l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PROFIL

VIRON CINXO - MËSUESI I MREKULLUESHËM,
VEPRA E TË CILIT MERITON VLERËSIM TË VEÇANTË

SHPENDI TOPOLLAJ

Kushdo që ka pasur fatin të studiojë në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, e ka shumë të qartë se dashuria dhe nostalgjia për të, por dhe vlerat kulturore dhe atdhetare me të cilat ajo shkollë na mbrujti, në radhë të parë, i përkasin punës së ndershme e plot pasion të trupës komanduese dhe asaj pedagogjike që u takoi të punonin me ata djem të ardhur nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Edhe tani në moshë të shtyrë, skënderbegasit e dikurshëm, u janë mirënjohës atyre, duke i nderuar dhe kujtuar me mall, por edhe u referohen gjithmonë si modele nga më të arrirat të aftësive profesionale, nivelit të lartë kulturor, përkushtimit në detyrë, dhe dashurisë për nxënësit e tyre. Dhe nuk gaboj aspak, po të them se njëri nga përfaqsuesit më dinjitozë të atyre mësuesve dhe mësueseve të mrekullueshme, mbetet Viron Cinxo, i cili për hidhërimin tonë të madh, gjashtë muaj më parë ndërroi jetë.
Trup vogël, por shumë i pashëm, energjik dhe elokuent, i rreptë, por tmerrsisht i drejtë me këdo, mjeshtër i të shpjeguarit thjeshtë e qartë të lëndës më të vështirë, fizikës, ai jo vetëm u bë njeriu më i respektueshëm i yni, por me mençurinë e tij, në sytë tanë krijoi aq besim, sa u bë i denjë për atë thënien e nxënësve të filozofit fizikant Aristotelit, mësuesit të Lekës së Madh: “Ipse dixit!”, pra “e ka thënë ai”, mësuesi, dhe kjo mjaftonte për të mos e zgjatur më tej. Me atë fytyrën përherë paqësore dhe atë shikimin e ëmbël të atyre syve të zinj, portreti i tij është gdhendur së bashku me ato fjalët lapidare se “ju duhet të mësoni për jetën dhe jo për shkollën”. Fillimisht, mes nesh kishte diferenca, pasi kishte atje djem nga kryeqyteti me baballarët gjeneralë, kolonelë a intelektualë të njohur, por edhe barinj që vinin ndofta për herë të parë në Tiranë nga zona të thella e të pazhvilluara, por për mësuesin tonë, ne ishim të gjithë të barabartë. Ai, na trajtonte me shumë takt, pasi nga përvoja e tij e dinte se ne do bëheshim të gjithë të mirë, ndaj përherë në bisedat që bënte me ne, dukej se udhëhiqej nga thënia e La Roshfukosë se “Vlera e bisedës së vërtetë qëndron në thënien e gjithë asaj, që është e nevojshme, e në të mos thënit e asaj që nuk është e nevojshme”. Nuk fliste për ato që na ndanin, por për gjithçka që na bashkonte. Fjala dhe qëndrimi i tij ngjallnin besim dhe optimizëm te ne, e mbi të gjitha dashuri për jetën e vendin tonë. E dinte se ai nuk ishte thjeshtë një mësues i yni, por ishte njëkohësisht një edukator.
Një edukator nga ata që jepnin shembullin dhe frymëzonin me pamjen, gjestet dhe fjalët e matura. Përherë i veshur me shije, me kostum të rregullt e kravatë, i hekurosur dhe me këpucë të llustruara, ai sapo futej në klasë, pasi vendoste regjistrin mbi tavolinë, na hidhte shikimin të gjithve me radhë, sikur donte të na psikologjiste apo të informohej në ishim përgatitur për mësimin e ditës. Ndërkohë, pasonte një heshtje e cila më pas kthehej në vëmendje, derisa e ndiqnim tërë sy e veshë gjatë gjithë orës së mësimit. Kurrë nuk e pamë t`i bënte ndokujt vrejtje, të qortonte dikë apo të nxirrte ndonjërin nga klasa.


Autoriteti që ai gëzonte mes nesh, nuk lejonte as më të voglin çapkënllëk. Dhe në pushim, e shihnim mes kolegëve, duke u interesuar dhe pyetur ata për klasën që kishte në kujdestari. Dhe këtë kujdes ai e ruajti deri vonë, kur u caktua Nëndrejtor i Drejtorisë së Personelit në Ministrinë e Drejtësisë. Personalisht e ndieva këtë, pasi duke qenë jurist, dhe u suprimua vendi im, bëri të gjitha përpjekjet për të më caktuar në Përmbarimin Gjyqësor, pa humbur as edhe një ditë. Më ka mbetur merak që nuk arrita të pija me të një kafe. Ai ishte nga ata që nuk e shiste kurrë nderin që bënte. Dhe kur erdhi një herë në Durrës së bashku me familjen dhe ju luta të uleshim diku, përsëri m`u shmang. Atëherë, nuk m`u ndenjt pa e pyettur se ku qëndronte sekreti që edhe pse jepte lëndën më të vështirë, edhe pse më së shumti ishte aq serioz, përsëri ne e donim aq shumë. Më tha: “Vërtetë nuk e di? Po a mban mend të kem mbetur ndonjë skënderbegas në klasë?” Po! U kujtova që ai punonte me të gjithë, si gjatë mësimit, ashtu edhe gjatë studimit të mbasdites, individualisht. Dhe largohej për në shtëpinë e tij, kur ishte bindur se të gjithë e kishim përvetësuar programin.
Ashtu sikurse u largua atë ditë që u takuam rastësisht tek ai shatërvani i vjetër dhe fjalëve të mia se e nderonim edhe pse ishte aq i ditur, me shaka j`u përgjigj me fjalët e ëill Durantit: “Gjashtëdhjetë vjet më parë i dija të gjitha. Tani nuk di asgjë”. Jo o profesori ynë i paharruar; ti mbete i ditur deri në fund të jetës, paçka se nuk more prej saj atë që meritoje. E di se Presidenti i Republikës është mjaft i vëmendshëm ndaj figurave të tilla, por duke qenë se i ati i tij ka qenë oficer dhe mësues në shkollën e lavdishme “Skënderbej” dhe duhet të ketë dëgjuar prej tij për vlerat e veçanta të modestit e madhështorit Viron Cinxo, duhet t`i akordojë atij, të paktën titullin mëse të merituar “Mjeshtër i Madh”.


Ky do të ishte dhe një nder që i bëhet shoqatës tonë, që nderimin për njerëz si ai e ruajmë thellë brenda zemrës tonë. Ky vlerësim do të shërbejë njëkohësisht edhe si shembulli që duhet ndjekur nga mësuesit tanë sot, kur më shumë se kurrë, arsimi ynë ka nevojë.





Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes