l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PJETËR BUDI, shkrimtar i mirënjohur i letërsisë së vjetër shqiptare, klerik i lartë katolik, veprimtar i shquar i Lëvizjes Çlirimtare kundër pushtuesve osmanë

Injac Zamputi mbi të vërtetën e mbytjes tragjike të PJETËR BUDIT

Nga Xhemal MEÇI*

PJETËR BUDI, Gur i Bardhë, Mat, 1566 -25 dhjetor 1622), qe shkrimtar i mirënjohur i letërsisë së vjetër shqiptare, klerik i lartë katolik, veprimtar i shquar i Lëvizjes Çlirimtare kundër pushtuesve osmanë. P. Budi shërbeu disa vjet meshtar në Kosovë e Maqedoni. Më pas u caktua vikar i përgjishëm i kishës katolike në viset ku kishte shërbyer. Më 1516 shkon në Romë për botimin e librave të tia dhe organizimin e kryengritjes antiosmane.Më 1618 në Romë botohet Dokrina e Krishtenë në afro 3000 faqe ( ribotuar më 1636,1664,1868). Më 1621 boton në Romë -Pasqyra e të Rrëfyemit. Doktrina e Krishtenë dhe Pasqyra e të Rrëfyemit nuk janë thjeshtë përkthime, por përshtatje e me shtojca me vjersha e mesazhe, porosi e këshilla të shumta drejuar katolikëve shqiptarë, ku ankohet edhe për mungesën e shkollave ( Fjalori E. SH. , Tiranë, 2000, f.316-317),
Gjatë shekullit tonë veprat e Budit u bënë një burim i mirë për njohjen e gjuhës shqipe, të historisë së vendit tonë dhe të etnografisë shqiptare. (Prof Dr. J. Kastrati, -Historia e Albanologjisë, Tiranë,2000,f.77-78).
(INJAC ZAMPUTI 1910 – 1998) , PËRKTHYES DHE HISTORIAN I SHQUAR I MESJETËS. (F. E. SH.Tiranë,2000, f. 2975.) I ndjeri Injac ZAMPUTI ishte burrë fisnik, modest dhe dashamirës, me të cilin jam takuar disaherë për përkthime dhe daktilografime për nevojat e Muzeut Historik të Pukës. Më priste edhe në shtëpi me dashamirësi e bujari. Ishte 6 dhjetor 1971, kur po bisedonim në shtëpin e tij për Komanin.
Si u përqendrua pak, më pyeti në se dija gjë për ‘’Vaun e Priftit’’ .” Është diku në Koman-tha. -Aty është mbytë i shquari Pjetër Budi. Po jua jap një material, ‘’shënime mbi vdekjen tragjike të Pjetër Budit’’. I kam mbledhë me kohë, por botimin do t’ jua besoj ju. Kur ta shihni kohën e përshtatshme e botoni, por me kusht që të mos shfrytëzohet kundër Kishës e kundër Klerit Katolikë shqiptar. Të mos ia japim kuj atë kënaqësi për ta përdorë kundër Kishës e Klerit tonë katolikë.” Kuptohet, se me –‘’Të mos ia japim kuj knaqësinë’’- e kishte fjalën për regjimin komunist, që kishte dënuar aq ashpër klerin, sidomos klerin katolikë që më 1944 e në vazhdim.
Unë kam mbajtë lidhje me takime e letra. Në letrën e ti përgjigje, dt.6 korrik 1985, më shkruante shumë miqësisht:- ‘’E kam marrë letrën tuaj të 4 korrikut (1985)... Gëzohem shumë se punoni dhe bëni një punë të frytshme. Unë përherë kam parë te ju njeriun punëtor dhe të përgatitur për të kryer studime të nevojshme për vendin e popullin tonë.” Në kuadrin e 450-vjetorit të lindjesmendova se duhej botuar ky material i vyer i të ndjerit Injac Zamputi. ato ‘’shënime’’ishinsi një amanet, që m’u besua mua dhe m’ u lanë nga një studiues aq i shquar e njerëzor, siç ishte i ndjeri I. ZAMPUTI, aq më tepër duke më besuar edhe sigurinë e vet përballë regjimit të diktaturës. Ky ishte një nder që më bëhej mua nga një personalitet i historisë sonë kombëtare. Rasti e solli tani ta kryej këtë porosi në këtë përvjetor të vdekjes, të pavdekshmit Pjetër BUDI.
“Shënimet” fillojnë drejtpërdrejt kështu: - ‘’Farlati , (III.Soc.VII/294), kur flet për vdekjen e Pjetër Budit, ... shënonte... “Por s’ qëndroi në detyrë as një vjet të plotë, sepse, tue kalue lumin e Drinit qe përpimë.”...
Mario Rok (Mario Roques) citon një burim tjetër për vdekjen e Pjetër Budit: një pjesë nga letra e Gjon Kolesit drejtue Kongregacionit të Propagandës më... 20 janar 1623, në të cilin thuhet: “I peshkëvi mbasi kështu i pëlqei nanës së Zotit, u mbyt n’uj sa po kalonte një lum, dhe të gjithë krishterimit t’atyne anëve i ka ramë shumë keq, dhe me qenë se kanë mbetun pa bari...propozohet të emënohet Vikari i Përgjithshëm i Zadrimës,Gjergj Bardhi. (M.Raques: Recherches sur les ancains, textes albanais etc. Paris,1932, fq. 30-31; shënimi 6).
(fq.68)... data e vdekjes merr saktësim ma të madh në 25 dhjetor 1622. Ja fjalët e letrës në të cilën lajmon: ...’’për çështjen e mjerueshme që i ngjajti përpara festave të Krishtlindjeve, Imzot Budit, Ipeshkëv i Sapës në Arbëni, i cili, kur po donte me kalue lumin e Drinit për të pajtue një farë kishe asht mbytë në lumin e thanun pa e pasë pamë ma kush trupin e tij..”. (B.Orsini, Lezhë, mars, 1623, fq. 222).“...nevojë e madhe duhet ta kenë shtërngue P.BUDI me marrë rrugën nëpër male n’atë muej që nuk paraqet kondita të mira. Ne mendojmë pikërisht për këtë arsye se udhëtimi i tij ka qenë me qëllime që nuk ishin krejtësisht të administratës kishtare. Pjetër Budi ishte përgatitë të rrinte në Shqipni për qëllime të caktueme në
lidhje me organizimin e luftës për çlirim. Ja çka shkruante ai ,-vazhdon të mendoi I. Zamputi,- në letrën drejtue Gocadines pak ditë para se të nisej me ardhë në Shqipni (15 shtator 1621): “Popujt e sipërthanun presin nga unë personalisht njoftim për të dijtë ç’ vendim ka marrë Shenjtëria e Tij Papa për këtë dëshirë të tyne [d.m.th. t’ia nisin luftës antiosmane -I.Z.], dhe më nxisin që unë të kthehem me një përfundim të mirë, dhe mue tashti do të më duhet të shkoj t’i ngushëlloj... sepse ky lajm i mirë [ d.m.th. se çështja e luftës asht tuj u marrë seriozisht -I. Z.] do të jetë për gëzim të madh t’atyne popujve. Dhe, në mënyrë që ky shestim i shenjtë të mos zbulohet prej anmiqve, do t’u sjell këtyne popujve ndonjë ndjesë të plotë ... me ndonjë bekim për ato vende... dhe do të shpërndaj librat e mij... kështu shkuemja ime të mos sjellë dyshim...”.
‘’Budi, -thekson Injac Zamputi, -pra e dinte mirë se vepra e vet ndiqej nga armiqtë dhe mundohej ta fshihte me shërbimet fetare, që do të kryente si ipeshkëv nëpër popullsitë tona malore që ishin në kryengritje.
...nuk përjashtohet mundësia që Drinin Budi ta ketë kalue kund në ndonjë va, në ndonjë vend ma pak të rrezikshëm. Në këtë rast do të mendonim se të gjithë udhëtarët kanë qenë së bashku dhe atëherë del e vështirë të mendohet si asht mbytun vetëm personazhi kryesor i atij grupi, i cili -sikurse ishte e natyrshme -duhej të kishte vendin dhe rojën ma të sigurtë. Përsa i takon vaut,del se vau më i përshtatshëm ishte në Koman.( Unë jam konsultue me komanës, ndër ta edhe me Ndoc Doçaj, i cili ende i ruan lidhjet me Koman, ku shkon nga Puka dhe punon tokat e kujdeset për pemët e pronës së tij bujqësore. Ai ka mendimin se në mes ‘’Prroit Grad’’ (apo Grazhdës) dhe Kishës Shën Markut, përfund Livadheve të Kishës ka qenë një va, -‘’Vau i Priftit’’. po ky va nuk ka qenë i njohur për shumë kohë, se përdorej kryesisht verës. Ndoc Selimi, autor i librit “Kultura Komanit...’’ ( Shkodër, Volaj,2013) Më ka treguar se‘’Në të rënë të Gogshit, përballë shtëpive të para ka qenë një gur me emrin ‘’Guri i Lundrës’’, ku ka qenë një va nëpër të cilin dilej në Gushtë. Ndofta ky ka qenë ‘’Vau i Priftit’’. Por më siguri Nd. SELIMI ka për Vaun e Karmës afër shtëpisë së Llesh Dedës, në të dalë prej Komani për Karmë. ‘’Aty -thot Ndoci- më ka kaluar më 1960 në atë va Pjetër DEDA.
Si përfundim, në njërin prej këtyre vanash në këtë hapësirë të bregut të Drinit prej afro 10 km, por ka mundësi të jetë “Vau Pritit”, në fund të “Arës Priftit”, i cili ishte fare afër kishës SHMARKUT, ku ka pushuar para se të nisej për Mazrek se i dukej më afër aty për të kaluar Drinin për Mazrek, ku është mbytur i ndjerit P. Budi, më 25 dhjetor 1622.
Armiq (fq.73) të deklaruem kundër Pjetër Budit kanë qenë edhe venedikasit, sepse ky njeri kishte “guxue” të hynte në çështje të çlirimit të vendit tue kërkue marrëveshje me spanjollët e tue bashkëpunue me persona që Republika (e Venedikut-Xh. M.), i ndiqte për vdekje, si asht rasti i kalorësit Bertuçi, i cili asht personazhi kryesor në letrën-projekt drejtue Gocadinos.
Vetë fakti i gjetjes së kësaj letre në arkivin e Venedikut, na jep të drejtë të mendojmë se agjentët e Republikës (VENEDIKUT) i ishin lëshue mbi shpinë këtij njeriu. Ka edhe nji mundësi tjetër, d.m.th. që kjo letër e arkivit të Venedikut të mos jetë origjinali, por ndonjë kopje e tij, dërgue në Venedik nga ndonjënjeri, që aty, në Romë hetonte për llogari të Republikës, për veprimet e Pjetër Budit.
Por, armiq të betuem kishte edhe klerikët e huej, sidomos prelatët, kundër të cilëve ai kishte shkaktue mbledhjen kishtare që vendosi të mos pranoheshin ipeshkv të huej.
Por Pjetër Budi, kur erdhi dhe u vue në krye të selisë ipeshkvnore të Sapës, i krijoi vetes edhe një kundërshtar tjetër të fortë: vikarin e deriatëhershëm të diocezit të Zadrimës, Gjergj Bardhin.
Gjergji apo Gjeci ishte djali i vëllait të ish-ipeshkvit të Sapës Nikollë Bardhit. Ky i fundit asht i njohur në historinë e lëvizjeve shqiptare të sh. XVI dhe fillimit të shek. XVII. Ka të ngjamë se fill pas ikjes ose pas vdekjes së ungjit, Gjergji erdhi në zyrën e vikarit të Sapës mbasi kish qenë ma përpara famullitar në Rodon (në dioçez Albaneus (?) dhe vikar i ipeshkvit të Stefanisë (Nikollë Mekajshit). Vikariarin e Sapës e mbajti 16 vjet(Farlati, VII, 284). Ipeshkvi i Sapës, përveç administratës kishtare, kishte edhe kryesinë e këshillit të Zadrimës për çështjet civile.
Nikollë Bardhi, ipeshkvi i Sapës, qe një ndër organizuesit e kuvendit të madh të Dukagjinit më 1601-1602 bashkë me Nikollë Mekajshin etj. Kuvendi e ngarkoi Nikollë Bardhin të shkonte në Venedik bashkë me kapitanin Pal Dukagjinin për t’ ia paraqitë senatit venedikas nevojat e lëvizjes që donte me shpërthye në luftë të armatosun. Dihet se Venediku i pengoi këto përpjekje dhe ma në fund Nikollë Bardhi, pasi mori 400 dukatë prej Republikës, shkoi në Romë dhe u muer me punë të tjera.”
(Shih artikullin: I.Z. ”Projektet shqiptare për çlirimin e vendit etj.” në Buletinin për Shkencat Shoqërore, 1956, nr. 4, fq. 122-123).
‘’Zadrima, -na tregon Frang Bardhi, në relacionin e vet (Bul. për Sh. Sh. këshilli, në krye të të cilit ishte ipeshkvi i Sapës. Pra,ai ishte në krye të këshillit të Zadrimës fushore. Ai ishte edhe ipeshkvi i maleve të Dukagjinit, në të cilat përfshiheshin Puka, Iballja dhe Spasi. Gjergj Bardhi sa qe vikar i Zadrimës, duhet të ketë ushtrue të gjitha funksionet e një ipeshkvi.
Kur më 1614, u zhvillue në Kuç kuvendi që bashkoi delegatë nga të gjitha vendet kryengritëse, na duket se hetojnë edhe figurën e Gjergj Bardhit, që përfaqëson Dukagjinin (Mirditën, apo Pukën, ose të dyja së basku). Dhe ai jo vetëm asht një delegat i zakonshëm, por përfshihet në gjashtë të parët, d.m.th. n’ata që kishin autoritet të thërrasin delegatët në kuvend.’’
(Shih artikullin: I.Zamputi, “Bashkimi i maleve shqiptare etj”, në Buletinin e Univ., Seria Shk. Sh. vj. 1957, nr.1)
Në transkriptimin që ka bamë L.M. Ugolini (Pagine di Storia Veneta, fq. 26 e tutje), n’emnat e deputetëve të mbledhun të 15 korrikut 1614, i katërti asht Gieli Bardi da Mirdita. Vështirë do ta kishim të hetonim në këtë transkriptim emnin e Gjec Bardhit, mos të ishte për fat ma tutje edhe lista tjetër e 44 zotnijve besëlidhun.
Në këtë listë, këso radhe, i pesti emën lexohet: Gierdi Bardi da Mirdita. Nuk ka dyshim prandaj se bëhet fjalë për Gjec Bardhin.
‘’Dhe na mendojmë,- nënvizon faktin I. Zamputi, “-se asht tamam Gjec Bardhi ynë, me qenë se për Mirditë aso kohe duhet kuptue i gjithë vendi malor i Dukagjinit dhe mbi këtë vend nuk kishte aso kohe tjetër autoritet vendas ma të madh se vikarin e Sapës.
Bardhi, sa kohë që qe vikar në Zadrimë, e ushtroi mirë edhe detyrën e kryesisë së këshillit dhe ishte tregue shumë i aftë qyshë se me një ndërhymje të tij, në Stamboll ia kish dalë të hiqej nga kamba edhe Sanxhakbeu ( i Shkodrës –Xh. M.), që i kishte qitë ngatërresa Zadrimës. (më 1610).
Një njeri si Gjergj Bardhi, i cili pas vjetit 1623 ka për të qenë administrator kishtar i sprovuem dhe rigoroz, dhe ka për t’u tregue mprojtës fanatik i të drejtave të veta, nuk asht çudi që Pjetër Budin, kur erdhi në zyrën e ipeshkvisë së Sapës, ta ketë shikue si armikun që po vinte t’i hiqte nga dora të drejtat e fitueme. Këto të drejta mbi Zadrimë, Gjergj Bardhi i mbështet kryesisht mbi të drejtat e derës së Bardhejve, që ishte e fortë dhe që i kishte dhanë vendit të vet dy ipeshkvij... Këtë të drejtë Gjeci ka për të vazhdue ta kërkojë për vete dhe për nipin e vet, Frang Bardhin dhe gjithë Zadrimën ka për të vazhdue ta mbajë në dorë të vet edhe pas vdekjes së nipit, kur prap ai, tue qenë arqipeshkev i Tivarit, ka për ta lëshue atë seli e ka për të kthye prapë në Sapë. (Farlati,VII, 288).
Kur, pra, pas vdekjes së Budit, Gjergj Bardhi vrapoi në Romë për ta sigurue për vete selinë e Sapës, u përcuell me tri propozime të favorshme: nga ipeshkvi i Arbënit, nga ai i Lezhës dhe ai i Shkodrës...
Kur i paraqitej Papës propozimi për emërimin e një prelati, i paraqitej edhe një fletë informative mbi personin e shenuem. Në këtë fletë renditeshin pikat në favor dhe në disfavor të kandidatit. Këtë fletë informative të përpilueme për Gjergj Bardhin, e ka plotësue ai, që kishte qenë ngarkue ta marrë në provim për të gjykue mbi aftësitë e tija... Ka shumë mundësi që autori i kësaj flete informative të jetë kardinali Pjeter Valerio, që Farlati thotë se qe ai që e emnoi Gjergjin (Farlati, VII, 284). Në këtë fletë, pas anëve pozitive që ka Gjergj Bardhi, shënohen vetëm dy pika negative për emnimin e tij: e para, se nuk ka instruksion të mjaftueshëm, por mendohet se, tue pasë aty pranë në Lezhë Benedik Orsinin, mund të këshillohet me te.Pika e dytë e që na intereson, asht kjo: “Dyshohet se mos asht bashkëveprues në vdekjen e dy ipeshkvijve të kaluem, sepse m’u referue nga kapitani Ranier, se abati Pal, i ardhun [në Romë-I.Z.] së bashku me Bardhin e thanun, ka thanë në prani të disave, që po nuk e banë ipeshkëv F, Bardhin, por ndokënd tjetër, do ta nisim si kanë shkue dy të kaluemt. [Por] mund të provohet se asht një shpifje, sepse kanë ardhë [po në Romë-I.Z.] disa fretër me letra të N/Mbretit të Napolit drejtue kardinalit Ludovizi dhe njeni prej tyne pretendonte Ipeshkvinë, dhe kapitani Ranier, kur më lajmëroi për thanien e abatit Pal, më paraqiti si të mirë njërin nga fretnit e thanun... (IR CG, vl. 262, fl.467).
...Asgja nuk na pengon të mendojmë se abati Pal (Pal d.m.th. Abati i shën Palit Kabash, Nikollë Leka, shënimi i Xh. M.) me të vërtetë t’i ketë thanë ato fjalë në një moment kur ndoshta çështja e Gjergj Bardhit paraqitej e humbur.”
Dhe, i ndjeri I. Zamputi arrin në konkluzionin: “në qoftë se fjalët e abatit kanë vërtetësi, na mendojmë se pas tyne fshihen edhe venedikasit. Këta nuk e duronin që kurrsesi influencën spanjolle në Ballkan dhe në çdo kohë kanë pengue dhe kanë luftue përpjekjet e popullsive tona për çlirim, kur i drejtoheshin Papës, Spanjës ose princave të tjerë. Kjo asht arsyeja që na ban të anojmë me mendue, sikurse thamë, se vdekjen e Pjetër Budit e kanë dashtë vetë venedikasit dhe kanë përkrahë e ushqye sedrën, dyshimet dhe konfliktet e zadrimorëve, të klerit dhe të turqve, ose të gjithëve së bashku.
Bëhej përpjekje e madhe për të sigurue selinë e Sapës, n’ato kohë, kur projektet për çlirimin e Shqipnisë e të Ballkanit mbështeteshin kryesisht nga popullsitë tona malore. Dhe Sapa, sikurse dihet, kishte në juridiksionin e vet edhe Dukagjinin. N/Mbreti i Napolit donte n’atë seli një njeri që të vazhdonte veprën politike të Pjetër Budit, të njohur për përpjekjet e tij antiturke dhe antivenedikase. Gjergj Bardhi nuk u pëlqente spanjollëve, sepse ishte i nipi i atij Nikollë Bardhit që kishte veprue haptas sipas udhëzimeve të Republikës së Venedikut. Nga vetë fakti se spanjollët nuk e duen Gjergj Bardhin n’atë seli, provohet mjaft qartë, se ky ndër 16 vjetët që qëndroi aty si vikar, nuk u ka shkue për qejf atyne dhe mundet që ka vazhdue udhëzimet e ungjit dhe ka qenë në marrëdhënie të mira me venedikasit. Kjo mund të hetohet edhe në frytin që nxori Gjergj Bardhi në Stamboll kur shkoi për t’u ankue kundër sanxhakbeut.Venedikasit kishin influencë në Stamboll sa ta mbështesnin pranë vezirëve të Sulltanit.
Në përpjekjet që bënin kundër synimeve spanjolle, venedikasit bashkëpunonin me turqit dhe ua zbulonin atyne orvatjet e shqiptarëve e të huejve që donin me organizue luftën për çlirim... S’ka dyshim se venedikasit kishin mundësi të shtinin në punë ma së miri edhe veprën e një pjese të klerit të huej për ta ushqye konfliktin që ngjallej sidomos kur ishte rast-si asht fakti i mbledhjes së bame nga kleri vendas nën kryesinë e Budit...
Venedikasit kishin edhe aftësi të madhe të shfrytëzonin kontradiktat që kanë ekzistue edhe mbrenda vetë klerit shqiptar: Kështu pra janë ndjekur nga partia e venedikasve ata që mvaren nga Papa e nga Mbreti katolik [i Spanjës-I.Z.] me anën e disa njerëzve, të cilët, tue i shërbye me dy faqe këtij dhe atij princi, nuk synojnë tjetër veçse të jenë shpërblye n’ato sende për të cilat meritojnë dënim..” (Nga një relacion i kohës: Cordignano, vep.th.fq.7/231).
...Pas këtyre të dhënave...pohojmë se Pjetër Budi, për veprimtarinë e tij të shumëfishtë kombëtare-shqiptare, vdiq pa mbushë vjetin në zyrën ipeshkvnore, sepse armiqtë e gjetën rastin me krye deliktin. Dhe e maskuen tuj fajosë vetëm rrjedhën e Drinit.’’
Perfundimisht, studiuesi i shquar Injac Zamputi është i mendimit se mbytjen e Pjeter Budit e kishte kryer Nikoll Leka, ish-Abati i Shën Palit të Kabashit (abati Pal), një aventurier, që kishte përfunduar me një çetë rebelësh. Fr. Bardhi thekson faktin se –“Dom Nikollë Leka ka çue krye ndaj rregullës kishtare dhe është bamë ushtarë i Shën Markut (Venedikut), dhe ka mbledhë ushtarë dhe anije të armtosuna si të qenkësh një shekullar” (nga shënimi i I. Zamputit, f.289, Relacione II, Tiranë, 1965).
Sigurisht, kontradiktat mes klerit katolik kanë qenë të natyrshme sepse: shkaktoheshin kryesisht nga mosmarrëveshjet me klerin e huaj për zbatimin e shërbimeve fetare në gjuhën shqipe, si dhe përçarjet mes klerit , të nxitura nga ndërhyrjet e shteteve të huaja për interesat e tyre politike.

 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes