l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

HISTORIA

75 vjet më parë – Kongresi historik i BRASH-it

Nga Sotir BUDINA*

Shtatëdhjete pesë vjet më parë, më 8 gusht të vitit 1944, zhvilloi punimet Kongresi i Parë historik i Rinisë Antifashiste Shqiptare. Kongresi u mblodh për të analizuar punën e luftën e rinisë në të gjitha krahinat e vendit dhe për të përcaktuar detyrat e saj në mësymjen përfundimtare kundër pushtuesve e tradhëtarëve dhe për rindërtimin e Shqipërisë së re.
Do të kalojnë shumë vite dhe kjo datë do të kujtohet gjithmonë si një ngjarje e shënuar në historinë e Shqipërisë, pasi për herë të parë rinia shqiptare në këtë kongres, si asnjëherë tjetër u bashkua dhe u hodh totalisht në luftë kundra okupatorit nazifashist dhe tregoi aftësitë dhe forcën e saj. Ajo nga zjarri i saj rinor i dha zjarr Luftës Nacionalçlirimtare an e kand Shqipërisë, duke mbushur me të rinj njësitet guerrile të qyteteve dhe fshatrave, batalionet, brigadat e divizionet partizane që luftuan me heroizëm e vetmohim deri në çlirimin e plotë të atdheut.
Pikërisht për këtë arsye, pushtuesit në të gjitha krahinat e vendit u munduan ta pengonin atë duke internuar, burgosur, torturuar e pushkatuar me dhjetra të rinj antifashistë. Shumë prej tyre u varën dhe në litar, por ata nuk u përkulën. Me qindra janë heronjtë dhe dëshmorët që rinia jonë heroike i dha kësaj lufte të drejtë në të gjitha krahinat e vendit. Të paharruar do të ngelen heronjtë e parë të rinisë antifashiste shqiptare, si Midhi Kostani e Kiço Greço në qytetin e Korçës që u varën në litar, Qemal Stafa e Misto Mame në Tiranë, Heronjtë e Vigut në Shkodër, Persefoni Kokëdhima në Gjirokastër, Margarita e Kristaq Tutulani në Berat, etj; heronj këta që u bënë shembull heroizmi dhe bashkimi në luftë kundër okupatorit nazifashist. Populli shqiptar përulet me respekt përpara gjakut dhe saktificave të këtyre heronjve.
Në verën e vitit 1944, kur lufta kundër pushtuesit kishte marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin dhe kur trupat sovjetike po i afroheshin Ballkanit Perëndimor, Organizata e Rinisë Antifashiste Shqiptare, e drejtuar me guxim e mençuri nga Sekretari i saj i Parë, Nako Spiru, thirri Kongresin e saj të parë në Helmës të Skraparit. Në këtë vend malor që edhe në të kaluarën ka qenë vatër e çetave të Rilindjes sonë Kombëtare, më 8 gusht 1944, në frymën e një entuziazmi të papërshkruar u hap Kongresi i I-rë i Rinisë Antifashiste Shqiptare.
Në këtë kongres morën pjesë 285 delegatë (nga të cilët 75 ishin të reja) që përfaqësonin rininë dhe pionierët e të gjitha krahinave dhe qyteteve të Shqipërisë dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Me një dashuri dhe entuziazëm të paparë u pritën delegatët e Divizionit të I-rë S, të Brigadave të I-rë, IV-t dhe të V-të Sulmuese, gjithsesj 27 veta që vinin nga vija e parë e luftës për çlirimin e Shqipërisë së Veriut, duke marshuar më këmbë me qindra kilometra nga Mirdita dhe Dibra deri në Helmës të Skraparit, për të marrë pjesë në këtë kongres historik të Rinisë Antifashiste Shqiptare ku do të behej bilnaci i luftimeve dhe do të caktoheshin detyrat deri në çlirimin e plotë të atdheut.
Zëri i delegatëve të Divizionit të I-rë, të zgjedhur nga partizanët më të mirë, të dalluar në luftën kundër pushtuesve, në takimet dhe bisedat e zjarrta që bëheshin gjatë ditëve të zhvillimit të Kongresit, dëgjohej me vëmendje të veçantë. Me diskutimet e tyre, Fatmir Gjata, Dhori Panariti, Katina Starjo etj dhanë një kontribut të vyer për përcaktimin e detyrave imediate që i dilnin Rinisë Antifashiste Shqiptare, për edukimin e saj dhe për çlirimin e rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.
Për 10 ditë rresht Kongresi i BRASH-it diskutoj dhe analizoj punën që ishte bërë për bashkimin e Rinisë Antifashiste Shqiptare dhe sukseset e arritura prej saj në luftën kundër okupatorit nazifashist, si dhe u përcaktuan detyra të rëndësishme për një pjesëmarrje më të madhe të rinisë në repartet partizane dhe për aktivizimin e mëtejshëm në luftën Nacionalçlirimtare. Pikërisht për këtë, fitorja e 28 Nëntorit 1944 që shënoi çlirimin e plotë të Shqipërisë ishte dhe fitore e madhe e Rinisë Antifashiste Shqiptare që përbënte 70 përqind të efektivit të forcave partizane dhe që i dha atdheut me qindra dëshmorë në të gjitha krahinat e vendit.
Kongresi i Parë i BRASH-it, për detyrat shumë të rëndësishme që përcaktoi, për një pjesëmarrje më të madhe të rinisë në luftën Nacionalçlirimtare për çlirimin e plotë të vendit, për miqësinë dhe dashurinë e sinqertë që ngjalli ndërmjet delegatëve, për punën edukative që u bë me delegatët gjatë ditëve të Kongresit, si dhe për detyrat shumë të rëndësishme që përcaktoi për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta, etj, ka mbetur dhe do të mbetet i paharruar në kujtesën e gjithë delegatëve, të cilët edhe pse kanë kaluar 75 vjet nga ajo kohë, i kujtojnë me mall ato ditë ta lavdishme.
Duke kujtuar ato ditë të lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare, kur ideali i madh i lirisë na çoi në vijën e parë të frontit në ndeshjen drejtpërdrejt me pushtuesin e egër, pa iu trembur plumbave që merrnim në kraharor, duke dhënë dhe jetën për një atdhe të lirë e demokratik, i bëjmë thirrje rinisë së sotme që të luftojë më shumë për një jetë më të mirë dhe për Shqipërinë Europiane.
Megjithë kontributin e madh që dha rinia shqiptare në luftën kundër okupatorit, idealet e saj për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, për një jetë më të lumtur, megjithëse kanë kaluar 75 vjet nga përfundimi me fitore i asaj lufte legjendare, asnjëherë nuk u realizuan. Idealet e saj u tradhtuan nga drejtuesit e sistemit diktatorial, por edhe sot rinia endet nëpër botë për të gjetur një vend pune.
Në këtë përvjetor të 75-të të Kongresit të I-rë të BRASH-it, kur Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s dhe pret çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, shprehim bindjen se rinia dhe populli shqiptar do të realizojnë aspiratën e tyre të integrimit të plotë euroatlantik.
*Delegat i Divizionit të I-rë në
Kongresin e I-rë të BRASH-it






Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes