l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

VETERANI - Speciale


Kuvendi i Bujanit hodhi themelet e shtetësisë së Kosovës

 

Vehap Shita ,

shkrimtar Veteran i LANÇ të Kosovës

Të nderuar

Z Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë Ilir Meta,

Gjeneral-lëjtenant Rrahman Parllaku, Kryetar i OBVLANÇ të PSH.

Akademik Myzafer Korkuti, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,

Të nderuar akademikë, profesorë, doktorë, studiues, studentë e të pranishëm të tjerë,

Të dashur veteranë të LANÇ të Shqipërisë,

Ju përshëndes në emër të Shoqatës së Veteranëve të Lufës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe ju falënderoj për pjesëmarrje,

Më vjen keq që as në Tryezën Shkencore kushtuar 70-vjetorit të Konferencës së Bujanit në Prishtinë as në Sesionin Jubilar kushtuar kësaj date madhore të historisë sonë kombëtare këtu në Tiranë nuk pashë as nuk po shoh ndonjë përfaqësues të vëllezërve tanë nga Çamëria, nga Maqedonia, Lugina e Preshevës e Mali i Zi. Prezenca e tyre do të ishte një sihariq për bashkimin tonë kombëtar me integrimin tonë në Unionin Evropian dhe në botën demokratike.

Të nderuar të pranishëm,

Këto ditë janë bërë 70 vjet  nga dita kur  më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës, është mbajtur  Konferenca Themeluese e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrash të Dukagjinit. Në këtë Konferencë, të mbajtur në kohën e Luftës së Dytë Botërore  dhe në territor të çliruar, është miratuar Rezoluta me të cilën popullit të Kosovës - në bazë të pjesëmarrjes aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në anën e Bllokut Antifashist të Aleancës Veriatlantike – Anglisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Bashkimit Sovjetik - i njihet e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje e  shqiptarëve edhe e drejta për realizimin e dëshirës së vet shekullore  për bashkim me Shqipërinë e bashkim kombëtar...

Shoqata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës tërë aktivitetin e vet gjatë vitit 2013  e ka zhvilluar në shenjë të këtij përvjetori dhe 5 vjetorit të shpalljes së Kosovës Republikë e pavarur dhe shtet sovran e demokratik. Në këtë kuadër, më 13 dhjetor 2013, në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shoqata e Veteranëve të LANÇ të Kosovës ka mbajtur  Tryezën Shkencore të kushtuar 70-vjetorit të Konferencës së Bujanit nën patronatin e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, prof. dr. Jakup Krasniqit, i cili edhe i ka përshëndetur pjesëmarrësit.

Në punimet rreth tryezës kanë marrë pjesë akademikë, studiues, profesorë, publicistë e intelektualë dhe veteranë të  Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ose familjarë të tyre. Pjesëmarrësit i ka përshëndetur  edhe Heroi i Popullit i Shtetit Shqiptar, gjeneral-lejtëntant në pension Rrahman Parllaku, kryetar i Organizatës së Bashkuar të LANÇ të Popullit Shqiptar. Referate, abstrakte e rezyme ose pjesë të referateve në Tryezë kanë prezantuar  16 punëtorë të shkencës e të kulturës nga Kosova dhe Shqipëria.

Po këtë vit Shoqata jonë, në kuadër të këtyre përvjetorëve dhe 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, ka botuar edhe një libër vëllimor më se 700 faqesh mbi veprimtarinë e pjesëmarrësve të LANÇ të Kosovës si “Krah i luftës për çlirim, pavarësi, vetëvendosje e shtetësi të Kosovës në vitet 1990-2012”, në të cilin jemi përpjekur të  prezantojmë identitetin e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë  në periudhën më të re dhe që nga fillet e saj. Kemi  publikuar ose bashkëpunuar për botimin e publikimeve për figurat e shquara të LANÇ të Kosovës dhe të pjesëmarrësve të Konferencës së Bujanit, Zekeria Rexha, Hajdar Dushi, Fadil Hoxha, Xheladin Hana, Emin Duraku, Ramadan Vraniqi e të tjerë...

Janë bërë disa vjet që Shoqata jonë është duke vazhduar një bashkëpunim të frytshëm me Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar në Tiranë. Me ftesën e saj dhe me përkrahjen e Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, disa herë kemi qenë  mysafirë të këtyre dy institucioneve të larta e përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Shqipërisë kanë qenë mysafirë tanë në Prishtinë, Gjakove e qytete  të tjera të Kosovës dhe kanë përcjellje thuaja të gjitha evenimentet tona në Kosovë .

E përdyjavshmja e Organizatës së Veteranëve të Shqipërisë “Veterani” u ka dhënë vend shkrimeve tona për  organizatën tonë e manifestimet që ka organizuar ajo duke ia prezantuar opinionit të gjerë shqiptar këto e ngjarjet dhe figurat e shquara të Lëvizjes dhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës.

Në vazhdën e këtij bashkëpunimi është edhe ky Sesion Jubilar këtu, në Tiranë, me disa referate e fjalë nga Tryeza në Prishtinë. Për këtë paraqitje këtu  falënderojmë Organizatën e Bshkuar të Veteranëve të LANÇ e kryetarin e saj, gjeneral Rrahman Parllakun, e në mënyrë të veçantë dhe me shumë respekt kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë zotin Ilir Meta, i cili po na nderon me pjesëmarrjen e fjalën e tij në këtë kuvend tonë të përbashkët. Kemi falënderuar edhe kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovë, prof. dr. Jakup Krasniqin, i cili, si padron i këtij  evenimenti, është përkujdesur me tërë stafin e tij  për Tryezën tonë kushtuar 70-vjetorit të Konferencës së Bujanit në Prishtinë dhe na ka ndihmuar për mbajtjen e saj.

Falënderojmë me këtë rast edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë që na ka pritur në këtë  shtëpi të mendjes shqiptare e ambient të bukur të saj që të ndërrojmë ca fjalë për këtë ngjarje madhore të historisë sonë kombëtare. Më duhet të falënderoj edhe sineastin nga Tirana, zotin Ilir Buçpapaj, dhe tërë ekipin e tij që kanë realizuar një dokumentar për Kuvendin e Bujanit dhe Televizionin Publik Shqiptar që e ka  emetuar këtë dokumentar në tërë rrjetin e tij.

Kuvendi i Bujanit i ka vënë themelet e shtetësisë së  Kosovës si subjekt  konstitutiv i shtetit të lirë e të pavarur – Republikës së Kosovës që me prerogativa kombëtare shtetërore e njohje ndërkombëtare mund të vendosë për fatin e mëtejshëm të Kosovës e të popullit së saj. Pa dyshim, Kosova është sot shtet i pavarur e sovran mu pse më se 90 për qind e popullsisë së saj janë shqiptarë dhe ata kanë të drejtë e detyrë të vetëvendosin për fatin e vet si subjekt i lirë dhe i barabartë në bashkësinë evropiane dhe ndërkombëtare.

Kjo e drejtë, e fituar – me njohje kombëtare e ndërkombëtare - ishte  platformë dhe fitore e madhe e LANÇ e cila nuk mund të tjetërsohet as të shlyhet me kurrfarë mjetesh institucionale as jashtë institucionale edhe për faktin se është arritur në luftë dhe me luftë në anën e Bllokut Antifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte, është dhe do të mbetet e këtillë. Në mbështetje të saj ishte edhe Kushtetuta e Kosovës e vitit 1974, edhe Deklarata Kushtetuese e Kushtetuta e Kaçanikut e vitit 1990, edhe Referendumi i vitit 1991.

Në bazë të kësaj të drejte të vetëvendosjes, të fituar e të njohur nga aleatët e Bllokut Antifashist në kohën e luftës, jemi të bindur se duhet dhe mund të  arrihet njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës e me këtë edhe zgjidhja e drejtë e çështjes së Kosovës. Mbi këtë bazë dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ndihmën e NATO-s u dëbuan nga Kosova forcat okupuese ushtarako-policore serbe në qershor të vitit 1999 dhe në shkurt të vitit 2008 u shpall pavarësia e Kosovës Republikë - shtet i lirë sovran e demokratik.

Ju faleminderit

(U lexua në Sesionin Jubilar të kushtuar 70-vjetorit të Konferencës së Bujanit të organizuar nga Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ të Shqipërisë, Shoqata e Veteranëve të LANÇ të Kosovës dhe redaksia e gazetes ‘Veterani” në hapësirat e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, më 24 janar 2014).





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes