l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Ushtria e Kosovës ose FSK-ja në të ardhmen do të ketë 5.000 ushtarë aktivë dhe 3.000 rezerve dhe një buxhet prej 98 milionë euro

KOSOVA ME USHTRI PËR PAQE, SOVRANITET DHE DINJITET

Nga Bashkim Hisari

Të gjitha shtetet, madje edhe ato neutrale, kanë forcat e tyre të armatosura. Numri më i madh i tyre kanë ushtri të fortë që vazhdimisht furnizohet me paisje luftarake dhe me armë të reja. Kosova deri më tash këtë mundësi nuk kishte edhe pse qysh para fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, Ushtria çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe qytetarët e Kosovës synonin dhe shpresonin për ta arritur qëllimin e lartë-formimin e ushtrisë që do të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve, të shërbejë në gjithë territorin e Kosovës dhe të jetë garantuese e paqës dhe stabilitetit në rajon me synime për të qenë pjesë se NATO-së. Realizimi i këtyre aspiratave kushtëzohej nga rrjedhat ndërkombëtare gjeopolitike sidomos nga pushteti Serb i cili në vijim manipulon me serbët e Kosovës dhe me një politikë agresive në shumë binare, me mbështetjen e Rusisë, e të disa shtetev tjera, për të penguar shtetin e ri të Kosovës të mos realizoj dëshirat dhe të drejtat themelore.
Megjitëatë me 14 dhjetor Kosova bëri histori duke e transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK-në) në Ushtri të vendit. Pavarësisht kundërshtimit të Serbisë, shqetësimeve të NATO-s dhe BE-së, por me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara ta Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës…Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e 107 deputetëve (deputetët e Listës Serbe, bojkotuan seancën e Kuvendit) në Kuvend prej 120 vendesh u miratua përfundimisht Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, Ligji për Forcat e Sigurisë së Kosovës si dhe Ligji për shërbim në Forcat e Sigurisë së Kosovës. Me këto ligje parashihet që FSK-a të zhvillohen si një forcë profesionale me kompetenca dhe detyra të reja, organizim dhe funksionim të ri dhe kalimin e Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes.
Ushtria e Kosovës ose FSK-ja në të ardhmen do të ketë 5.000 ushtarë aktivë dhe 3.000 rezerve dhe një buxhet prej 98 milionë euro. Në kuadër të programeve dhe bashkëpunimeve të ndryshme shumë pjesëtarë të FSK-së u dërguan për trajnime jashtë vendit dhe u aftësuan për misionin e tyre. Ndihmë të madhe në këtë drejtim ofruan SHBA dhe Turqia. Aktualisht, FSK-ja ka 2.500 ushtarë aktivë dhe 800 rezervë. Ajo do jetë në shërbim të gjithë qytetarrëve dhe do të shërbejë në gjithë territorinë e Republikës së Kosovës, pra do të ketë mandate të funksionojë edhe në veri të vendit. Disa ditë më parë nga Amerika në Kosovë, kanë arritur 24 automjete ushtarake “Humvee”. Këto automjete i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 7 milionë euro. Forcat e Kosovës do të kenë edhe 27 automjete të tjera “Humvee”, të cilat janë donacion nga Ushtria Amerikane.


Para miratimit të Ligjeve që Kosova të bëhet me ushtri, Presidentit i Sërbis Aleksandër Vuçiç, bëri presion dhe përdori taktika të friksimit ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së dhe tha se FSK do të rrezikoj stabilitetin dhe paqën rajonale, kurse kryeministrja Serbe Ana Brnabiç paralajmëroi se ajo mund të urdhëroi një ndërhyrje të armatosur. Pala serbe me ndihmën e Rusisë kërkuan mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit (KS) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Në mbledhjen e KS OKB-së më 17 dhjetor 2018 shumica e përfaqësuesëve të shteteve antare, theksuan se transformimi gradual i FSK-ës në forcë të sigurisë nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS OKB-së dhe se është e drejtë sovrane e Kosovë të miratojë legjislacionin për formimin e ushtrisë. Ata bënë thirrje që transformimi të bëhet në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse dhe në koordinim të plotë me NATO-në e KFOR-in dhe midis Prishtinës e Beogradit të zhvillohet dialogu në interes të dy shteteve. Më parë 8 antare aktuale të KS të OKB-së, Britania e Madhe, Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Polonia dhe Suedia nënshkruan një dekleratë të përbashkët ku thuhet se është e drejtë e Kosovës që të krijojë ushtrinë e saj.
Transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës, ka një histori të gjatë që kaloi nëpër një proces jashtëzakonisht të gjatë. Më 10 qershor 1999 u lëshua urdhri për ndalimin e bombardimeve dhe KS i OKB-së, miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë u vendos misioni i përkohshëm i OKB-së, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. Ardhja e forcave ndërkombëtare shënoi një kthesë vendimtare për fatet e popullit të Kosovës. Ishte kjo një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e Kosovës dhe një nga ditët më domethënse dhe me kuptimplot për lirinë dhe për pavarësinë e saj. Mirëpo, pas Marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë u çarmatua UÇK-ja dhe u shëndërrua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK).


Në fillim të vitit 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij, Prishtinës dhe Beogradit, “Standardet për Kosovën”, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TMK-së, dhe krijimi i një force të re profesionale dhe shumë-etnike për sigurinë e Kosovës (FSK), e cila do të jetë e armatosur lehtë dhe do të jetë e aftë të mbulojë nevoja të caktuara të sigurisë.
Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë, që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara, në korrik 2010 publikoi vendimin se shpallja e pavarsisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare as rezolutën 1244 dhe kornizën kushtetuese të UNMIK, mirëpo Kosova prap nuk bëhet me ushtri.
Në janar 2009 u krijua Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila fillimisht kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, por nuk ishte ushtri. Pesë vite më vonë Qeveria e Kosovës merr vendim që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovë (FSK), si ushtri të Kosovës. Mirëpo, vendimi nuk arriti të finalizohej asnjëherë. Sipas Kushtetutës së Kosovës për t’u votuar FSK-ja në Forcë të Armatosur duhen votat e dy të tretave të deputetëve të komunitetit serb.
Kështu, 20 vite pas çlirimit të vendit dhe 10 vite shtet i pavarur Kosova nuk ka pasur Forcë të Armatosur, edhe pse si shtet atë e kishin njohur më shumë se 100 shtete.
Prishtina thekson shifrën prej 116 shtete kurse Beogradi thonë janë më pak se 100 shtete që e njohin pavarësinë. Në mesin e shteteve të Bashkim Evropian që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës janë: Shpanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qiproja. Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 Kosova u bë antare e disa organizatave ndërkombëtare si Fondi Ndërkombëtar Monetar, Banka Botërore, CEFTA, FIFA, por jo edhe antare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk kishte Ushtrinë e saj.


Përpjekjet për shtet të konsoliduar dhe sovran të Kosovës u kurorizuan më 14 dhjetor me miratimin e legjislacionit për formimin e ushtrisë së Kosovës. Tani po formohet ushtria më e re e popullit më të vjetër në Evropë, themelet e së cilës janë të vendosura në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimta dhe në luftën e lavdishme të UÇK-së. Ajo do jetë ushtri moderne, që nuk do të lejoj cënimin e sovranitetit dhe integritetit të vendit, garantuese e paqës dhe stabilitetit në aspektin e sigurisë brenda Republikës së Kosovës dhe në rajon me synimin për të qenë pjesë e NATO-së dhe t’i kontribuoj qëllimeve madhore të kësaj aleance kudo në botë. Evolumi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës është hap pozitiv dhe më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran dhe i pavarur që të ketë aftësi vetëmbrojtëse. Andaj, Forcat e Armatosura të Kosovës tani duhet të fillojnë me punë praktike, transformimin, forcimin dhe të tregohen të aftë se do përmbushin detyrat e tyre në mënyrë të pavarur dhe me suksese.




Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes