l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

I kualifikuar si mësues i kategorisë së parë, kontribuon për mësimin dhe edukimin e mësuesve

35 vitet e mësuesit fisnik Adem Kadri Laçi

Xhemal Meçi - “Mjeshtër i Madh”

Tridhjetepësë vite në arsim, janë vërtet një kontribut i çmuar i mësuesit Adem Kadri Laçi. Ai emërohet mësues më !953 emërohet sapo përfundon me rezultate të mira shkollën “unike “ 7-vjeçare, se ishte koha kur duheshin sa më shumë mësues për ta përballuar hapjen e shkollave në tërë vendin;
Në vitet 1953 - ’57 shërben mësues në shkollën fillore Rrape, ku arrin rezultate të mira mësimore; Ndërsa në harkun kohor 1958 - 1960 përfundon shkollën e mesme pedagogjike 2-vjeçare në Elbasan. Edhe pse arriti rezultate të mira në shkollat ku e caktonin, prapë nuk e lenin të merrte frymë, por nga shkolla në shkollë ( 12 emërime, njëri pas tjetrit) për ta detyruar. që të refuzonte.
Ishte koha kur diktatura komuniste ( gjoja diktatura e “klasës punëtore”,që mbahej në këmbë me “Luftën e Klasava” Dhe se Adem Laçi kishte gjoja probleme politike në biografi: i vëllai i gruas, i Kajdës,Hasan Ismajl Pema qe i dënuar politik në ushtri, në ishullin Sazan i Vlorës gjoja për thyrje disipline dhe lidhjet që paska pasë me Kazazët e Shkodrës,duke vuajtur 18 muaj burg politik; gjithashtu kishin pushkatuar vëllezërit Isuf Avdi Laçi ( 1946) dhe kapitenin ushtarak Qazim Avdi Laçi ( 1952) , për atentatin në Ambasadën Sovjetike, sado që Ademi nuk kishte asnjë lidhje gjaku me ta, veç mbiemrit e me banim në një lagje; por partiakët ngulmonin e gulçonin se edhe kushëriri i tij kolonel Xhemal Laçi kishte qenë ministër i Oborrit Mbretror të Mbretit Leka Zogut në Madrid, mandej i arratisur politik në Amerikë (USA). Po kështu ish-kapiteni rezervë i xhandarmërisë së Zogut, Ymer Bardhosh Laçi, i cili qe edhe komandant i çetës partizane Pukë -Has ( 1941- 1944) në vitet 1960 i burgosur politik. Tani Ademi duhej të tregohej i kujdesshëm për të argumentuar se dhe pse i kishte kushrinj ( Xhemal Laçin e Ymer Bardhosh Laçin ) i kishte më se 4 brezë larg, kur dihej se “kriteret politike” të Komitetit Qendror (PPSH) nuk shkonin më shumë se 2-3 brezë. Megjithatë manjakët partiakë nuk pushonin duke gjurmuar e numëruar brez pas brezi sa u donte egoja e tyre me “armën” e “Luftës së Klasave” se si me përkulë Adem Laçin.


Ademi ishte rritur jetim nga baba , që e kishte lënë si edhe motrën të mitur. E ëma , Raba, grua burrëreshë rriti fëmijtë me ndihmën e kujdesin e kunatit bujar e i pakursyer, Musë Halil Laçi. Ademin , si djalin e vetëm të Kadri Laçit e shikonin në dritën e syrit, duke e edukuar me dashurinë për punën, profesionin dhe i bindur e i mirëkuptuar në komunitet. Kështu kudo, ku emërohej përpiqej të kishte paraqitje të bukur të figurës së mësuesit dhe të punonte me përkushtim e dashuri për nxënësit, duke iu shpëtuar me durim e gjakftohtësi përndjekjeve partiake. Kur e pyeta aty nga viti 2005 pensionistin nga fshati Rrypë bletërritësin Ismail Sadria, se sa shkrim të bukur kishte, m’u përgjegj se mësuesi i tyre i viteve 1950, “Adem Laçi, mësues zotni e i duruar, i jepte rëndësi bukurshkrimit edhe në diktime e detyra me shkrim, prandaj na u bë edukatë të shkruanim bukur tërë jetën.”
Duke pasur suksese në çdo shkollë ku e emëronin deri në masën e mësuesit shembullor, arriti të vazhdonte me sukses mësuesinë. Për më tepër u pa e nevojshme, që për nevoja kuadri të ngrihej nga fillorja në klasat e tetëvjeçarës , klasa VI – VIII. Edhe aty shkëlqeu me këndet sportive model dhe kabinetin e historisë dhe të gjeografisë në shkollën 8-vjeçare të Kabashit. Por që të vlerësohesh qoftë edhe me gjysmë zëri, u desh të vinte për kontroll ekipi i ministrisë së Arsimit me zv/ ministrin Bedri Dedja , profesori i nderuar akademik, i cili e përdori shembullin e Adem Laçit si model pune kabinet-klasë, që duhej ndjekur edhe në shkollat e tjera 8-vjeçare të Pukës. Kjo arritje e tia u shpreh edhe në gazetën “MËSUESI “, në kuadrin e 50-VJETORIT të Shkollës Kabash (1918-1968), sado thjeshtë e përciptazi, por shërbeu për mirë, sepse Adem Laçi, megjithë përshpëritjet e partiakëve mediokër e ndjellkeq, me propozim të Seksionit të Arsimit.( me shef Ramadan Hoxha, “Mësues i Merituar” dhe zv/ shef Ndue Jak Pjetri, “Mësues i Popullit”) mësues Ademi u caktua drejtor i Shkollës 8- vjeçare Kabash, e cila tani u kthye në qendër me rëndësi metodike për mësime shembullore, ku mësuesit e shkollave të rrethinës fitonin përvojë për proçeset mësimore - edukative. Nga mesi i viteve 1970 në shkollën e Kabashit dërgohen për stash në bazë dy prej kuadrove më të mirënjohur të arsimit të Rrethit Pukë: Ndue Jak Pjetri dhe Ramadan Hoxha në shkollën e Kabashit me drejtor shkolle Adem Laçi. Tani Shkolla e Kabashit u radhit ndër më të mirat të Rrethit.


Po mësues Ademi sado me përkushtim , ishte edhe familjar i kujdesshëm. Të shtatë fëmijtë e tij ( 4 djem e tri vajza i rriti dhe i edukoi që të jenë punëtorë dhe të papërtuar edhe pse nuk u dhanë “të drejta studimi” në shkolla profesionale.U desh të vinin vitet e tranzicionit demokratik, që Ademi të mund të merrte prej shoqatës së të përndjekurve politik një bursë për një prej 7 fëmijëve, vetëm për Saimirën për arsim të lartë në mjekësi, që e përfundoi me sukses dhe filloi shërbimin mjekësor në spitalin e Pukës, ku pacientë e prind filluan ta thërrisnin me respekt: “doktoreshë Saimira”!, që dukej si një ngushllim i magjishëm për familjen e ADEM LAÇIT, kur 6 fëmijtë e tjerë nuk e gëzuan një “të drejtë” të tillë studimi, edhe pse babai i tyre ishte mësues i dalluar e drejtor shkolle edhe sadoqë kishte përgatitë aq nxënës në shkollat, ku jepte mësim. Por ishte një “karakteritikë” organizate -bazë Partie , e përbërë në të shumtën e herës pej anëtarësh me katër klasë fillore, por edhe smirëzinj), që të godiste pa të drejtë te e ardhmja e fëmijëve. -Edhe kur donim ta përkrahnim ndonjërin si mësues Ademin, na sillnin mbi tavolinë një karakteristik” “sterrë” të organizatës- bazë të Partisë (PPSH), që na mbyllte gojën para zyrës (ogurzezë) të kuadrit,- shprehej në konfidencë Ramadan Hoxha, Shefi i seksionit të arsimit të rrethit Pukë.


-Ti e di se si u bë nami në komitet të Partisë (PPSH) dhe Komitet Ekzekutiv të rrethit Pukë, kur arritëm të dekoronim ty Xhemal dhe Qamil Pemën me dekoratën e thjeshtë “NAIM FRASHËRI”, edhe pse meritonit më shumë si arsimtarë të dalluar në krejt rrethin tonë. Po ç’të bënim! -e mbyllte fjalën me aq Ramadan Hoxha , shumë njerëzor dhe shok i ngusht i imi. Në këto rrethana përplitej edhe mësues Ademi,por gjithëmonë në dukje i qetë e buzëqeshur, por duke e mbyllur thellë në zemër mospranimin për të drejta studimi për fëmijtë, qoftë edhe për profesione të thjeshta.(!)
Edhe si doli në pension i duket se e prisnin nxënësit e fshatit Rrape, Dedaj, Gomsiqe, Bushat, Luf, Qelëz, Lajthizë, Llukë, Blinisht, Kabash, ( në të gjitha këta 15 emërime shkollash në 35 vite), gjithnjë larg shtëpisë . E në këto 35 vitet rrugë më këmbë në dimër e verë, në shi e borë.
-Mësues Ademi, prit pak, dua të të pyes diçka. Ai ndalet, ashtu i buzëqeshur si gjithnjë dhe e fton edhe për një kafe, një ish-nxës i tij nga Rrapja, ndonëse nuk e dëshirone qëndrimin kafeneve, kësaj here sikur e ndjeu të detyrueshme për respekt të ish-nxënësit të tij, që e kujton pas aq shumë vitesh.
-Po ta pyesje shoqërisht për jetën e tij si arsimtar, ai nuk vononte të shpalosë nga kujtesa vitet e para, kur pas mbarimit të shkollës së vendlindjes, në Pukë dhe të përfundimit të studimeve pedagogjike në Elbasan; sidomos e kujtonte me emocione ditën kur pat dalë për herë të parë para nxënësve si mësues dhe edukator i tyre. Ishte viti 1953 kur i komunikohet vendimi i fillimit të punës si mësues në Rrape. Për katër vjet mësues Ademi qëndron në këtë shkollë. Ndoshta do të ishte shkolla më e afërt, mbasi emërimet e mëvonshme do të ishin më larg qytetit të Pukës.-Ecja mëngjeseve dhe pasdrekeve 4-5 orë në këmbë dhe ashtu nuk e ndieja lodhjen. se isha në një detyrë fisnike; edhe rrugës kisha parasysh nxënësit, punën time përgatitore për ditarin e së nesërmes,-shprehej me një kënaqësi të veçantë Adem Laçi.


Kështu kaluan vitet, i emëruar 15 herë në shkolla të ndryshme. I kualifikuar si mësues i kategorisë së parë, kontribuon për mësimin dhe edukimin e mësuesve. Në dosje i gjen vetëm vlerësime për mirë të punës së tij.-Asnjë ditë mësimi,-thotë,- nuk jam paraqitur pa ditar. Këtë e bëja jo sa për të thënë se kam ditarin, por aty kisha punën time të ditës si mësues. Vlerësohet për veprimtarinë shkencore-pedagogjike. Në shumë seminare referon nga përvoja e tij tema të ndryshme. Në klasat ku ka dhënë mësim, disa herë janë zhvilluar mësime treguese. Në shkollën 8-vjeçare Kabash i vlerësohet puna për kabinetin e histori-gjeografisë, një ndër kabinetet më të pasura në vitin 1971 nga ish-zëvendësministri i arsimit, akademiku prof. Bedri Dedja. Si një mësues metodist, ndër më të dalluarit e shkollave të rrethit, do ta cilësonte gazeta “Mësuesi” në një shkrim të botuar me rastin e 50-vjetorit të shkollës së Kabashit.
E veçantë e punës së tij: korrektesa me detyrën, vullneti për punën, mundimi i përditshëm për të gjetur metoda të reja bashkëkohore për mësimin e nxënësve. Gjithnjë i sjellshëm me kolegët, nxënësit e prindërit e tyre. Por, përsëri u deshtë të vinte Nëntori i vitit 1992 që të dekorohej me medaljen “NAIM FRASHËRI”. E ruan këtë dekoratë,-siç thotë, se më duket se përmes saj sikur hap kasetën për të parë rrugën e 35 viteve të jetës sime të vështirë në arsim.” Kurse ”Doktoreshë Saimira tani në pleqërinë e tij prej pensionisti, ishte një ngushëllim pas aq shumë shqetësimesh të “Luftës së Klasave”, por që mësues Ademi, e përballoi me aq sukses. Shembulli i mësues Ademit nuk ishte i vetëm në Pukë e në mjaft rrethe të tjerë të Shqipërisë në vitet e Diktaturës moniste komuniste.






Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes