l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

BOTIME
   
Fundi i  “Rrugës së vetme”

Publicisti i njohur Halil Rama boton librin e tretë me monografi, reçensione e komente

Fundi i  “Rrugës së vetme”, një libër me përfundime të vlefshme

Ka njerëz në botën e medias që shpërthejnë e bëjnë bujë me shkrimet e tyre dhe më pas velen me "arritjet" dhe vegjetojnë në ndonjë parti politike apo institucion, pasi kanë arritur qëllimet e tyre pragmatiste e të mëpastajme.
Ka njerëz në botën e medias që punojnë pa bujë dhe zhurmë dhe me shkrimet e tyre lënë gjurmë, në fillim gjurmë të thjeshta dhe më pas gjurmë që nuk shlyhen nga kujtesa e kombit.
Këtyre të dytëve u përket publicisti Halil Rama, i cili ka botuar librin e tij të tretë me titullin sinjifikativ “Fundi i Rrugës së vertme.
Halili është nga Muhurri i Dibrës. Që në moshë të re ka shkruar në shtypin e kohës, në gazetat "Zëri i Rinisë", "Luftëtari", "Ushtima e maleve" etj., duke qenë një zë i veçantë dhe disi ndryshe për kohën që ishte.
Në vitet 1993-1996, krijon dhe drejton gazetën e parë pluraliste "Bulqiza", gazetë, e cila luajti një rol të madh në zhvillimet demokratike të këtij qyteti të vuajtur minator.
Më vonë, në Tiranë, ai do të shkruajë me guxim dhe dinjitet në gazetat kombëtare "Albania", "Rilindja Demokratike", "Republika”, "Panorama", "Metropol", "Standard",  etj., për t'u stacionuar denjësisht në gazetën e përditshme politike "RD".
Rreth 15 vjet punoi në këtë gazetë (deri në prill 2013 kur largohet me dëshirën e tij), në opozitë dhe në pozitë, dhe kurrë nuk u ankua, kurrë nuk kërkoi privilegj apo vend të rehatshëm për kompensim.
Ka lëvruar të gjitha gjinitë e publicistikës që nga editoriali, lajmi, kronika, reportazhi, raportimi në terren, komenti, intervista etj.


Në këtë libër të ndarë në tre cikle: (monografi, refleksione dhe komente) nuk është pasqyruar as një e qindta e publicistikës së tij të shkruar.


Në libër janë botuar dy fragmente nga dy librat monografikë, disa shkrime monografike, disa komente letrare, disa komente politike dhe disa shkrime që autori i ka pasur për zemër gjatë zgjedhjes rutinë të materialit kaq të madh e të vështirë për t'u zgjedhur.
Por edhe me këtë zgjedhje të thjeshtë dhe pa pretendime del në pah aftësia e autorit si publicist, si analist, si reporter, si njeri i letrave.


Veçanërisht janë vlerësuar nga shtypi, nga rrethet letrare dhe publicistike, monografia kushtuar mendjendriturit popullor Dine Hoxha, monografia kushtuar kompozitorit Muharrem Xhediku, muzikantit që vuri bazat e muzikës së lehtë shqiptare, shkrimet monografike kushtuar Isa Ndreut, Mark Shllakut, Kristo Dakos, Fuat Shtyllës, Rasim Sinës, Kujtim Frangut etj.; kritikat letrare kushtuar romanit "Bibollasit", fitues i çmimit "Petro Marko" të Ramiz Gjinit, analiza letrare e poezisë së Adriatike Lamit, si dhe ajo e romanit “Vetëvrasja e shpirtit” të Naim Berishës, analiza e frymës popullore dhe kritike të alegorisë dibrane, reçensionet e librave shkencore të Dr.Jorgo Dhramit që si një ndër personalitetet më në zë të jurisprudencës shqiptare, me botimet e tij jep një kontribut real në pasurimin e shkencave juridike, si dhe të Prof.Dr.Bardhyl Çipi si një nga antropologët e shquar shqiptarë, etj. Po ashtu në ciklin e dytë “Marshi i çmëndur” gjejmë librin e zi të komunizmit shqiptar në të cilin, Agim Musta rrëfen krimet më monstruoze dhe po në të njejtën linjë edhe analizën ideoartistike të poezisë së Fadil Islam Hoxhës e cila trajton një subjekt serioz, atë të antiskëterrës komuniste me mendime liriko-filozofike, me koncentrim të ngjeshur të figurës letraro-artistike, që shpesh të pushton e të magjeps për frymëzimin e mesazhin e saj. Po ashtu H.Rama i kushton një vëmendje të posaçme librit “Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit islam”.
Në ciklin e tretë, “Dialog nën pushtetin e dhunës” bien në sy edhe komentet politike të një reporteri që e ndjek në terren politikën dhe jo vetëm në podium, komente që flasin me shifra dhe fakte dhe që kanë përfundime të vlefshme.
Duke lexuar këtë libër publicistik, nuk mërzitesh dhe nuk shfleton apo përzgjedh më të mirat, sepse të gjitha duhen lexuar, sepse të gjitha janë cilësore.


Unë jam i bindur se edhe tregimet dhe skicat e shkruara ndër vite do ta pasojnë këtë libër dhe se repertori letrar dhe publicistik i Halil Ramës do të rritet. Kjo është rruga e suksesshme e një gazetari të palodhur.

SAKIP CAMI
poet, publicist




Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes