l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

NDERIMI

Ish oficeri shembullor i marinës Selman Rama do të kujtohet gjithnjë me nderim të veçantë

Nga Zaim SEFA*

Personaliteti i një ushtaraku me formin e karrierë të shkëlqyer siç ishte Selman Rama nuk mund të përshkruhet në pak rreshta. Gjithsesi le të shërbejnë këto pak radhë si një përkujtimore për të.
Selman Rama vinte nga një familje fisnike nga Muhurri i Dibrës. Pasi kreu me rezultate të shkëlqyeera studimet në Shkollën “Skënderbej” dhe Shkollën e Lartë të Marinës në Vlorë shërbeu në Forcat e Armatosura, në repartet mbështetëse të specialiteteve të veçanta.
Po kush është në të vërtetë Selman Hidër Rama?
Ka lindur në Muhurr, Dibër më 01.09.1944. Shkollën fillore dhe atë 7 – vjeçare i mbaroi ne fshatin e lindjes, me rezultate të mira. Me mbarimin e shkollës 7 – vjeçare pati fatin, t’i dalë e drejta e studimit për në shkollën e mesme ushtarake “Skenderbej” Tiranë, studime të cilat i mbaroi në vitin 1962 dhe po atë vit filloi shkollën e lartë të marinës në Vlorë, ku u diplomua në vitin 1965. Gjatë viteve në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” dhe atyre studentore në Shkollën e Lartë të Marinës, Vlorë, Selmani manifestoi inteligjencë e pjekuri, aq sa fitoj dashurinë e respektin e pedagogëve dhe të shokëve studentë. Në Flotën Luftarako-Detare punoi për 36 vjet (deri sa doli në pension), në detyra të ndryshme, si shef organi deri ne vitin 1968 dhe nga 1968 -1978, shef i armëve të nënujshme në Bazën Ushtarako-Detare, Durrës. Kuadri i përgatitur me dije e njohuri të larta profesionale, në vitet 1978 -1980 do të shërbente edhe si pedagog i armëve të nënujshme në Shkollën e Lartë të Marinës, Vlorë, për t’u kthyer pranë familjes (1980 – 2001) si specialist i armëve të nënujshme në distriktin detar Durrës. Selman Rama shërbeu me devotshmëri e përkushtim në të gjitha këto funksione, duke e mbajtur me nder emrin e skënderbegasit dhe të familjes së tij nga fshati i bukur Muhurr, që shtrihet në luginën e Drinit të Zi, në hapësirën mes dy maleve më të lartë të vendit, Korabit e Runjës hijerëndë e kreshnike. Si i tillë, Selman Rama bën pjesë në plejadën e ushtarakëve shqiptarë që u shkolluan në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” dhe në Shollën e Lartë të Marinës, Vlorë dhe që kontribuan për forcimin dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare.


Pas vitit të mbrapshtë ‘’97, kur ushtria shqiptare përsoi disfatë të rëndë, koloneli dibran u angazhua në Flotën Luftarake Detare, Distrikti i Durrës. Me një përkushtim të veçantë, si specialist i talentuar dhe ushtarak i kompletuar ringriti reparte dhe nënreparte të minave dhe ruajtjes së tyre në gjithë vijën bregdetare, me qendër të Porto Romano dhe Kepi i Palit. Përforcoi të gjitha nënrepartet nga Shëngjini e deri në Porto-Palermo. Instruktoi më së miri të gjitha specialitetet e minim-çminimit në këto zona, duke pas nën kontroll dhe përdorim të specializuar, jo vetëm minahedhësit, por gjuejtësit në Dragominë në Katrosiloruset; vendosi në sigurim teknik gjithë arsenalin luftarak mina, predha e municione të tjera të gjujteseve. Me autoritetin e një ushtaraku të kompletuar, me sjelljen e një malësori autoritar, me pak fjalë e shumë punë, Selman Rama e mbylli karrierën e tij si një ushtarak e intelektual i shquar, duke lënë kujtime të paharruara të cilido që punoi me të.
I tillë do të kujtohet ai, jo vetëm nga Familja e tij e nderuar në Durrës e në Muhurr të Dibrës, por edhe nga shokët e miqtë e shumtë që i deshi, e deshën dhe ju mungon aq shumë.

*Anëtar i Këshillit Drejtues Kombëtar të OBVL






Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes