l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

100-vjetori i lindjes së ish-partizanit të Brigadës së 18-të S dhe kryetarit të parë të Kooperativës Bujqësore Muhurr, Dibër

XHETAN PRENÇI, BURRI SHEKULLOR I MUHURRIT E I GJITHË DIBRËS

Halil RAMA

Më 5 prill 2020, ish-partizani i Brigadës së 18-të S dhe kryetari i pare i Kooperativës bujqësore Muhurr, Dibër, Xhetan Prençi festoi ditëlindjen e 100-të. Zoti i fali këtë jetëgjatësi këtij burri trim e të mençur, simbol i urtësisë dhe i njeriut me shpirt sakrifice e humanizmi, që nderon Muhurrin e gjithë Dibrën.
Xhetan Prençi do ishte pinjolli i fisit Prençi, lindur më 5 pril 1920, i cili jeton dhe sot dhe sapo ka mbushur plot 100 vjeç.
Ai mbahet mend nga bashkëmoshatarët për një fëmjëri të mbarë dhe dëshirë per arsimim. Xhetani kishte mbaruar arsimin 5-vjeçar dhe kuptonte shumë mirë zhvillimet e kohës. Në vitin 1943 bëhet aktiv i lëvizjes Nacional- Çlirimtare dhe në gusht 1944 bëhet pjesë e Brigadës së 18-Sulmuese që u formua në Sllatinë, Diber.
Xhetan Prençi ka luftuar me armë në dorë për 30 muaj nga gushti 1944 deri ne Janar 1947, kohë kur u shpërnda Brigada e 18-Sulmuese, ku ai bënte pjesë. Ai ka qenë në vijën e parë të frontit në betejat që Brigada e 18-Sulmuese ka zhvilluar në zonën e Prizrenit dhe Kosovës, deri në kufi me Serbinë.
Në vlerësim të kontributit të tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, më 1 Nentor 1951, Xhetan Zenel Prençi, është dekoruar me “Medaljen e Çlirimit” nga presidenti i kohës Omer Nishani.
Pas vitit 1947, Xhetan Prençi ka punuar si teknik pyjesh dhe si drejtues i pushtetit popullor.
Në vitin 1967 deri ne vitin 1969, do t’i ngarkohej detyra e Kryetarit të Kooperativës Bujqesore Muhurr dhe kështu do të ishte kryetari i parë i kooperatives, pas kolektivizimit të bujqësisë nga prona private në pronë kolektive.
Në këtë funksion të vështirë, Xhetani do të dallohej për vullnetin dhe dëshirën për të punuar dhe për të drejtuar në mbarvajtjen e punëve në kooperativën Bujqesore të Muhurrit, me qëllim përmirësimin e jetesës së muhurrakëve, duke ngritur vlerën e ditës së punës. Për këtë Ai ishte kërkues ndaj punonjësve muhurrakë, por edhe në instancat e larta të partisë dhe pushtetit në rrethin e Dibrës.

SI I SHPËTOI BURGUT PAS “INCIDENTIT” ME ISH KRYEMINISTRIN MEHMET SHEHU
Në vitin 1969, Muhurrin e viziton ish kryeministri i kohës Mehmet Shehu dhe Xhetani do të ishte padyshim njeriu që do e priste bashkë me popullin e Muhurrit. Në takim e siper Xhetani, në rolin e kryetarit të kooperatives do ti drejtohej kryeministrit Mehmet Shehu, duke i kërkuar ndihmë për hapjen e kanalit të madh që merrte ujin në “Gjurren e Kumullës” në Rrasë të Bardhë afer lumit Murra që do të përshkonte gjithë Muhurrin, duke futur nën ujë e vaditje mbi 450 hektar tokë në Fush-Muhurr dhe Vajmdhej. Kështu ky kanal do të ndikonte në rritjen e prodhimit dhe kultivimin e disa kulturave bujqësore. Kryeministri Shehu, duke parë pozicionin gjeografik të Muhurrit mes dy lumenjeve dhe të rrethuar me male tha: “Muhurri duhet të ishte ‘Myzeqe për Dibren’ se i ka të gjitha kushtet klimatike për bujqësinë dhe blegtorinë, por duhet të punoni vetë e njëkohësisht dhe kanalin duhet ta hapni vetë. Po të isha unë kryetar i kooperatives bujqësore Muhurr, nga 50 lek për ditë pune do e kisha ngritur në 200 lekë, por ju kërkoni vetëm partia dhe qeveria”..!


I gjendur përpara këtij presioni të kryeministrit, Shehu, kryetari i kooperativës bujqësore Muhurr Xhetan Prençi, mendoi se zgjidhjen do e gjente te alegoria dibrane, ndaj I drejtohet kryeministrit duke i thënë: “Shoku kryeministër! Unë nuk e kam fuqinë dhe koompetencat tuaja se kanali ka nevojë për lëndë eksplozive dhe punë të specialistëve, pasi mbi 5 km është shumë shkëmborë, ndësa ne nuk i disponojmë”. Pastaj shtoi një alegori dibrane se “edhe pula u mundua ta bëje vezën sa pata, por i plasi bytha”. Kur kryeministri dëgjoi alegorinë, menjëherë urdhëroi arrestimin e kryetarit të kooperativës Xhetan Prençi dhe dërgimin në Peshkopi. Pastaj kryeministri Shehu ju drejtua popullit të Muhurrit se kanali do të hapej nga Partia dhe do jetë dhuratë e Partisë për popullin punëtor të Muhurrit. Për lirimin nga arrestimi të Xhetanit ndërhyri Haxhi Lleshi që shoqëronte Kryeministrin, duke argumentuar se Xhetani, kishte qenë partizan dhe ishte nga një familje e mirë që kontribonte në bujqësi e blegtori. Disa ditë me vonë filloj puna për hapjen e kanalit dhe shumë shpejt e gjithë toka bujqësore në Muhurr u fut nën ujë dhe në sistemin vaditës.
Xhetan Prernçi u lirua brenda ditës nga Dega e Brendshme, por kryeministri kishte urdhëruar se nuk do kthehej më kryetar kooperative. Nga ajo ditë ka punuar si Teknik Pyjesh, deri sa doli në pension në vitin 1985.

Edhe vëllai i vetëm Selimi, “viktimë” e kërkimeve të uraniumit!
Edhe vëllai i Xhetanit, Selim Prençi, 8 vjet më i vogël, do të ishte një “rrebel” dhe i drejtëpërdrejt me të gjithë; me udhëheqësit e pushtetit e të partisë.
Ai do të ishte punonjësi i parë i mbledhjes së taksave pas vendosjes së pushtetit popullor, më pas magazinjer i tregetisë dhe pastaj për plot 27 vite punonjës i pa lodhur në minierat e mermerit, Muhurr dhe Balxhait, duke punuar dhe në kërkimet e Uraniumit, e ku kjo është një histori më vete për Muhurrin, sepse në këto punime, kanë humbur jetën para kohe mbi 20 muhurrakë, midis tyre dhe Selimi. Por nga fisi Prençi, i njohur për bëmat në histori, do spikaste edhe Bajram Prençi si xhandar në Tropojë në kohën e Zogut dhe Mehmet Prençi, oficer i Ushtrisë Shqiptare për 37 vite. Muhurri dhe Dibra nuk do harrojnë zgjuarsinë dhe shkathtësinë e Mexhit Prençit nga Hurdh Muhurri apo vullnetin për punë dhe organizim të Nazif Prençit. Fisi më pas do të trashëgohej nga Faik Prençi, Ajet Prençi, Besnik Prençi si veteriner e zooteknikë në ish-Kooperativën Bujqesore e Ndërmarrjet Bujqësore Dibër, si dhe Avni Prençi si kryeagranom e më pas kryetar Kooperative në Muhurr. Xhelal Prençi do të ishte për 30 vjet mjeshtri i mekanikës dhe duaraartë në SMT, duke nderuar veten, fisin dhe Muhurrin me urtësinë dhe profesionalizmin.
Agron Prençi, Shemsi Prençi e Zenel Prençi, Adrian Prençi, do te ishin ushtarakët e karrierës që do ta përfaqësonin denjësisht fisin dhe Muhurrin në Diber dhe Shqipëri.
Xhetan Prençi kishte dy djem, Besnikun dhe Zenelin të cilet kanë dhënë kontribut në komunitetin e Muhurrit. Besniku si veteriner dhe ndihmesmjek, ndërsa Zeneli si punonjës policie, i cili u vra në krye të detyrës në vitin 2002.

“Varret e Prençit” në Kolosian
Në Kolosian të Kukësit është një vend me emrin “Varret e Prençit”. Ky emër nuk ka mbetur rastësisht, por për të përjetësuar luftëtarët trima të këtij fisi të Muhurit, të rënë në betejen legjandare kundër pushtuesve serbë në Kolosiaon. Një histori qëndrese që ia rrit lavdinë, jo vetëm fisit Prençi, por gjithë Muhurrit.
Kronikat e kohës dëshmojnë se në këtë betejë të përgjakshme janë vrarë disa nga burrat e fisit Prençi si: Rushit Prençi, Isuf Prençi, Bajram Prençi (të vjetrit), Abaz Prençi, Vesel Prençi (pesë kushërinj janë vrarë në front) ndërsa Mysim Prençin e kanë marrë rob dhe e kanë pushkatuar në Zhur, Prizren.
Pas luftimesh të përgjakshme, ata kanë rënë heroikisht në Kolosian të Kukësit e ku dhe sot për shkak të vrasjes së tyre një vend mban emrin “Varret e Prençit”.
Ata ishin pasardhësit e Dalip Prençit, i cili kishte lëvizur shumë dhe e njihte jetën, madje ai kishte qenë një luftëtar i vazhdueshëm në luftrat kundra serbëve, si dhe të Zenel Prençit të vjetër që ishte njohës i mirë i gjuhës turke, pasi kishte udhëtuar në kurbet për në Turqi dy herë nga 7 vite (1913-1919 dhe 1920-1927) dhe pas kthimit kishte arritur të ngrinte tufat e mëdha të bagëtive me fitimet e kurbetit.
Në gjumët e tyre eci vendosmërisht edhe Xhetan Prençi i cili jeton dhe me 5 prill 2020 mbushi plotë 100 vjeç. Ai, gjatë jetës tijë ka dhënë kontribut për përmirësimin dhe shtimin e pyjeve në zonën e Dibrës. Po kështu Xhetan Prençi ka dhënë kontribut për pajtime gjaqesh në zona të ndryshme të Dibrës si dhe për ngatërresa të ndryshme.


Ne pasardhësit e tij, krenohemi me jetën dhe veprën e këtij vigani, luftëtar e patriot, pjesëmarrës me armë në dorë në Luftën e lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, guximtar e i pathyeshëm në kohën kur drejtonte kooperativën bujqësore, duke u ndeshur ballazi me ish kryeministrin Mehmet Shehu e duke vuajtur pasojat e rebelimit të tij në dobi të prosperitetit të Muhurrit...dhe më vonë për vite të tëra si kontributor shembullor për zhvillimin e pyjëve e kullotave. Pikërisht për këtë kontribut të çmuar Ai do të frymëzojë brezat. Ndaj dhe nga zemra na del urimi: I dhëntë Zoti edhe sa më shumë vite jetë në gjirin e familjes së tij të ngrohtë e të nderuar.




Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes