l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Një analizë e rivlerësuar për Konferencën e Bujanit

Konferenca e Bujanit me vendimet e saj i shkau nga duart udhëheqjes së PKJ

 

Prof. Dr. ANA LALAJ

Konferenca e Bujanit mbushi 72 vjet e megjithatë diskutimet rreth saj nuk kanë sosur. Studiues dhe pjesëmarrës të asaj konference, publicistë etj., me prirje politike dhe me përkatësi etnike të ndryshme, sipas rastit, pohojnë, mohojnë, sulmojnë apo mbrojnë vlerat e Bujanit. Për fat të mirë, prurjet e tyre përmbajnë kujtime, dokumente të papublikuara që na mundësojnë komentet dhe interpretimet.
Konferenca e Bujanit është një ngjarje, për të cilën vlerësimet kanë ardhur valë-valë. Herë-herë është folur dhe shkruar shumë, ashtu siç edhe është heshtur shumë. Historiografia shqiptare ka folur kur i është kërkuar të flasë dhe ka heshtur, kur i është kërkuar të heshtë. Ndërsa historiografi a jugosllave këtë ngjarje e ka cilësuar dhe pastaj arkivuar si përpjekje irredentiste kundër tërësisë federative.
Ajo çka e mendoj si të nevojshme është se mbledhja e mbajtur në Bujan, ashtu si e gjithë lufta antifashiste në Shqipëri dhe në Kosovë, kërkon shqyrtime larg pasioneve, pra mendje të ftohtë dhe, kuptohet, njohuri të mjaftueshme. Kjo do t’i shërbente shumë historiografi së sonë, ku, me të drejtë, opinioni mbetet ende pretendues. Në këto rrethana, e pashë të udhës t’i rikthehem kësaj ngjarjeje, sidomos disa momenteve të diskutueshme.

Konferenca e Bujanit me vendimet e saj dëshmoi se megjithëse komunistët shqiptarë të Kosovës kishin pranuar udhëheqjen e PKJ, ata nuk ishin bashkudhëtarë të harmonizuar. Në luftën kundër pushtuesve nazifashistë rruga e tyre ishte e përbashkët, ndërsa për çështjen nacionale rrugët e tyre ndaheshin. Udhëheqja e PKJ synonte ruajtjen e Jugosllavisë kurse komunistët shqiptarë të Kosovës, synonin shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia. Në Konferencën e Bujanit, delegatët shqiptarë e shfrytëzuan momentin. Për herë të parë ata u ndodhën shumicë në një forum drejtues krahinor dhe morën vendime në pajtim me aspiratat e tyre dhe të popullsisë shqiptare të Kosovës.
Kjo u sanksionua në Rezolutën e Bujanit: se rruga e vetme e bashkimit me Shqipërinë "... asht lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjakësor e rrogëtarëve të tij", dhe se "... populli shqiptar do të ketë mundësi me vetëvendosë mbi fatin e tij me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje".


Kësisoj, Konferenca e Bujanit me vendimet e saj i shkau nga duart udhëheqjes së PKJ duke u kthyer në një aksident për të. Po përdor termin aksident, sepse vendimet e Bujanit nuk ishin në përputhje me vendimet e marra në Konferencën e Dytë të AVNOJ-t, mbajtur një muaj më parë, më 29 nëntor 1943, në Jajcë të Bosnjës. Gjithashtu fakti që vendimet e Konferencës së Bujanit nuk u morën nga nacionalistët shqiptarë, siç mund të pritej, dhe as nga Komanda gjermane e Luftës për demagogji, por nga komunistët; kjo e bënte ngjarjen edhe më të papëlqyer për PKJ.
Pra, mënjanë kemi AVNOJ-in e fundit të nëntorit dhe në anën tjetër Bujanin e pas një muaji. Por a ishin në dijeni organizatorët komunistë të Konferencës së Bujanit për vendimet e Mbledhjes së Dytë të KANCJ? Në literaturën historike shqiptare ekziston mendimi se pjesëmarrësit e Konferencës së Bujanit ishin plotësisht të informuar për vendimet e Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-t. Personalisht e kam të vështirë ta pranoj këtë tezë, dhe po aq të vlerësoj me saktësi se në ç'shkallë ishin të informuar për vendimet e AVNOJ-t drejtuesit krahinorë të Kosovës dhe vetë pjesëmarrësit e Konferencës. Megjithatë do përpiqem të ndjek zhvillimin e ngjarjeve nëpërmjet disa dokumenteve të kohës:
Së pari, në Konferencën e Dytë të AVNOJ-t nuk morën pjesë përfaqësues nga Kosova. Në raportin e Todor Vujasinoviçit (Todor Vujasinovi?), i paraqitur në emër të Këshillit verifikues, flitet për praninë në mbledhje të delegatëve nga Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Vojvodina, Serbia, Mali i Zi e Boka, si dhe nga Sllovenia. Sqarohet po ashtu se nuk kishin mundur të mbërrinin delegacioni nga Maqedonia dhe Sanxhaku, ndërsa për përfaqësuesit e Kosovës nuk u tha asnjë fjalë. Ekziston edhe një variant tjetër se "përfaqësuesit nga Kosova nuk e ndoqën Konferencën e Dytë të AVNOJ, për shkak se nuk kishin komunikim të rregullt me Komitetin Qendror dhe Komandën e Shtabit NÇ të Jugosllavisë. Sipas një interviste të Mita Milkovic, atëherë Komisar politik i Brigadës shqiptare-maqedonase, emrat e delegatëve nga Maqedonia dhe Kosovë Metohija do të duhej të jepeshin me anën e radios së Shtabit të Përgjithshëm për Maqedoninë. Por radio u prish gjatë transmetimit dhe vetëm 3 emra u transmetuan (Dimitar Vlahov, Vlado Poptomov, Mihajlo Apostolski)". Lidhur me praninë e delegatëve nga Kosova në AVNOJ, nga hulumtimet në Arkivin Nacional të Beogradit më rezulton se Tempo i ka propozuar Titos që përfaqësues nga Kosova të vendosen si anëtarë të Presidiumit të AVNOJ-t, por edhe si anëtarë të Ve?es (Këshillit) të AVNOJ. Në listë ishin vënë emrat e Fadil Hoxhës, Qamil Brovinës, Milan Zeçarit, (Predrag Ajticit, Milutin Miljkovicit) etj. Përgjigja pëlqyese e Titos ka ardhur më 17 dhjetor 1943, nëpërmjet një telegrami dërguar Shtabit të Korpusit II të UNÇJ.


Së dyti, radiostacioni "Jugosllavia e Lirë", me qendër në Moskë, në dhjetor 1943 e kishte dhënë lajmin për Konferencën e Dytë të AVNOJ-t, por vendimet për krijimin e Federatës Jugosllave dhe të Qeverisë jugosllave të Frontit Nacionalçlirimtar u censuruan me porosi të Stalinit. Në zemërim e sipër, Stalini i kishte konsideruar ato vendime "një thikë në shpinë të BS dhe vendimeve të Teheranit", ku tre të Mëdhenjtë ishin shprehur në një zë kundër bashkimeve federative gjatë viteve të LIIB. Ndërsa vetë Tito, vendimet për përfshirjen brenda Jugosllavisë federative të bregdetit slloven, të Sllovenisë beneshke, të Istries dhe të ishujve kroatë të Adriatikut, nuk ia bëri të njohur Stalinit, pasi ato vendime mbaheshin sekret si ndaj tij ashtu dhe ndaj Aleatëve të tjerë të Mëdhenj. "Vendimet e sakta që duhej të merrte AVNOJ, i fshihnim nga rusët, i fshihnim nga Bota", është shprehur vite më vonë Vladimir Bakariç, një nga drejtuesit kryesorë të Luftës në Kroaci. Për përmbajtjen e plotë të vendimeve të mbledhjes Dytë të AVNOJ-t u mësua vetëm nga mesi i pranverës të vitit 1944. Edhe referati i plotë i J.B.Titos i mbajtur në këtë mbledhje u bë publik vetëm në vitin 1953.
Po kështu, në prag të Konferencës së Bujanit, vendimet e Konferencës së Dytë të AVNOJ-t nuk u ishin dërguar as Komitetit Krahinor dhe as Shtabit Ushtarak të Kosovës. Nga dokumentet del se, asnjë nga drejtuesit krahinorë nuk ishte informuar plotësisht mbi Konferencën e Dytë të AVNOJ-t, madje as Pavle Joviçeviçi, i cili ishte i vetmi që mbante lidhjet e Komitetit Krahinor me KQ të PKJ. Kështu, në një letër drejtuar KQ të PKJ në fund të janarit 1944, Pavle Joviçeviçi shkruan: "Nuk i kishim materialet dhe nuk dinim për konferencat në Sanxhak, Bosnje Hercegovinë dhe Mal të Zi. Po ashtu nuk kishim as materialet ndihmëse ose materiale të tjera të ngjashme. Morëm parasysh marrëveshjen kuadër të Këshillit Nacional Çlirimtar të Jugosllavisë, sepse çështjen e Këshillit, KU e SI u formua nuk e dinim".
Është kjo arsyeja që në diskutimet e delegatëve të Konferencës së Bujanit, në Rezolutën e miratuar prej saj dhe në Thirrjen drejtuar popullit të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, kur përmendet Konferenca e Dytë e AVNOJ-t nuk jepen detaje për vendimet e AVNOJ-t.

Rezolutën e Konferencës së Bujanit e firmosën të gjithë pjesëmarrësit

Dihet se Rezolutën e Konferencës Themeluese të Këshillit Nacional Çlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit e firmosën të gjithë pjesëmarrësit, që në mbledhje ishin kthyer në anëtarë të Këshillit të ri. Pra, me vullnet të lirë, të gjithë i pranuan të gjitha vendimet. Në një letër që Pavle Joviçeviç ia dërgon Tempos më 12 janar 1944, shkruan: "Pas përgatitjeve dhe një pune të gjatë arritëm të organizojmë dhe të mbajmë me sukses Konferencën [e Bujanit]. Punimet e Konferencës, vendimet dhe diskutimet ishin të mira, madje më të mira se ne i prisnim. Në Konferencë është marrë vendim që të dërgojmë dy delegatë në Komitetin Nacional të Këshillit Antifashist [të Jugosllavisë], si dhe një delegat në Këshillin Nacionalçlirimtar të Shqipërisë. Këto vendime i morëm për efekt politik. Duhet përpjekur që në Shqipëri të shkruhet sa më shumë për konferencën tonë".


Por, pikërisht në janar diçka ndryshoi te Pavle Joviçeviçi. Ai sapo ka marrë dy letra të Tempos, të shkruara më herët, njëra më 2 tetor dhe tjetra më 25 nëntor 1943. Në to, Tempo kritikon drejtuesit e Komitetit Krahinor të Kosovës se ata "kanë rënë nën ndikimin e klikës shqiptaromadhe lidhur me kufi jtë e ardhshëm ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë" dhe se "duket qartë se ju në Kosmet i trajtoni gjërat në linjën shqiptaromadhe". Nisur nga fakti se në hierarkinë komuniste disiplina në zbatimin e urdhrave është shumë e rreptë dhe qëndrimi ndryshe penalizohet rëndë, madje në kohën e luftës edhe më shumë, ka arsye të mendojmë se këto kritika të Tempos kanë ndikuar te Pavle Joviçeviç për të rivlerësuar vendimet e Bujanit. Më 31 janar 1944, ai i shkruan një letër KQ PKJ, ku pasi informon për situatën politike, ushtarake dhe organizative në Kosovë, lajmëron për krijimin e Këshillit Nacional Çlirimtar të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit, organizimin dhe vendimet e tij. Pavle Joviçeviç pohon se, në to "kanë kaluar disa lëshime dhe të meta, por në situatën në të cilën ishim nuk mund të bëhej ndryshe". Prandaj P. Joviçeviç e quan të nevojshme që "Këshilli Antifashist NÇ i Jugosllavisë ose Komiteti Kombëtar i Jugosllavisë t'i shkruajë Këshillit tonë e t'i tregojë të gjitha gabimet, mungesat dhe dobësitë". Pra kthesa kundër Bujanit fi lloi pa u tharë ende boja mbi letrën ku kishin nënshkruar me plot vullnet edhe ata që iu kundërvunë vendimeve të tij. Pas Konferencës së Dytë të AVNOJ-t, ku u vendosën kufi jtë e Jugosllavisë dhe Kosova mbetej në kuadër të federatës jugosllave, Tito dhe udhëheqësit e tjerë jugosllavë nuk ishin më të shqetësuar përse shqiptarët e Kosovës ishin të ftohtë dhe hezitues për të marrë pjesë masivisht në luftë. Kjo alternativë tanimë ishte tejkaluar. Madje, Tito në këto momente "mund të ishte i interesuar që të mos kishte kurrfarë rezistence (kundër pushtuesit- A.L.) në Kosovë", me qëllim që shqiptarëve t'u mbyllej goja në fund të Luftës. Shqetësimi i tij më kryesor ishte si të viheshin në zbatim vendimet e AVNOJ-t, të cilat kënaqnin nacionalistët e komunistët jugosllavë, duke dhunuar parimin e vetëvendosjes që ai vetë kishte deklaruar. Kartën e Atlantikut Tito e shfrytëzoi për aq sa pati nevojë. Në fi llim të Luftës ai bëri premtime për vetëvendosjen edhe të shqiptarëve, kurse në nëntor 1943, në mbledhjen e Jajcës, kur fi torja mbi Boshtin dukej e sigurt, Tito ngriti pushtetin revolucionar komunist, i ndaloi Mbretit Pavle Karagjorgjeviç (Pavel Kara?or?evi?) kthimin në Jugosllavi dhe shpalli federatën, veprime këto që ishin në kundërshtim me vendimet e të Mëdhenjve të Aleancës Antifashiste në vitet e Luftës. Tito e parashikonte rebelimin e shqiptarëve të Kosovës kur ata do të ndodheshin përpara faktit të kryer, por për të, më mirë të kishte kundër Prishtinën se Beogradin. Dhe për këtë ai bëri presion jo vetëm te komunistët e Kosovës, por edhe tek ata të Shqipërisë.


Nuk është e rastit që nga shtabi i Titos, në të njëjtën kohë u dërguan dy letra: njëra në Shqipëri, më 26 mars dhe tjetra në Kosovë, më 28 mars 1944. Letra e parë, e 26 marsit 1944, iu dërgua Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH nga Peko Dapçeviç (Peko Dap?evi?), komandant dhe Mitar Bakiç (Mitar Baki?), komisar i Korpusit II të Ushtrisë jugosllave. Që në krye letra bën me dije se kufi jtë e Jugosllavisë nuk do të ndryshojnë pas luftës: "Ju e dini se ne mbetemi në qëndrimin se asnjë pëllambë e tokës sonë, për lirinë e së cilës luftojmë qysh tre vjet dhe japim bijtë më të mirë të vendit tonë nuk do t'ia lamë kurkujt, e aq më shumë atyne që kanë mujtë me grabitë krahinat tona në mbështetje të grupeve të okupatorit". Më tej, duke vënë theksin te "reaksioni shqiptar në Veri të Shqipërisë", ku njësive të Korpusit të Dytë UNÇJ i është dashur "gjysëm viti të mbajnë front kundrejt kufi rit të ri [të Shqipërisë në Kosovë]", letërshkruesit kërkojnë që formacionet e UNÇSH të kalojnë në Shqipërinë e Veriut dhe të bashkëpunojnë me forcat jugosllave në frontin e Kosovës. Sipas tyre, "kjo do të kishte rezultate politike si në luftë kundra okupatorit ashtu edhe kundra reaksionit, si sot ashtu edhe në të ardhmen". Këtë detyrë u ftuan ta përballonin njësitet e ushtrisë shqiptare dhe pas tyre do të vinin formacionet jugosllave. Duket se jugosllavët ndjeheshin mjaft të sigurt për ta përdorur udhëheqjen shqiptare të luftës aty ku ata kishin nevojë, pra për ta vënë përballë edhe kundër atij që ata e quanin "reaksion shqiptar". Marrëveshja ishte bërë: jugosllavët ishin të vetmit që kishin marrë përsipër sjelljen e komunistëve shqiptarë në pushtet. Kurse letra e dytë, ajo e 28 marsit 1944, i dërgohet Komitetit Krahinor të Kosovës dhe Metohisë nga KQ i PKJ, ku anulohen prerogativat legjislative të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit dhe goditet Rezoluta e Konferencës së Bujanit në pikën e saj më nevralgjike, siç shprehet profesor zakeria Cana, aspiratën kombëtare të popullsisë shqiptare të Kosovës për bashkim me Shqipërinë, të shprehur hapur dhe qartë si kurrë më parë në një dokument politik të PKJ në Kosovë. Pas dy muajve, drejtuesit e Komitetit Krahinor të Kosovës ua bënë me dije letrën e Gjilasit të 28 marsit 1944 komiteteve vartëse të rretheve.

Asnjë fjalë për vetëvendosjen dhe aspiratën kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës!

Ishte pikërisht kjo atmosferë politike, kur më 24 mars 1944, Enver Hoxha i dërgonte letër Fadil Hoxhës, ku e uronte për krijimin e Këshillit NÇ të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit me këto fjalë: "Formimi i Këshillit NÇ për Kosovë e Dukagjin është një hap i madh drejt vëllazërimit të popujve të Kosovës dhe zmadhimit të Luftës Nacionalçlirimtare". Asnjë fjalë për vetëvendosjen dhe aspiratën kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës! Dhe nuk mund të bëhej ndryshe kur vetë Hoxha gjashtë muaj më parë, në Labinot kishte hedhur poshtë Konferencën e Mukjes ku lufta për krijimin e Shqipërisë etnike, ishte një nga vendimet e saj. Pra, Tito kishte arritur që në Kosovë të heshtej për Bujanin, kurse në Shqipëri të heshtej për Kosovën. Porosia e tij në letrën e 6 dhjetorit 1943 se "Nuk ka nevojë me proklamue që midis nesh dhe Shqipërisë demokratike antimperialiste kjo çështje [Kosova] mund të jetë problem", ishte plotësuar.
Heshtja ndaj Konferencës së Bujanit ishte sinjali i parë i tronditjeve që do të përjetonte Kosova pas Luftës. Në vitet që vijuan, pjesëmarrësit e Konferencës së Bujanit u akuzuan se "nuk ishin mandatuar nga populli i Kosovës, por ishin caktuar nga Komiteti Krahinor i PKJ për Kosovë Metohinë, ata nuk ishin zgjedhur, nuk përfaqësonin zona të caktuara, por ishin të përzgjedhur", se në të "nuk u përfaqësuan të gjitha shtresat dhe grupimet politike të Kosovës, por vetëm ithtarët e të ashtuquajturës Lëvizje Nacional Çlirimtare, gjegjësisht komuniste" etj. Është e vërtetë që vendimi për formimin e Këshillit Krahinor NÇ të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit u mor në një forum komunist, Komiteti Krahinor i PKJ për Kosmetin.
Ky hap hynte në strategjinë e PKJ për krijimin e Frontit të Bashkuar Nacional Antifashist. Ata që u ftuan për të ardhur në konferencë ishin luftëtarë në vijën e parë të zjarrit, veprimtarë të vendosur dhe simpatizantë të linjës së Luftës Antifashiste. Konferenca nuk ishte pluraliste në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por shtresëzimi shoqëror dhe politik i pjesëmarrësve të saj ishte i shumëllojshëm: prefektë, partizanë, komunistë, mësues, punëtorë, fshatarë etj.
E përbashkëta ishte se, të gjithë ata kundërshtonin pushtimin e Kosovës nga Gjermania naziste. Kjo ishte themelore. Pra, Këshilli NÇ i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit ishte një front antifashist. Si i tillë, ai do të përfaqësonte një potencial të fuqishëm në luftë. A mund të veprohej ndryshe në Kosovën e pushtuar dhe ku nuk kishte territore të lira? Akoma më tej, a ka ndonjë organizatë, lidhje, besëlidhje, qoftë edhe ato të shpallura nacionaliste, të krijuara gjatë viteve të pushtimit nazifashist në Shqipëri, ku anëtarët e tyre të kenë marrë mandatin përfaqësues me anë të zgjedhjeve të lira? Pa folur pastaj për qeveritë apo asambletë kombëtare të krijuara në këta vite. Sigurisht, komunistët i përdorën frontet nacionalçlirimtare edhe për të kapur pushtetin, por në vitet e rezistencës antifashiste asnjë parti apo grup politik nuk mund të mbijetonte, nëse nuk merrte pjesë aktive në këtë rezistencë, e aq më pak nëse bashkëpunonte me pushtuesin.
Përndryshe, ata do të shuheshin së bashku me pushtuesin, ashtu siç edhe ndodhi në fakt.

Konferenca e Bujanit dhe statusi i Kosovës, një lidhje organike me njëri tjetrin

Koha tregoi se Konferenca e Bujanit dhe statusi i Kosovës do të kishin një lidhje organike me njëri tjetrin: Sa herë evoluonte statusi i Kosovës, Konferenca e Bujanit do të merrej si referenca kryesore e mëvetësisë së saj, e sa herë minimizohej statusi i Kosovës, do të goditej dhe Konferenca e Bujanit. Në Konferencën e Bujanit, vetëvendosja u shpreh në formën e aspiratës dhe të së drejtës natyrore për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nëpërmjet luftës së armatosur kundër pushtuesit, por nuk u realizua. Në këtë vështrim, ajo ka qenë një ngjarje djegëse për pushtetin e djeshëm serb, dhe delikate për regjimin komunist në Shqipëri. Prandaj u preferua heshtja. Konferenca e Bujanit dhe vendimet e saj nuk janë as vepër e Titos e as e Enver Hoxhës, siç aludohet jo rrallë. Konferenca e Bujanit është vepër e komunistëve të Kosovës dhe mbështetësve të tyre, të cilët siç shkruan prof. Arshi Pipa e "kishin shumë të hollë membranën ideologjike nën të cilën ndodhej një lëvozhgë e fortë nacionaliste". Pavarësisht se ç'ndodhi më pas, shqiptarët vazhduan të besojnë te vetëvendosja dhe nuk i ndërprenë përpjekjet për ta bërë atë realitet në një kohë tjetër. Kësisoj, e parë në dy kohë, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në Rendin e Ri Botëror të vendosur pas Luftës së Ftohtë, Konferenca e Bujanit mbetet referencë e pashmangshme, madje me impakt progresiv, në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje.




Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes