l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Valët e lirisë që nuk u shuan kurrë në Kosovë, në vitin 1999 sollën përmbushjen e ëndrrës shekullore kombëtare të lirisë së Kosovës

VULLKANI I LIRISË

Ing. Kol Dedaj

Valët e vullkanit të lirisë Kombëtare në trojet ilire qëndruan të ndezur ndër shekuj e mijëvjeçar, ato u bënë aktive sa herë kombi kishte nevojë. Një komb i lashtë sa vetë lashtësia, ku fiset ilire shpërndanë qytetim ndër popujt e tjerë. Fisi ilir i Pirusve ishte i shquar në punimin e metaleve (arit, argjendit, etj.), një veçanti e fisit Dalmat ishte veshja e tyre Kombëtare e quajtur “Dalamcia”, e cila u përhap edhe në Romë ndër qarqet më të larta të atij qytetrimi, kjo veshje me kalimin e kohës u ndryshua dhe mbeti si veshje liturgjike e kishës katolike deri në ditët e sotme (Prof. Dr. Karl Patsch, Gjendja ekonomike dhe kulturore e Shqipnisë në kohën e kalueme, Tiranë 1923, f22). Gjithashtu deri në ditët tona erdhën edhe toponimet dhe mbartësit e tyre siç është rasti i emrit Berishë-Bertiscus, emër i moçëm me të cilin quheshin Alpet e Shqipërisë së veriut (Prof. Dr. Karl Patsch, ilirët, Tiranë 1923, f.6)
Për shehkuj me rradhë të mbështetur në qëndresën e tij shqiptari ruajti kombësinë, gjuhën, zakonet, traditat dhe kulturën e vet në luftë të vazhdueshme me armiqtë e panumërt, ruajti atë tokë të kreshpëruar, brinjëdalë, nga rrebeshet e historisë, ato fusha si kurorë që gjelbëron në shtatin e tij, ruajti e derdhi gjak për këtë truall të lashtë, të vyer e të shtrejtë, ruajti Shqipërinë tonë të dashur. Shfletojmë albumin e madh të historisë sonë në murgëtirën e mjergulluar të shekujve, nën vërgellimat e shpatave dhe buqitjete të topave, “Nënë Shqipëria”, bashkë me bijtë e saj po lindte dhe trimërinë armën më të fuqishme me të cilën shqiptarët do të çanin gjithmonë përpara që në kohërat iliro-arbënore, duke spikatur me madhështinë e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ku ndërmejt me fisnikeve dhe trimave të tjerë të rinisë ishin kryetrimat, dy vëllezërit nga familja e lashtë e berishve, Dhimitër dhe Nikoll Berisha, ndihmën e të cilëve Skënderbeu e kishte të shënuar e të dendur (Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, f.445). Për nder të heroit tonë Kombëtar, sapo u mbyll viti jubilar i 550 vjetorit të vdekjes së tij, Qeveria shqiptare e shpalli vitin 2018, viti i “Skënderbeut” gjatë të cilit u zhvilluan aktivitete dhe veprimtari të shumta shkencore, botuese, artistike e kulturore brenda dhe jashtë vendit. Por ndonëse në pushtimin e robërin shekullorë të mesjetës, lava kombëtare për liri e pavarësi nuk u shua, ajo u ngjiz në trashigimin tonë letrare prej autorëve të letersisë së vjetër shqiptare në të cilën spikasin emrat e mëdhenj si: Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, të cilët u bënë njëkohësisht edhe nxënës dhe mësues të gjuhës shqipe duke realizuar atë lëvizje intelektuale që njihet si: Iluminizmi shqiptar i shekullit të XVI-XVII, prej nga do të rezantonte kultura jonë e ndërgjegjësimit kombëtar mbarëshqiptar, duke u bërë pararendëse e Rilindjes sonë Kombëtare. Në mesjete kjo lavë lirie do të kulmonte me kuvendin e Arbërit i cili u zhvillua më 14 deri më 15 janar 1703 në Mëriq të Arbërisë i cili u inicua nga Vinçens Zamjeviku krye ipeshkvi i Tivarit. Një epiqendër e rëndësishme e këtij vullkani mbarëkombëtar që po vinte ishte periudha e rilindjes sonë kombëtare ku rilindasit tanë të ndritur: Vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa, Jeronim De Rada etj., frymëzuan Lidhjen e Prizerenit dhe më tej vala e tij do të pasohej nga Torenz Tocci - Torenc Toçi, Arbëresh i Italisë i titulluar Doktor i Shkencave Juridike. Ai erdhi në Shqipëri siç vetë do të i’u thoshte kryengritësve shqiptarë në vitin 1911 për të luftuar së bashku me ta dhe për ti shërbyer atdheut të të parëve të tij për pavarësinë e vendit. Natën e 12 prillit 1911 ai depërtoj nga Cetinja e Mali të Zi në Shqipëri duke kaluar nga Bjeshkët e Kelemndit, në Shalë, Toplanë e më tej përmes Berishës së Pukës i cili u mor në mbrojtje nga Ndoc Mark Deda e djelmënia e Malësisë, si dhe u shoqërua për të mbërritur në Fanë të Mirditës duke organizuar një kuvend i cili u mbështet nga viset e Shkodrës, Malsisë së Madhe, Pukës, Mirditës, Dibrës, Matit, etj., Në Mali të Zi ai kishte porositur edhe dy vula për Qeverinë e Përkohshme Shqiptare njerën në Milano dhe tjetrën në Trieste të Italisë. Kuvendi miratoi mosnjohjen e qeverisë turke, krijimin e Qeverisë së Përkohshme Shqiptare të kryesuar nga Torenc Toçi si Kryeministër, me synimin që në të ardhmen të bëhet Qeveri e Përhershme, si dhe miratoi programin e përbashkët të veprimit. Ky kuvend u përshëndet me breshëri armësh dhe u ngrit Flamuri Shqiptar që bashkë me ngritjen e tij me datë 06 prill 1911 në Deçiq të Tuzit nga Ded Gjon Luli përbëjn herën e parë të ngritjes së tij në trojet shqiptare pas vdekjes së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Me datën 27 Prill 1911 hartohet akti kostituitiv i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare i cili nënshkruhet nga krerët pjesëmarrës. (Burimi: - Aurel Plasari, “Gazeta 55”, “Si (nuk) u shpall pavarësia me 1911, Tiranë 10 shkurt 2007; Mark Mesuli, Një Kullë në histori “Qeveria e Kimzës “1911.,Ngjarje e Pavarësisë. Tiranë 2007, f. 41-48; M. F. Bajraktari “Coptimi i Shqipnisë dhe Kryengritja e Pukës 1911-1912”, Canada 1967; Kol Dedaj, Në Panteonin e Lirisë, Tiranë 2018, f.85, 108).


Por kjo valë vullkanike e lirisë kombëtare ngjisur në shekuj dhe e pashuar asnjëherë do të gjentte shpërthimin e saj me kryenngritjen mbarë kombëtare ku arkitektet e pavarësisë: Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi Isa Boletini, me në krye plakun e urtë e të mençur Ismail Qemali do ta kurorëzonin me shpalljen e pavarësisë më 28 Nëntor 1912.
Në përkujtim dhe nderim të figurave të ndrituara Kombëtare, të vepres dhe veprimtarisë së tyre në shërbim të kombit, atdhetari modern Dodë Nikoll Luli, biri i Lum-Ziut të Pukës, i njohur në zhanerin e letrave shqipe me monografin ë”Dera e Përndocajve të Fanit”, me kontributin e tij financiar dhe kërkesën e tij e protokolluar në Bashkinë Fushë-Arrës me nr.458prot., datë 11.02.2019, si dhe me mirëkuptimin e kësaj Bashkie dhe prekrahjen e saj të plotë, me miratimin në këshillin Bashkiak me vendimin nr.34 datë 20.03.2019, dhe konfirmimin nga prefekti i Qarkut Shkodër me shkresën nr.345/1prot., datë 08.04.2019, u bë e mundur ndërtimi i memorialit në qendër të qytetit të Fushë-Arrësit, të rrugëtimit të njëres prej valve të këtij vullkani të lirisë sonë kombëtare siç është ajo e krijimit të Qeverisë së Përkohshme Shqiptare më 27 Prill 1911 në Kimëz të Mirditës.
Në ceremoninë e përurimit të këtij obelisku morën pjesë: Përfaqsues të Pushtetit lokal, akademik: Prof. Dr. Marenglen Verli-Rektor i Akademisë së studimeve Albanologjike, Prof. Dr. Beqir Meta akademik i Institutit të historisë, studiuues: Xhemal Meçi (Mjeshtër i Madh), Prof. Dr. Rexhep Uka, Dr. Mark Palnikaj , Mark Mesuli, Kol Dedaj, Pasardhës të Torenz Tocci-it, Dr. Terenzio D’Alema Tocci , Zef Ndoj pinjolli i Kulles se Pjeter Ndojit ku u formua qeveria në Kimëz, Selman Jashnica Lipjan Kosovë, biznesmeni Tonin Aliaj (Mjeshtër i Madh) dhe Lazër Mëhilli mbështetës dhe promovues të vlerave tona kombëtare, si dhe iniciuesi, finacuesin, bashkë organizuatori , Z. Dodë Nikoll Luli, si dhe intelektual, të afërm të firmëtarëve, të ftuar të shumtë dhe banorë të Fushë- Arrëzit , një ndër qytetet industriale më të zhvilluara të gjysmës së dytë të shekullit të XX në Shqipëri.
Fjalën e hapjes e mbajti Prof. Dr. Beqir Meta, dhe më tej u bë zbullimi i obeliskut nga Prof. Dr. Marenglen Verli, Dod Luli dhe nënkryetari i bashkisë Fushë Arrës Klement Syla, pastaj u vazhdua me mbajtjen e kumtesave nga Dr. Mark Palnikaj, Studiuesi Xhemal Meçi (Mjeshter i Madh) i cili në kumtesen e tij cilësoi kontributin e rëndësishem në këtë ngjarje të madhe të historisë sonë kombëtare që dha krahina e Pukës me firmetarë të aktit, Frrok Kola i Thaçit dhe Prend Uka i Berishës, si dhe ndihmen e çmuar në shoqerimin, mbrojtjen dhe siguimin e Kryeministrit nga Ndoc Mark Deda i Berishes të cilit populli i këndoj në shekuj:
“N’ at stamboll po këndon gazeta/ s’i nep armët Ndoc mark Deda/ Besa armet nuk i jap/ Për pa i la zaptit në gjak!/ Për pa i vra çato zapti/ Se këtu i thonë Pukë e Malësi !.”


Te pranishimit i përshëndeten Prof. Dr. Rexhep Uka,si dhe pasardhësi i Torenz Tocci-it, Dr. Terenzio D’Alema Tocci i ardhur enkaz nga Roma-Itali, dhe pinjolli i Kullës së Zëf Ndue Dodës ku u formua qeveria në Kimëz Pjetër Ndoj.
Këto valë lirie që nuk u shuanë kurrë në Kosovë në vitin 1999 sollën përmbushjen e ëndrrës shekullore kombëtare të lirisë së Kosovës e cila fitoj pavarsinë e saj , duke u rënditur si shteti më i ri në botë ndose një nga popujt më të lashtë të saj.
Por, valët e këtij vullkani vazhdojnë të lekundin edhe sot trojet iliro arbnore të Kosovës Lindore (lugina e Preshevës, Medvegje, Bujanovc), Kosovës Veriore (Sanxhak), Iliriadën, Çamërinë dhe trojet e malësisë së Tuzit e Ulqinit, të cilat rezistojnë, qëndrojnë e do të fitojnë.



Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes