l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

BOTIME
   
Kosova e lirë, ëndrra e jetës sime

HYRJE
 
Shënime për Kosovën

 
Unë u Linda dhe u rrita në krahinën e Lumës, prefekturë e Kukësit, që historikisht ka qenë pjesë e Kosovës, por që padrejtësisht, si edhe shumë pjesë të tjera të atdheut tonë, nga Konferenca e Londrës e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha Europiane u shkëput nga Prizreni, siç u shkëput Hasi e Tropoja nga Gjakova dhe krejt Kosova nga Shqipëria.
Në kujtesën e brezit tim mbeten të gjalla lidhjet historike të Lumës me Kosovën. Lumjanët në shekuj kanë qenë pjesëmarrës në luftërat për pamvarësi kombëtare, të zhvilluara nga populli shqiptar në Kosovë kundër pushtimit të Turqisë Osmane dhe sidomos në luftërat kundër mizorive sllave e greke.
Këto histori na i mësonin gjyshërit dhe prindërit, i  dëgjonim në bisedat që bëheshin në Odat e Burrave, ku nën tingujt e çiftelive dëgjonim edhe këngët që u këndoheshin udhëheqësve e dëshmorëve të këtyre luftërave.
Në këto oda ne dëgjuam e mësuam këngët e trimave, që kishin rënë në betejat për mbrojtjen e trojeve tona, të atyre të Kosovës Lindore në afërsi të Nishit, të Prokupljes, të Leskovacit e të  tjera.
Këndohej kënga e Jup Topojanit dhe trimave të tij, që kishin rënë në këto luftime, si më poshtë:
 
“Kur vikati Ejup Topojani,
shtatë llogoreve ju vu zjarri,
Në llogoren e parë,  
u vu me serbin ballë për ballë,
Ne llogoren e dytë,
u kap me serbin grykë për grykë,
Bini ju djemt e Jup Topojanit,
bini armikut të Vatanit.”
 
Në një këngë tjetër për një udhëheqës të krahinës sonë thuhet:
 
“Sait Gega në kalin gjok,
i shkon serbit drejt e në top.”
 
Kurse në këngët për betejën më të madhe të zhvilluar në Lumë, ku serbët pësuan disfatë të plotë, e u shkatërrua një divizion i ushtrisë serbe, gjë që s’kishte ndodhur asnjëherë, populli shprehet:
 
“Krajli i serbit po ban medet,
ma faroj Luma asqerin krejt,
Ma faroj Luma asqerin e ngrat,
burrat me pushkë e gratë me spatë.
Mi faroj vojnikët e mi, jo më pak se 12-mijë,
………………………………………….
Djemt e Lumës nuk kan dert,
nga një luftë e bëjnë vjet për vjet,
Luftë me kral e luftë me mbret.”
 
Dihet se pas kësaj katastrofe që pësoi në Lumë, më 1913, ushtria serbe u hakmorr me masakrat më të egra ndaj trojeve tona, në të cilat u vranë qindra burra, gra e fëmijë e u dogjën fshatra të tërë.
Në fshatin tim, drejtuesit të luftimeve, patriotit Islam Basha, në flakët e shtëpisë që po digjej, i hodhën veç fshatarëve të tjerë edhe gruan me foshnjën në gji.
Në kujtesën e brezit tim ishin ngulitur thellë lidhjet historike me Kosovën.
Para disa vitesh, në afërsi tè Shtimjes, vizitova varret e Lumjanëve, sic i quanin vendasit varret e të rënëve në kryengritjet e mëdha të Kosovës që çuan më 1912 në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Në ato varre mes të rënëve nga krahina e fshati ynë gjeta edhe varrin e Kurtish Parllakut, kushëri i babait tim.
Në udhëheqjen e Mbretit Zog, prefektura e Kukësit që përfshinte tri krahina Lumën, Hasin e Tropojën, quhej prefekturë e Kosovës dhe lidhjet e Kosovës me Shqipërinë në atë kohë ishin mjaft të mira.
U ruajtën lidhjet ekonomike, familjare e fisnore të ëkrahinave tona me ato matanë kufirit. Fshatarët e krahinave fqinje me një leje kalimi të marrë në Komunë bënin Pazar në Prizren e Gjakovë. Këto lidhje u shtuan gjatë okupacionit fashist, kur me shpërbërjen e Jugosllavisë, pjesë të Kosovës iu bashkuan Shqipërisë.
Gjatë luftës antifashiste u krijuan kushte e lidhje të tjera me popujt e Jugosllavisë, të cilët ishin të pushtuar, si edhe ne nga nazifashistët. U bëmë sëbashku pjesë e bllokut antifashist të popujve që dhëhiqej nga Anglia, Bashkimi Sovjetik e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe na u krijuan iluzione se me Iuftën e përbashkët të dy popujt tanë do t’i fitonin liritë nacionale e demokratike.
Të pajisur me këto iluzione e pritëm me kënaqësi urdhërin e Komandës së Përgjithshme, që i ngarkonte Brigadës së Ill-të, ku unë isha zv/Komisar, detyrën të shkonte në ndihmë të çlirimit të Kosovës. Urdhërin e prita me gëzim e entuziazëm, se kështu do të më krijohej mundësia të jepja ndihmesën time në çlirimin e popullit vëlla të Kosovës. Një motiv më tepër për ne në këtë luftë ishte se do të luftonim krahas serbëve e malazezëve kundër okupatorit të përbashkët nazifashist dhe se fitorja do të kishte të njejtin çmim për të gjithë, por u zhgënjyem keq, pasi vëllezërit tanë kosovarë mbetën nën sundimin serb.
Për drejtimin e luftimeve në Kosovë u krijua një komandë e përbashkët për të dy brigadat tona, e III-të dhe e V-të që komandoheshin nga Shefqet Peçi, Hito Cako e Hulusi Spahiu dhe komandës së reparteve partizane të Kosovës që komandoheshin nga Fadil Hoxha dhe komisari i tij.
Me çlirimin e Tropojës, nga Komanda e Përgjithshme, brigadës sonë iu ngarkua si detyrë të krijonte brigadën e 25-së të malësisë. Për organizimin e saj u ngarkuan komisari i brigadës dhe zv/komandanti i saj.
Më 17 tetor, nga komanda e përbashkët na u vu detyra që brigada e Kosovës dhe batalioni i I-rë i brigadës sonë të shkonim në ndihme të Brigadës të V-të, e cila luftonte për çlirimin e Gjakovës.
Nga Komanda e Brigadës u caktova të shkoja unë me batalionin, pasi do të shoqëroja edhe të deleguarin e korp-armatës, Manush Myftiun, që sipas porosisë së marrë nga Komanda e Përgjithshme e ushtrisë sonë, do të takonte Gani Beg Kryeziun në Devë te Gjakovës.
Me të arritur në afërsi të Gjakovës, në të zbardhur të 18 tetorit, u informuam se forcat e Brigadës së V-të, të goditura njëkohësisht nga dy krahë, nga Prizreni dhe Peja me forca të shumta naziste, nën rrezikun e rrethimit ishin tërhequr.
I lamë forcat të bënin pushim dhe bashkë me Manushin shkuam të takonim Gani e Hasan Kryeziun. Kujtimet dhe vlerësimet për këtë takim po i jap në kumtesën si më poshtë vijon:
 
 
 
  Kumtesë
Konferencë Shkencore për kontributin e Kryezinjve në Luftën Antifashiste,
( Mbajtur në Prishtinë, Shtator 2006)

Të nderuar zonja e zotërinj,

Mendoj se meritojnë përgëzime iniciatorët dhe organizatorët e kësaj Konference Shkencore, që ka për qëllim të evidentojë e të nxjerrë më mirë në dritë kontributin e vëllezërve Kryeziu në Luftën Antifashiste për çlirimin kombëtar.
Në referatin e kumtesat e paraqitura këtu nga studiues e historianë u sollën fakte e dokumente që e argumentuan këtë kontribut të reparteve, që drejtoi në luftën kundër pushtuesve nazifashistë Gani Kryeziu.
Jam i bindur se vetëm duke u vlerësuar drejt, pa politizime e ekstremizëm kontributin e të gjitha forcave që luftuan kundër pushtuesve, do të vihet mbi baza të drejta shkencore historia e periudhës së luftës për çlirimin kombëtar dhe kontributi që dha populli e kombi ynë edhe në kuadër të Aleancës Antifashiste të popujve në Luftën e Dytë Botërore.
Duke patur parasysh se këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe kjo Konferencë, e pranova me dëshirë e kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në punimet e saj.
Mua, tashmë në moshë të thyer,  më gëzon çdo iniciativë e veprim i intelektualëve, historianëve e shkencëtarëve, për t’ua lënë brezave të ardhshëm sa më të saktë e të drejtë historinë e luftës dhe të sakrificave që bëri brezi im në këtë luftë, pa marrë parasysh ç’grupimi politik i takonte, por që luftoi me vetmohim për çlirimin e vendit.
Unë në këtë konferencë do të sjell disa kujtime nga takimi me vëllezërit Hasan e Gani Kryeziu, në fshatin Devë të Gjakovës, më 18 tetor 1944. Në këtë takim unë shoqëroja Manush Myftiun, i deleguar i Koorparmatës së I-rë pranë brigadave të V-të dhe të III-të, ku unë isha me detyrën zëvendës komisar i kësaj të fundit.
Takimi u bë sipas porosisë qe kishte marrë Manushi nga Komanda e Përgjithshme që t’u bëhej thirrje vëllezërve Kryeziu t’i dorzonin forcat në brigadat tona dhe të shkonin pranë Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar, ku do të kishin vendin e tyre në ketë kryesi e në organet e tjera drejtuese të asaj kohe.
Dua të theksoj se pritja nuk ishte e këndëshme për ne.
U krijua një situatë e tensionuar dhe Hasan Begu, në zemeratë e sipër, na u drejtua:
“Ju na kërkoni t’i dorëzojmë forcat e të vijmë pranë Shtabit e Këshillit tuaj! Na thoni, si do vijmë?! Si peng e rob, siç na keni marrë vëllaun tonë, Sahitin, ashtu siç na arrestuat perfaqësuesit aletatë, ashtu si na e morët dhe na e vratë këshilltarin tonë politik Zoi Fundo?! E tani po na ftoni të jemi pjestarë në frontin tuaj!”.
U përpoqa t’i sjell këto shprehje ashtu si i tha Hasan Begu e siç janë ruajtur në kujtesën time edhe pas 62 vjetësh.
Gani Begu u tregua shumë më i përmbajtur, por i prerë në qëndrimin e tij. Ai kërkoi së pari te sqarohej përse u ndërmorrën ato masa ekstreme ndaj nesh e ndaj përfaqësuesve aleatë, të cilat mund te çonin në vëllavrasje mes nesh; “ përse u vra pa gjyq Zoi Fundo!... Duam të dimë nëse këto u bënë me urdhër të Komandës së Përgjithshme apo ishin masa ekstremiste të reparteve partizane, siç u veprua kundër Muharrem Bajraktarit në Lumë e u derdh gjak shqiptari nga të dyja anët!... Pa u sqaruar këto çështje nuk mund të kemi besim se do të jemi të mirëpritur siç po na thoni ju dhe se do të vlerësohet drejt kontributi ynë në luftë”.
Manushi u përpoq t’i bindte se çdo gjë do të sqarohej dhe  do të vlerësohej drejt, pasi ky ishte mendimi i udhëheqjes të lartë të luftës.     Bisedën e mbylli Gani Begu, me kërkesën se prisnin prova për tu bindur, dhe se më parë kërkonin kthimin e Sahitit e më pas do të vendosnin për qëndrimin ndaj kësaj ftese. Meqë ishte kohë dreke, na shtruan bukën dhe pas drekës u ndamë më vëllezërit Kryeziu. Manushi u premtoi edhe një herë se kërkesat e tyre të plota do t’ia bënte me dije udhëheqjes të lartë të Komandës së Përgjithshme dhe Kryesisë së Frontit Nacional Clirimtar.
E përcolla Manushin deri ne Qafë Prush dhe u ktheva ne Brigadë.
Këto ishin kujtimet e mia nga takimi që patëm me vëllezërit Kryeziu, por me aktivitetin e tyre gjatë luftës u njoha  nga drejtuesit e Brigadës se 25-së të Malsisë së Gjakovës, e cila hyri ne vartësi te Divizionit të Pestë, që unë komandova gjatë luftimeve në Sanxhak e Bosnje në dimrin e vitit 1945.
Komandanti i Brigadës Veli Niman Doci, shefi i zbulimit të divizionit Shpend Dega, komandanti i batalionit te Hasit, Ismail Poga e të tjerë, të cilët kishin qenë më parë kuadro drejtuese të luftës në Malësi e Has, më kanë folur gjerësisht për veprimet luftarake të reparteve që komandonte Gani Kryeziu dhe për bashkëveprimin me to gjatë luftimeve kundër forcave nazifashiste. Sipas tyre, asnjëherë nuk kishin pasur konflikt me forcat e Gani Begut.
Ndërkohë, këto të dhëna m’i ka vërtetuar edhe shoku e kolegu im, Gjeneral Sadik Bekteshi, i cili gjatë operacionit nazist gjerman të dimrit 1943 – 1944 ka vepruar në krahinat e Malësisë së Gjakovës me batalionin “Perlat Rexhapi” të Shkodrës, që ai e komandonte. Sadiku ndante të njëjtat mendime me Veliun, Shpendin, Ismailin e të tjerë. Veçanërisht ato vlerësonin luftimet e forcave që kishte komanduar Gani Kryeziu në shkatërrimin e minierës së Kamit e lirimin e qindra të burgosurve të kombësive të ndryshme të rajonit tonë, që shfrytëzoheshin si skllevër nga nazistët. Siç dihet këto luftime u bënë shkak për vrasje, djegje e raprezalje në masë që bënë gjermanët në krahinën e Bytycit, e cila ishte edhe baza kryesore e Kryezinjve në Malësinë e Gjakovës.      Këto vlerësime patëm parasysh unë e Sadik Bekteshi që  ngulëm këmbë të njihet Lufta Antifashiste e Kryezinjve dhe luftëtarëve të tyre t’u jepet Statusi i Veteranit të Luftës, i aprovuar në nëntor 1994 me dekretin e Presidentit të asaj kohe, Zotit Sali Berisha.
Më lejoni që edhe një herë të shpreh bindjen se kjo Konferencë dhe punimet e tjera që do e pasojnë do ta nxjerrin më të plotë kontributin e vëllezërve Kryeziu për çështjen kombëtare dhe do të jenë një ndihmesë për ta shkruar historinë e Luftës Antifashiste jashtë ndikimeve politike e jo siç është shkruar deri tani.
Ju faleminderit për vëmendjen.

 

Gjeneral Rrahman Parllaku
Fragmente e kujtime nga lufta për çlirimin e Kosovës dhe popujve të ish Federatës Jugosllave


Pas takimit e përcolla Manushin deri në Qaf-Prush, u ktheva te forcat tona dhe bashkë  me komandën e brigadës së I-rë Kosovare dhe me komandën e batalionit tonë e shqyrtuam gjendjen dhe vendosëm të mos ktheheshim më nga Rrafshi i Dukagjinit, por të qëndronim aty dhe të godisnim forcat armike.


U informuam se forcat kryesore gjermane dhe ato të Divizionit “SS” Skënderbe ishin përqendruar në sigurimin e lëvizjes së lirë të forcave naziste, që tërhiqeshin në aksin rrugor Prizren-Gjakovë-Pejë dhe Prizren-Kukës-Shkodër.
Nyje tjetër kryesore ku ishin perqëndruar forca të shumta, veç qyteteve, ishte rajoni Junik-Deçan, ku terreni ishte i përshtatshëm për goditje të befasishme.


Vendosëm të përqendrojmë sulmin në këtë nyjë të rëndësishme, pasi një nga detyrat tona kryesore ishte të godisnim e dëmtonim rrugët që pengonin tërheqjen e forcave gjermane, të cilat shkonin me shpejtësi e të organizuara në frontin e perëndimit kundër aleatëve. Kjo detyrë na ishte  ngarkuar nga Shtabi ynë i Pergjithshëm.
Për të ruajtur befasinë e sulmit, vendosëm t’i afroheshim objektit natën. Marshuam në një natë me shi e mjegull, por armiku vepronte në terrenin e tij të njohur e të kontrolluar mirë. Ai ishte i informuar se kishin mbërritur forca partizane nga Shqipëria, kishte marrë masa sigurie dhe kishte nxjerrë pararojën e tij para Junikut.
Përpjekja me rojet armike filloi pa zbardhur dita dhe kështu befasia jonë nuk u arrit.
Sipas vendimit që kishim marrë sëbashku me Zyfer Musiçin, komandantin e brigadës së I-rë të Kosovës, urdhëruam forcat të hapeshin në formacion luftimi dhe të kalohej menjëherë në mêsymje.


Batalioni i brigadës së III-të sulmoi qendrën e Junikut, ndërsa dy batalione të brigadës kosovare sulmuan nga të dy krahët.
Sulmi ishte i shpejtë. Me të aguar mëngjesi, ne hymë me luftë në Junik, por atje u pritëm me zjarr të organizuar. Qëllohej nga të gjitha shtëpitë. Qelloheshim nga frengjitë e kullave dhe na u vranë e na u plagosën mjaft shokë. Megjithatë ne e morëm qendren e Junikut brenda dy orëve dhe vazhduam sulmin drejt fshatit Voksh, por batalionet që sulmonin nga krahët ishin hapur shumë në lagjet e fshatit dhe kishin mbetur prapa. Partizanët e brigadës kosovare ishin të rinj dhe nuk kishin as përvojën dhe as kalitjen e partizanëve tanë, që kishin me tepër se një vit qe ishin organizuar në brigada dhe kishin perballuar me luftë dy operacione te medha të forcave naziste.
Armiku duke vlerësuar situatën e forcave tona, pasi na goditi me breshëri të forta zjarri nga artileria gjermane, kaloi ne kundërsulm.


Forcat tona të pykëzuara në thellësi te formacionit armik rrezikonim të rrethoheshim. Të ndodhur në këtë situatë vendosëm të tërhiqeshim nga qendra e Junikut, duke mbajtur lagjet në anën jugore te lumit, që ndan fshatin përmes. Ky pozicion nuk ishte i përshtatshem, por do të qëndronim aty, deri në të errur, me qëllim që të mos dëmtoheshim gjatë tërheqjes, pasi - armiku kishte superioritet në njerëz dhe sidomos në armatime. Artileria gjermane godiste pa pushim pozicionet tona. Duke berë bilancin e luftimeve të ditës rezultonte se kishim gjithsej 16 te vrarë dhe 35 të plagosur. Vetëm nga batalioni yne ishin 7 të vrarë e 12 të plagosur, në mes tyre komisari i kompanisë, Kozma Papadhimo, zv/komandanti i kompanisë, Mihal Tase dhe trimeresha nga Libohova, Ylbere Bilibashi, Heroinë e Popullit.


Pasi analizuam situatën në të cilën ndodheshim, gjendjen e forcave tona në raport me armikun, pozicionet e papërshtatshme për mbrojtje, sëbashku me komandën e Brigadës së I-rë Kosovare dhe me komandën e batalionit vendosëm, që gjatë natës, ti tërhiqnim trupat në pozicione të reja, para Botushes dhe të organizonim mbrojtje të qendrueshme.
Bashkë me Zyfer Musiçin i bëmë një raport të hollësishëm komandës së përbashkët në Tropojë, ku jepnim rezultatet e luftimit të ditës së parë dhe vendimin për t’u tërhequr në pozicione të reja për të shmangur humbjet, nisur nga raporti ynë i pabarabartë me armikun në njerëz dhe veçanërisht në armatime. Ne raport i propozonim Komandës, se për të marrë Junikun e rrethinat pa tjetër duhet të angazhoheshin në luftime të gjitha forcat e brigadës së III-të, pasi sipas të dhënave në Junik ishin grumbulluar mbi 1000 forca - mbeturina të divizionit SS “Skënderbe”, regjimentit “ kosova” dhe mbështeteshin me armë të rënda, si artileri dhe disa mjete të blinduara nga nazistët hitlerianë. Gjithashtu kërkonim që gjatë luftimeve të siguroheshim nga ana e Gjakovës, duke u mbrojtur nga shpina me forca të brigadës së V-të.
Propozimet tona ishin pranuar nga Komanda e Përbashkët dhe u lajmëruam që unë e Zyfer Mysiçi të shkonim në Qafë-Morinë për të marrë detyrën e re.
Aty na priste Hulusi Spahiu, komandant i brigadës tonë të III-të, i cili na komunikoi detyrën e komandës së përbashkët, në të cilën aprovohej propozimi im e i Zyferit se nga Brigada e III-të, na jepeshin dy batalione dhe ne vend të batalionit te II-të, që ishte ne Krasniqe, na jepej si përforcim batalioni i IV-të i brigadës së V-të. Aty gjetëm edhe komandantin e këtij batalioni, shokun tim te Vlorës, Halim Xhelon, që morri edhe ai detyrën.
Unë e Zyferi i paraqitëm Hulusiut planin e veprimeve luftarake, në të cilin parashikonim që goditja kryesore do të jepej në të majtë të rrugës Gjakovë - Pejë për Junik, Voksh e Deçan. Në këtë drejtim do të vepronin Brigada e I-rë dhe batalionet e Brigadës së III-të e të V-të. Veprimet luftarake në këtë drejtim do ti koordinonte, komandanti i Briadës së I-rë, Zyfer Mysiçi, kurse me dy bataljone të Brigadës së III-të, do të godisnim Junikun nga ana perëndimore nga Padeshi, nga lart-posht, pasi mendonim se armiku nuk priste sulm në këte drejtim. Luftimet në këtë anë do ti drejtoja unë.
Marshimi nga Morini për në Padesh qe mjaft i vështirë. Ishte një ngjitje e lodhshme që na shoqëronte nga koha me shi. Kur dolëm në Padesh na zuri një llohë bore dhe i futëm partizanët në shtëpitë e fshatit, që të ngroheshin e të hanin çka mund t’ju ofrohej nga të zotët e shtëpisë. Pa zbardhur dita u vumë në marshim drejt Junikut. Prisnim të na jepej sinjali i sulmit nga Zyferi, duke menduar se deri afër Junikut nuk do të gjenim forca kundërshtare, por ishim gabuar. Me të zbritur në livadhet e Koshares u pritëm me zjarr të befasishëm. Vendi ishte i pyllëzuar, ishte muzg mëngjezi dhe koha ishte me mjegull e me shi. Situata ishte shumë e vështirë, batalionet tona qe u hapen në formacion luflimi e sulmuan vrullshëm. Gjithashtu një e metë e komandave tona, që nuk u riparua deri në fund të luftës, ishte se komandanti do të ishte i pari në sulm dhe i fundit në terheqje. Kjo parullë mund të ishte e vleshme për reparte te vogla, si njësite e çeta që mund të kontrolloheshin me një sy, po për repartet, batalionet e më lart, vendi i komandës duhej vendosur në një pikë nga ku mund të drejtohej më me lehtësi.
Kjo mangësi na shoqëroi edhe gjatë kësaj lufte, kur komandat e batalioneve shkuan përpara dhe unë mezi munda të ndaloj Tajar Asllanin, zv/komandant batalioni dhe Spiro Panon, komisar batalioni që të drejtonin luftimet bashkë me mua, pasi nga kjo mangësi e kisha pësuar edhe vetë, kur i gjendur gjithmonë në ballë të luftës u plagosa në Kallarat të Vlorës, ku drejtoja luftimet me detyrën e komisarit të batalionit dhe në Junik kur isha zv/komisar brigade.
Luftimet i filluam para se te jepej sinjali për sulm nga Zyfer Musiçi, që drejtonte forcat kryesore, ndërkohë që ata e filluan sulmin pasi dëgjuan zhurmën e luftimeve tona.


Luftimet ishin të ashpra dhe në distance të afërt. Pasi pylli, mjegulla e shiu nuk të lejonin fushëpamje. Kjo bëri që një skuadër te binte në pritë të armikut. Na u vranë 5 luftëtarë me në krye 17- vjeçarin e spikatur për karakterin dhe aftësitë e tij drejtuese e organizative, zv/komisarin e kompanise, Agim Gilanin, djalin e kolonelit të njohur Rexhep Gilani dhe komandantin e togës, trimin me zë nga Fratari i Dishnices, Hysni Jahon.
Kushtet e terrenit patën edhe anën e tyre të mirë, pasi duke mos përcaktuar dot vijën ndarëse midis forcave tona dhe atyre të armikut, mundem ti shpëtonim zjarrit të artilerisë gjermane.
Duke mos e përballuar dot sulmin e forcave tona, armiku filloi tërheqjen e pa organizuar, kështu edhe humbjet tona ishin me të pakta. Edhe në drejtimin ku ishin përqëndruar forcat kryesore sulmi po përparonte me sukses, ketë ne e kuptonim nga jehona e armëve që po i afrohej Junikut, pasi na mungonin mjetet e ndërlidhjes dhe në aq largësi nuk mund të shikohej asgjë.


Rreth orës 11.00 koha filloi të hapet. Ne që nga lart po i afroheshim Junikut dhe po dallonim si po largoheshin nga fshati banorët me qerre e bagëti. Ata kishin renë pre e propagandës se “partizanët vrasin këdo që gjejnë në fshat” dhe ishin në ikje e sipër. Ne orët e drekës, forcat tona hynë në fshat nga dy drejtime dhe rreth orës 16.00 forcat armike i ndoqëm deri në afërsi të Vokshit e Pobrezhjes, ndërsa Juniku ishte plotësisht në dorën tonë.
Ishte shumë e trishtueshme të hyje në një fshat të braktisur krejtësisht dhe me më shumë se 400 shtëpi e të mos gjeje asgjë të gjallë veç pulave e maceve.
Gjatë këtyre luftimeve, në brigadën e III-të, vetëm në Junik, patëm 19 të vrarë e 27 te plagosur. Për humbjet e brigadës kosovare nuk mund të jap shifra të sakta, por di që bashkërisht patem mbi 40 të vrarë e rreth 60 të plagosur. Nuk mund të flas me hamendje për humbjet e armikut, por me sa më kujtohet partizanët varrosën 37 kufoma dhe nuk dihet sa të vrarë e të plagosur u tërhoqën prej tyre.
Dihet se në historine e luftërave, ku edhe ne nuk bëjmë përjashtim, humbjet e armikut, jepen 2-3 herë më të mëdha se tonat, kështu gjejmë raporte e kronika me absurde të tilla si: “u vranë 20 armiq, ne patëm vetëm 2 të plagosur”. Unë jam përpjekur të jem realist dhe në raportet për luftimet e divizionit janë të pasqyruara saktësisht humbjet e armikut.
Me të pushuar luftimet, mblodhëm komandat e batalioneve dhe u dhamë urdhër të prerë se do të përgjigjeshin personalisht e do të dënoheshin rëndë, në se do të prekej pasuria e popullit ose do të dëmtohej ajo. Kjo porosi i kaloi menjëherë çdo partizani.


U dhame leje të hanin çfarë të donin, pasi Juniku kishte ushqim me bollëk; bylmet nga maza e gjalpi, djathi, gjiza, zarzavate e pemë, por edhe mjalti e mishi nuk mungonin. Patëm rastin ti provonim te tëra.
Ne luftime e siper forcat e batalionit të parë të Brigadës së III-të kishin rrethuar një kullë në të djathtë të rrugës Gjakovë - Pejë, diku në mes të Botushes dhe Junikut, të rrethuar me mure e me një oborr te gjerë që brenda tij kishte ndërtesa shërbimi e ahure bagëtish. Në këtë kullë ishin ngujuar një numër i madh armiqsh që bënin rezistencë e nuk dorëzoheshin. Urdhërova që të forcoheshin rojet e kulla të mbahej e rrethuar. I porosita të ruheshin nga demtimet, pasi të ngujuarit s’kishin rrugë tjetër veç të dorëzoheshin. Kullën e mbante të rrethuar kompania e II-të, e komanduar nga Feti Rugji. Pas dy ditësh të ngujuarit hapën derën e oborrit dhe lëshuan kuajt e shalës të ngrehur në pajtona duke krijuar zhurmë të madhe e duke tërhequr vëmendjen e partizanëve në atë drejtim, ndërsa nga një qepeng në anë të kundërt nxorën nga rrethimi komandantët e tyre, mesa më kujtohet, Rexhep Devën, Demali Pozharin, një kapiten gjerman e të tjerë. Për të mos bërë zhurmë, rojen tonë në atë drejtim, partizanin nga Shëngjergji i Tiranës, Ramiz Trimin e vranë me bajonetë.
Të nesërmen, në Junik, mora lajmin se ishin dorëzuar gjithësej 27- vetë. Bashkë me zv/komandantin e batalionit, Myslim Ketën, shkuam në vend dhe kërkuam të takoheshim me komandantët, por mësuam se përgjegjësit e tyre më kryesorë kishin mundur t’i nxjirnin nga rrethimi.


Partizanët ishin shumë të irrituar dhe kërkonin me kembëngulje pushkatimin e tyre. Unë me Lymin nuk ishim dakord. Po të ziheshin udhëheqësit e tyre, le të pushkatoheshin, por jo luftëtarët e thjeshtë. Ishte e pamundur t’i bindnim partizanët, që argumentonin: “Janë kriminelët e Xhafer Devës që kanë marrë shumë jetë njerëzish, kanë bërë masakrën e 4 Shkurtit në Tiranë, njihen për krime të shumta në Shkoder”. Atëherë u kërkuam kohë të pyesnim Shtabin e Përbashkët. Nisëm një letër me dy korrierë të shpejtë dhe morëm përgjigjen që t’ju mbanim armët dhe ti lironim. Ndjeva një lehtësim. Pasi ju morëm armët i porosita të sqaronin popullin se ne nuk kishim ardhur në Kosovë të vrisnim vëllezërit tanë, por ti ndihmonim ata të çliroheshin nga nazifashistët dhe jua bëra te qartë se nëse do të bashkoheshin prapë me gjermanet, për ta nuk do të kishte falje. Që prej asaj dite, asnjë pushkë kosovari nuk qëlloi kunder nesh. Luftimet për çlirimin e Deçanit e rrethinat e Pejës u drejtuan vetëm kundër Gjermanëve. Lirimi i tyre pati jehonë në të gjithë Kosovën. Junikasit na kërkuan të ktheheshin në fshat, po për siguri kërkuan besën e Sabries (Bije Vokshit). Menjëherë e lajmëruam Fadilin në Tropojë të na dërgonte Bijen. Ajo mbërriti brenda ditës dhe Junikasit me besën e derës së Vokshajve u kthyen menjëherë. Ju thashë se ishim përpjekur të ruanim të padëmtuara pasuritë e tyre, se dyert e hapura i kishim mbyllur, por partizanëve ju kishim dhënë leje të hanin çfarë të donin nga ato që do gjenin dhe ju theksova se po të na kishin pritur si zotër shtëpie, do të kishim ngrënë atë që ata vetë do të na kishin shtruar në sofër. Përgjigja e tyre ishte: “Ju pastë ba mirë gjithçka që keni ngrënë”. Dua të theksoj se i vetmi dëm në Junik u bë ditën e parë të luftimeve, ku u dogjën 5-6 shtëpi në të cilat u gjetën trupa partizanësh të vrarë nga frëngjitë e tyre. Bije Vokshi qëndroi disa ditë pranë forcave të Brigadës së III-të dhe çdo ditë, fshatarë të fshatrave të Pejës vinin të takoheshin me të dhe të ftonin forcat e brigadës sonë në fshatrat e tyre.
Që nga 26 tetori Junikasit filluan të ktheheshin dhe  fshati u gjallërua. Partizanët ishin të mirëpritur në çdo familje. Deri më 30 tetor, përpjekjet tona me nazistët ishin sporadike, ata herë pas here na lëshonin batare artilerie, por pa një objektiv të përcaktuar.


Ne 30 tetor, në front, pranë forcave të brigadës erdhën  komandanti nga komanda e përbashkët dhe komisari e zv/komandanti, që kishin mbaruar punë me krijimin e Brigadës XXV-së. Kështu komanda e brigadës u kompletua, pasi deri atëherë une kisha komanduar i vetëm luftimet për çlirimin e Junikut. Bashkë me ta erdhi edhe Batalioni i II-të i brigadës.
Me bashkimin e komandës dhe grumbullimin e të gjitha forcave të brigadës, tashmë edhe të çlodhur nga luftimet, vendosëm të godasim amikun në fshatrat e krahinës së Pejës dhe kryesisht Deçanin, si nyje në rrugën Gjakovë - Pejë, sidomos të shkatërronim urat mbi lumin Bistricë, si edhe të ndërprisnim rrugët e tërheqjes të forcave naziste, që ishte edhe një nga detyrat kryesore të ngarkuara nga Komanda jonë e Përgjithshme.
Prej datës 30 tetor, deri me 10 nëntor luftimet ishin të ashpra, me sulme e kundërsulme nga të dyja anët, sidomos kur luftohej për Deçanin dhe për pikat e kalimit mbi lumin Bistrica.
Edhe veprimet luftarake për çlirimin e Deçanit e rrethinave të Pejës u zhvilluan në bashkëveprim me Brigadën e I-rë të Kosovës. Ajo vepronte në krahun e djathtë të forcave tona, me drejtim ndihmues, pasi ajo kishte efektiv më të vogël se gysma e efektivit të brigadës sonë dhe në atë kohë po plotësohej me partizanë të rinj, që vinin nga Peja e fshatrat përreth saj.


Më 10 tetor, njëkohësisht me çlirimin e Deçanit mësuam edhe për çlirimin e Gjakovës. Kështu nazistëve iu ndërpre përfundimisht rruga e tërheqjes. Ata u tërhoqen si mundën fushave në këmbe, me kuaj e karroca, duke shkatërruar e braktisur armët e teknikën e rënde.
Gjermanët i përqëndruan forcat përreth Pejës në mënyrë që të mbanin të lirë rrugën Pejë - Mitrovicë dhe Istokun, që nazistët që tërhiqeshin fushave në mënyrë të çrregullt të kishin mundësi të kalonin nga Peja e nga gryka e Rugovës për në Mal tëe Zi dhe nga Istoku, nëpërmjet rrugëve malore, për në Sanxhak.
Luftimi i fundit serioz me gjermanet u zhvillua nga Batalioni i IV-të, në fshatin Lumbardh, kur forcat tona goditën prapavijën e një kolone gjermane prej 300 vetësh, që tërhiqej fushave.
Goditja ishte e menjëhershme. U vranë mbi 30 nazistë e u zunë 4 robër, shumë armatime e materiale te tjera luftarake. Nga ne pati 4 të vrarë, mes tyre djali trim nga Kurveleshi, komisari i kompanisë, Mersin Lekdushi dhe 9 te plagosur. Ketu u mbyllën luftimet në Kosovë. Me 17 nëntor, kur së fundmi u çliruan edhe dy qytetet kryesore, Prizreni dhe Peja dhe kur gjermanët u tërhoqën përfundimisht nga Rrafshi i Dukagjinit.


Hyrja e brigadave tona në Peje u prit me festë. I gjithë populli kishte dalë ne rrugë e na mbuloi me lule. Mitingun e përshëndeti komandanti i brigadës sonë, Hulusi Spahiu.
7 ditët që qëendruam në Peje, partizanët ishin të mikpritur në çdo familje. Ata u lanë, u çlodhën e u ushqyen me gjithë të mirat. Mikpritja na u ofrua nga shqiptarët, malazezët e serbët pa asnjë dallim.
Ditët e nëntorit patën një rëndësi të veçantë për brigadën tonë. Në radhët e saj hynë mbi 500 partizanë të rinj kosovarë. Ata vinin me dëshirë në radhët tona, pasi e ndjenin veten të sigurtë kur luftonin krah partizanëve tanë. Një pjesë e tyre kishin luftuar kundër nesh, si pjesë e divizionit “Skënderbeg” ose regjimentit Kosova, por ata u pritën me mirëdashje dhe u trajtuan pa asnjë dallim nga partizanët e tjerë.


Me çlirimin e Kosovës brigada jonë i plotësoi me nder të katër detyrat e ngarkuara nga Komanda e Përgjithshme:
Ndihmuam në çlirimin sa me shpejt të popullit të Kosovës, nxitëm pjesëmarrjen sa më masive të shqiptarëve në luftë, me qëllim që edhe ata të bëheshin pjestarë të Aleancës Antifashiste të Popujve që udhëhiqej nga Anglia, Bashkimi Sovjetik e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që edhe ata të kishin të drejtën për vetvendosje, pasi deri atherë kosovarët me divizionin (SS) Skënderbeg e regjimentin Kosova kishin luftuar në anën e gjermanëve dhe me qeverinë Deva-Mitrovica. Kosova ende nuk e kishte përcaktuar pozicionin e saj antifashist dhe kjo ishte në interes të serbëve për ti quajtur kosovarët bashkëpunëtorë të nazifashizmit dhe për të vënë në jetë planin e Çubrilloviçit të spastrimit etnik të Kosovës, por pjesëmarrja e kosovarëve në luftë ua dogji këto plane.
Ndihmuam në ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtare që do të ishin në shumicë shqiptare dhe së fundi goditem forcat e Grup-Armatës ERE, i dëmtuam e i penguam të mos tërhiqeshin në mënyre të organizuar në frontin e perëndimit, ku synonin të shkonin, si edhe shkatërruam rrugët e tërheqjes së tyre në mënyrë që të humbnin armatimin dhe teknikën e rendë ushtarake.
Plotësimi i këtyre 4 detyrave ishte edhe një kontribut tjetër që jepte populli shqiptar në luftëen antifashiste.
Me luftën në Kosovë kuadrot drejtuese dhe efektivi rriten aftësite e tyre, fituan eksperience të re luftarake, u shtuan radhët e tyre me partizanë të rinj dhe u rrit e u forcua aftësia e gatishmëria luftarake e njësive e reparteve për luftimet e ardhshme.
Me mbarimin e luftimeve në Kosovë, nga komanda e brigadës u transferuan komandanti i brigadës, Hulusi Spahiu, i emëruar zevendëskomandant i Korparmatës së I-rë dhe komisari i brigadës, Muzafer Spaho, që shkoi komisar i divizionit të VI-të sulmues. Unë e zv/komandant Hysni Manushi mbetëm në brigadë dhe kishim marrë urdhër të lëviznim në drejtim te Mitrovicës.



Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes