l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Presidenti Meta çmon etnomuzikologun e shquar


Ramadan Sokoli me Dekoratën “Nderi i Kombit”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi etnomuzikologun, kompozitorin dhe pedagogun e shquar Ramadan Sokoli (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje si themelues i etnomuzikologjisë shqiptare, muzikolog, kompozitor e pedagog. Vepra e tij studimore e muzikore është pjesë e patjetërsueshme e identitetit kulturor evropian të shqiptarëve. Kontributet e tij të jashtëzakonshme kanë bërë që të flasin shqip zbulimet e arkeologjisë sonë muzikore, duke dhënë përgjigje shteruese për mënyrën e organizimit dhe tipologjisë bazë të folklorit muzikor shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të vendit tonë”.
Në fjalën e Tij përshëndetëse, në ceremoninë solemne të organizuar, Presidenti i Republikës shprehu kënaqësinë dhe privilegjin që po nderon një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës dhe artit kombëtar.
“Profesor Ramadan Sokoli lindi 100 vjet më parë në qytetin e Shkodrës, ndërsa në Vlorë kishin nisur krismat për të hedhur në det pushtuesit e fundit që kishin mbetur në tokën tonë.
Viti 1920 është një vit i bekuar në historinë e kombit e të shtetit shqiptar. Nis me një ngjarje të madhe siç ishte Kongresi i Lushnjes. Vazhdoi me një ngjarje tjetër në Paris, shumë të madhe që gjithashtu ishte një akt shtetformues. Dhe përfundoi me hedhjen në det të pushtuesve të fundit, duke i dhënë kështu jetë shtetit shqiptar dhe kurorëzuar me sukses ato tetë vite aq të mundimshme, të lodhshme e rraskapitëse që nga 28 Nëntori 1912.
Profesor Ramadan Sokoli kaloi nëpër shumë sfida jetësore duke u shndërruar në një shtyllë të patjetërsueshme referimi për zbulimin dhe shpalosjen e vlerave të jashtëzakonshme kulturore të kombit tonë.
Ai rridhte nga një familje atdhetare dhe qytetare shkodrane, i mëkuar që në djep me patriotizëm nga familja historike e Sokolëve, si pasardhës i denjë i Hodo Pashë Sokolit, njërit prej komandantëve kryesorë të Lidhjes së Prizrenit.
I kthyer plot me ëndrra nga studimet në atdhe, pas Luftës së Dytë Botërore ai u burgos padrejtësisht nga diktatura komuniste, që u mundua më kot të thyente karakterin e paepur të këtij burri kryelartë e fisnik shqiptar.
Profesor Sokoli pavarësisht kalvarit personal dhe persekutimeve si familje ia doli të ngrihej mbi presionin dhe vështirësitë e kohës falë talentit, dinjitetit, formimit kulturor, pasionit dhe trashëgimisë shpirtërore të familjes!
Në moshën 16 vjeç Profesor Ramadani filloi të sjellë në jetë këngët e para si: ‘Blegëron delja’, e më pas, këngën ‘Lulja me erë’, që në demonstratat e viteve ‘80-‘82 në Kosovë e në mbarë viset ku jetonin shqiptarët, u përhap si hymn frymëzues kushtuar lirisë.
Në vitin 1954, si pedagog i ri në Liceun Artistik ‘Jordan Misja’, ai trajtoi për herë të parë lëndën e Folklorit Muzikor duke hapur një kapitull të ri në etnomuzikologjinë shqiptare, që nuk ekzistonte deri në fillim të viteve ‘50-të.
I gjithë kontributi etnomuzikologjik i profesor Sokolit është një enciklopedi e mbartjes dhe e shpjegimit të dukurisë së folklorit muzikor shqiptar në kohë dhe hapësirë shumë të gjerë.
Talentin dhe kapacitetin profesional Profesor Sokoli e tregoi edhe në udhëheqjen e ekspeditave hulumtuese, bashkë me studiues gjermanë, rumunë, etj., në krahina të ndryshme të Shqipërisë, me të cilat pasuroi Fonotekën e Institutit të Folklorit shqiptar.” – vuri në dukje Presidenti Meta.
“Vlerat e veprës së Profesor Sokolit janë ravijëzuar së bashku me rritjen profesionale, shkencore dhe artistike të vetë autorit.
Ajo çka i ka ngjizur ato në një unitet të vetëm rrezatues, është shpirti, puna dhe përkushtimi i tij prej rilindësi të vërtetë.
Falë kontributit të tij të jashtëzakonshëm dhe interpretimeve të tij shkencore, kanë folur shqip zbulimet e arkeologjisë sonë muzikore sikurse janë të mëdhenjtë Niketë Dardani, Jan Kukuzeli e Danush Lapacaja si edhe figura e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut në muzikë.
Gjithashtu janë kryer studime thelbësore për mënyrën e organizimit dhe tipologjitë bazë të folklorit muzikor shqiptar duke filluar prej veglave tona muzikore e deri te përgjigjet e ndërlikuara të origjinës së muzikës sonë popullore, brenda dhe jashtë kufijve tanë shtetërorë.
Po kaq të rëndësishme e konsiderojmë edhe krijimtarinë e tij muzikore të të gjitha llojeve dhe gjinive mbështetur në vlerat e etnomuzikës; e po aq edhe konstatimi se në studimet e tij albanologjike, vështrimi etnomuzikologjik i problemit albanologjik është më se origjinal.
Duke theksuar se puna e tij e jashtëzakonshme u krye pa mbështetjen e duhur dhe pa kujdesin e veçantë që meritonte ky kolos i trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, vepra e tij bëhet edhe më e çmuar sot.
E gjithë vepra e tij mban vetëm vulën e punës së palodhur, të kryer jashtë ambienteve të institucioneve zyrtare të studimit të traditave, nën kujdesin e veçantë edhe të zonjës Lili, gruas së tij të dashur dhe të përkushtuar ndaj tij deri në çastet e fundit. Asaj ai i ka kushtuar veprën ‘16 Shekuj’, për shkak të dashurisë dhe kontributit të saj për veprën e përbashkët.
Vepra e tij studimore dhe muzikore tashmë është pjesë e identitetit kulturor europian të shqiptarëve.
Emri i tij renditet në enciklopeditë e huaja krahas më të mëdhenjve etnomuzikologë të botës.
Pas viteve 1990-të vlerat e kontributit të tij u rivendosën në piedestalin e merituar, i kërkuar në gjithë hapësirën shqiptare si udhëheqës e drejtues artistik i shumë festivaleve folklorike kombëtare e rajonale.
Krijimtaria e tij studimore vazhdoi deri në çastet e fundit të jetës. Me veprën e tij të jashtëzakonshme profesor Ramadan Sokoli është bërë tashmë pjesë e panteonit të personaliteteve më të shquara të kombit tonë.
Për profesor Ramadan Sokolin do të ketë vetëm ditëlindje! – theksoi Presidenti Meta, duke i dorëzuar zonjës Linda Sokoli-Duma dekoratën e lartë për babain e saj.
Në ceremoninë solemne, ku ishin të pranishëm familjarë e të afërm, miq e kolegë, muzikologë, artistë dhe personalitete, fjalën e hapjes e mbajti Zhani Ciko, dhe më pas u luajtën disa pjesë muzikore nga veprat e Ramadan Sokolit, të interpretuara nga artistët Shqipe Zani dhe Kastriot Tusha.





Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes