere, vendosën çadrat e ushtrisë...ndërsa ne afroheshim ashtu si fëmijët që duan të shikojnë çdo gjë...” . Më tej kujton thirrjen e tyre italisht atëhere: “ej pikoli, vjeni kua, vjeni kua...” ndërsa vetë Shuaipi e shokët e tij të fëmijërisë, Imeri, Pajaziti, Zaimi, Cena, Hakiu etj, u afroheshin italianëve, e ata nxirrnin mallin e njerëzve të tyre që kishin në familjet e veta….
Në vitin 1944 vijon mësimet në shkollën fillore te xhamia, me mësues Halil Shehun nga Vlesha e të tjerë që erdhën më vonë nga Vlora, Elbasani e Shkodra...Nxënësi i zellshëm Sh.Methasani më pas do të ngjiste shkallët e dijes e formimit arsimor e kulturor në të gjitha nivelet: 7-vjeçare, pedagogjike e deri të lartën. Që nga 1944 e deri në mbarimin e shkollës së lartë ka kaluar me shumë shokë e shoqe, në klasa paralele e auditore të ndryshme. “Kështu, e fillova me Osman Hysen Pajazitin, Xhemën, Alushin, Cenën, Ismetin e Selimin dhe e mbarova me Nikollë Brozin nga Mirdita, Omer Hashorvën nga Gjirokastra, me Mentor Muçën, Rustem Devën, Vera Haxhiun, Liljana Mitin, Shpresa Barbullushin, Nikoll Kolën, Izet Durmishin, Hajdar Kastratin, Rustem Lleshin, Servet Pëlumbin, etj”, shkruan Shuaipi në librin e tij “Kujtime në vite” (faqe 53). Janë vërtetë kujtime mallëngjyese por edhe mbresëlënëse jo vetëm për autorin, por edhe për lexuesin. Të përshkruara mjeshtërisht si mbresa e kujtime nga jeta e puna e tij në zonën e Shupenzës e Gjoricës (1968-1971), në Zogje të Dibrës (1982-1984), në Kalanë e Dodës – ballkonin natyror të Dibrës e gjithë Shqipërisë ku punoi e jetoi për 12 vjet (1971-1982), në zonën e Çidhnës (1984-1989), në Sllovë, etj, formojnë profilin e këtij intelektuli që kudo shërbeu me devotshmëri e përkushtim qytetar.


Vetëm një intelektual i mirëfilltë si Sh.Methasani, duke e konsideruar mirënjohjen si shprehjen më të bukur të karakterit të njeriut, në moshën e tretë merr penën dhe shkruan me realizëm e objektivitet për shokët e miqtë e tij të shumtë. Kështu ai në dy faqe të librit të tij me kujtime (12-13) rendit emrat e qindra intelektualëve dibranë me të cilët ka patur fatin të punojë. Dhe po me atë dashuri të pakufishme shkruan për “Dibrën e margaritarëve”, Dibrën e 9 maleve, teqeve dhe oxhaqeve të përmendura….Ndërkohë si kontribut real në gjeopolitikë ai jep përkufizime të qarta për “Dibrën e shtrirë në një hapësirë pa fund, si një vilajet i stërmadh, që nis nga Mati në njërën anë e nga Luma në tjetrën dhe duke pasur përbri e afër këtej Kukësin, Mirditën e Librazhdin, e matanë, Strugën e Ohrin dhe pas më larg Kërçovën, Tetovën etj, me një reliev të thyer, plot me male, kodra, ultësira, fusha e lugina...Ai përshkruan bukur e thjeshtë: Dibrën e Korabit gjigand e legjendar dhe disa male të tjera që i qëndrojnë krahinës si një kurorë e bukur mbi kokë, duke ia shtuar edhe më shumë madhështinë e krenarinë; Dibrën e Drinit të Zi që gjarpëron mijëra metra tejembanë Veriut dhe pasi bashkohet me Drinin e Bardhë arrin në Shkodër tok me Bunën e derdhen në Adriatik; Dibrën e shtatë liqejve margaritarë e piktoreskë të Lurës; Dibrën e shumë pasurive të mëdha natyrore, kromit, gipsit, sulfurit e llixhave ku kurohen me mijëra njerëz; Dibrën e traditave në bujqësi e blegtori, të frutikukturës, sixhadeve e qylymave të Kalasë së Dodës; Dibrën e sofrës, pushkës e penës, urtësisë dhe mençurisë; Dibrën e arsimit, kulturës, sportit, besës e flamurit; të fiseve e familjeve të mëdha e emrave që kanë shkruar e bërë histori, si: Gjergj Kastrioti, Iljaz Pasha, Elez Isufi, Nikollë Kaçorri, Vehbi Dibra(Agolli), Dine Hoxha etj; Dibrën e shumë heronjve, mësuesve e pedagogëve, inxhinierëve, mjekëve e mjeshtrave të artit, kulturës dhe sportit, si: Haki Stërmilli, Haki Sharofi, Suljeman Pitarka, Drita e Esma Agolli, Muharrem Xhediku, Hazis Ndreu, Shaban Sinani, Agron Tufa, Bujar Kapexhiu, Gëzim Erëbara, Femi e Tasim Oshafi, Avni Resuli, Zenulla Hatibi, Xhemil Simixhiu, Agim Krajka, Hiqmet e Nexhat Agolli, Adivie e Yllka Sharofi, Edip e Engjëll Tërshana, Sadik Botku, Liri Rasha, Arif Vladi, Arben Spahiu etj….Po ashtu e gjejmë Shuaipin përkrah te birit gazetar e moderator, Defrimit, tek promovon të mëdhenjtë e sportit, kampionët botëror Erzen Rrustemi, Ismail, Gjetan e Ferit Keta, Bari Mehmeti (Meçollari) apo dhe artistin shqiptaro-amerikan me famë botërore Xhevat Limani. Dhe si gjerdan në kurorën e lavdisë dibrane, ai nuk nguron të rendisë edhe miset shqiptare me origjinë dibrane Denisa Kola, Ilda Reka e Migena Ramadani.
Vetëm një studjues tejet i vëmendshëm e skurpuloz si Shuaip Mehtasani mundet të evidentojë kaq shumë emra të spikatur dibranësh në fusha të ndryshme, siç evidenton “odën e burrave”, “traditën e fisit”, objektet dalluese të vendlindjes së tij, “sohodollasit e Tiranës” apo “Familjet nga Sohodolli me banim në Tiranë”. Parë në tërësinë e individualitetit të tij krijues, Shuaip Methasani është një enciklopedi e gjallë për Dibrën e dibranët.





Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes