l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

MUSTAFA GJINISHI - NJË HERO I HARRUAR

Që nga koha që ekziston qytetërimi, askush s`e ka ndryshuar ecurinë e historisë sa historianët

 

Nga Shpendi TOPOLLAJ


Fakti që edhe pse kanë kaluar gjashtëdhjetë vjet dhe historiografia jonë ende ngurron, për t`i dhënë vendin që i takon, figurës së ndritur si rrezja e diellit, të atdhetarit të shquar Mustafa Gjinishi, gjë që ka nxitur mësuesin e elektronikës Astrit Kaziu, të bëjë të vetën atë devizën romake “Vivam impendere vero”, pra “T`ia kushtojë jetën shërbimit të së vërtetës’, më kujtoj thënjen e mençur të Emil Herzagut, të njohur si Andre Morua që kur e pyetën se:
-Cili e ka ndryshuar më shumë ecurinë e historisë Çezari apo Napoleoni?
U përgjigj:
-Që nga koha që ekziston qytetërimi, askush s`e ka ndryshuar ecurinë e historisë sa historianët.
Mirëpo kur flitet për ngjarje dhe njerëz të kohëve jo shumë të largëta, edhe po nuk e përfille porosinë e Ciceronit se “Ligji i parë i historisë është të mos thuash kurrë asgjë të rreme dhe të mos kesh frikë të pohosh tërë të vërtetën”, përsëri roli jo shumë i ndershëm i historianëve (qoftë dhe heshtja e qëllimshme e tyre) sikur e humbasin kuptimin, pasi para kujtesës popullore, djallëzia dhe mungesa e kurajos qytetare, zbehen.Duke dashur t`a mbyllë një herë e mirë këtë problem përherë të hapur, Aristoteli, konkludonte se “As Perënditë nuk mund t`a ndryshojnë historinë”. Dhe ndryshimi i historisë do të qe një mëkat i madh, kur bëhet fjalë për një bir të Peqinit që i bën nder gjithë Shqiperisë, i cili me jetën dhe veprën e tij në shërbim të lirië së atdheut, ishte më shumë se hero; ai ishte i drejtë. Se është ashtu siç thotë L. Pirandelo, që hero mund të jesh një herë, kurse i drejtë duhet të jesh gjithmonë.

E kam ndjekur me shumë interes jetën shumë tërheqëse dhe fatkeqe njëkohësisht, të Mustafa Gjinishit. Më kanë lindur shumë pyetje e dyshime rreth trajtimit zyrtar që i është bërë atij. Libri i Astritit, më dha shumë përgjigje dhe më sqaroi në mënyrë  të pa kundërshtueshme shumë paqartësi. Tani ky njeri i rrallë që veç epiteteve të tjera të merituara, është quajtur edhe Leonida,më ngjet më shumë me Aristidin, i cili për drejtësinë dhe ndershmërinë e tij u dënua me ostracizëm, dënim që u jepej sipas Demetrit nga Faleri, atyre që ishin nga një derë e madhe dhe që me shkëlqimin e tyre ngjallnin cmirën e të tjerëve. Plutarku pasi e konfirmon këtë e portretizon këtë burrë shteti të lashtësisë me këto fjalë që do t`i shkonin për mrekulli Mustafait: “Kurrë nuk u fry nga nderet që i bëheshin, me qetësi e gjakftohtësi përballoi edhe ditët e vështira, i bindur se duhej t`i shërbente atdheut pa pritur shpërblime as në para, as në ndere”.
Por ashtu si për këtë njeri me moral të shëndoshë, doli në skenë dinaku Temistokli, që s`la gur pa lëvizur për t`i vrarë atij reputacionin  edhe për Mustafa Gjinishin,qe e mjaftueshme dinakëria e Enver Hoxhës, për t`a vrarë e për t`a lënë pa varr, në moshën 32 vjeçare. Tinzar, hileqar,dhe i pabesë siç qe, Enver Hoxha me intrigat e tij, shkonte përtej fantazisë shekspiriane. Edhe kur pas përbetimit të Kilonit, u dënua familja e Megakliut dhe atyre që kishin vdekur, ju hapën varret dhe ju flakën eshtrat jashtë kufijve të vendit, të paktën u bë një gjyq i rregullt dhe e dha verdiktin një trupë e përbërë nga treqind veta të zgjedhur nga paria.
Mënyra e fshehtë me të cilën u likujdua Mustafa Gjinishi, përbën një pengesë serioze për cilindo që kërkon të shkruaj rreth tij. Konkluzionet hipotetike janë pa pranueshme. Prandaj autori përballet me një përgjegjësi shumë të madhe. Rruga për tek e vërteta është e gjatë dhe e vështirë. Ajo kërkon ndershmëri, kurajo, vullnet dhe natyrshëm, metodë të efektëshme. Por mbi të gjitha kërkon mendje analitike, që të operosh me deduksione dhe induksione. Ne e dimë që këto dhunti i kishte maksimalisht të arrira S. Cvajgu. Natyrisht, A. Kaziu është larg të qenit Cvajg. Ca më shumë që ky është libri i parë i tij, për të cilin ai vetë pohon…”i u futa punës të shkruaj vetë për jetën, veprën e sidomos harresën e tij, megjithëse nuk jam as shkrimtar e as historian”. E më tej ai vazhdon të shprehet sinqerisht :”Këtë libër po e bëj me dëshirën si nip i tij, por dhe si qytetar i Peqinit, thjeshtë për t`i thënë lexuesit të vërtetën e të madhit Gjinishi, por sidomos edhe për të treguar atë ç`ka është paradoksale sot, në mohimin me heshtje të qëllimshme të veprës së tij”.Dhe këtë qëllim fisnik, Astriti e ka realizuar më së miri.


Edhe pse autori nuk e ka jetuar atë kohë, përsëri ai ka bërë të mundur pasqyrimin objektiv të saj në sytë e lexuesve. Ai e përshkruan Peqinin e atyre viteve në mënyrë bindëse. Po ashtu peqinasit paraqiten të thjeshtë dhe shumë atdhetar. Edhe familja e Mustafait e sidomos aktiviteti i babait t ë tij Ademit që kishte shoqëruar karvanin e I. Qemalit dhe qe zgjedhur delegat në Kongresin e Lushnjes, na përgatisin për formimin e karakterit të protagonistit të këtij libri, të cilin një i afërt i mençur e quante zheni. Pas këtij momenti mënyra e të shkruarit , alternohet me kujtimet e motrës së Mustafait, hallë Xhemiles, tashmë të moshuar që nuk ankohet për vuajtjet e mëdha e të pa merituara që ka hequr gjatë jetës, por që e revolton harresa dhe heshtja për të vëllanë bashkëluftëtar, ç`ka e shtyn të pyes:”Po ku e kanë hallin xhanëm? Akoma e kanë frikë Enverin!?”


Mustafai që i vogël qe i etur për dije. Ai lexonte shumë libra dhe mësonte gjuhë të huaja. Kur u vra babaj i tij, Mustafai njëmbëdhjetë vjeçar pat kujdesin e të vëllait Rexhepit, i cili e dërgoi për të vazhduar studimet në Shkollën Teknike të Fulcit në Tiranë. Qysh në bangat e kësaj shkolle, ai manifestoi inteligjencë e pjekuri, aq sa fitoj autoritet të jashtëzakonshëm tek nxënësit e tjerë dhe tërhoqi vëmendjen, bile fitoi admirimin e vetë Harri Fulcit. Në libër thuhet se ai respektohej nga shokët si pedagog dhe pedagogët e trajtonin si koleg. Ky djalë që fare i ri lexonte me shumë pasion Volterin, Rusonë etj ky djalë që zotëronte anglishten, gjermanishten, frëngjishten, italishten e serbokroatishten, ky djalë, për të cilin, drejtori thosh, kur e shihte të rreshtonte e këshillonte të tërë shkollën “Zot fale këtë njeri!” jo vetëm që drejtonte me shumë kompetencë gazetën “Laboremus”, të cilës në mars të vitit 1929 Shoqata e shtypit shkollor të universitetit “Kolumbia” në Amerikë i dha çmimin e parë të gazetave të shkollave të paraqitura nga vende të ndryshme të botës, dhe që nxorri me sukses dhe revistën letrare-shkencore “Shekulli XX”, edhe pas mbarimit të shkollës më 1930, vazhdonte të ishte drejtues në organet e zgjedhura të shkollës, ku në çdo fund viti do të ishte i pranishëm e do të fliste, siç kishte folur përherë, si erudit, demokrat, tolerant e mbi të gjitha , si patriot. Ne emër të këtij patriotizmi, Mustafai përqafoi shumë shpejt idetë komuniste aq në modë në atë periudhë. Atë dhe shumë të tjerë i joshte romantizmi revolucionar. U. Çërçilli një herë ka thënë se “Kush e ka lexuar Manifestin Komunist në moshën 18 vjeçare dhe nuk është bërë komunist-nuk ka zemër. Kush e ka lexuar në moshën 25 vjeçare dhe është bërë komunist-nuk ka tru”. Kur përvehtësonte dhe përhapte komunizmin, Mustafai gjykonte ende me zemër. Kur ai nisi t`i peshojë gjërat me tru, vendi qe pushtuar dhe bashkimi me Partinë Komuniste identifikohej me çlirimin dhe të ardhmen e vendit. As ai e as kush tjetër nuk mund të quhen mëkatarë, pse u besuan ndershmërisht atyre idealeve. A. Kaziu edukimin dhe formimin e Mustafait na e ka dhënë realisht: heroi i librit të tij dhe i kombit tonë, ishte larg verbërisë ideologjike, dogmatizmit e sektarizmit. Ca më shumë, ai as që e kuptonte komunizmin si luftë deri në vdekje me vendet dhe demokracinë perëndimore. Aktiviteti i Mustafa Gjinishit duket edhe në dokumentet që na ka paraqitur autori, në këtë liber,por edhe në dënimet e burgosjet që i bëheshin atij nga regjimi. Madje,kur atë pas kryengritjes së Fierit e dënuan me varje, qe pleqësia e qytetit te tij, që duke e dashur shumë këtë djalë të ish Kryetarit të Bashkise, patriotit Adem Gjinishi, i shpëtoi jetën duke ju lutur Mbretit me një telegram sugjestionues. Mustafai qëndron në burg, por nuk nënshtrohet. Kujtimet e Petro Markos me shokë, të qëmtuara nga autori me aq durim, na e vërtetojnë më së miri këtë. Përkushtimi i Mustafait ndaj çështjes së popullit, duket qartë edhe tek fakti se pas vdekjes së të vëllait, për të cilin ai bëri çka mundi për t`a shpëtuar, duke e shoqëruar edhe jashtë shtetit, edhe pse i mbeti e vetmuar e motra, përsëri nuk hoqi dorë nga angazhimi i tij politik e luftarak edhe pse ishte i ndërgjegjshëm për rreziqet që e prisnin. Për më tepër,ai diti të tërheqë atë në lëvizjen për liri. Ja një pjesë dokumenti e marrë në AQSh, nga koha kur ajo qe studente në Itali:”Zonjusha Xhemile Gjinishi …nuk ka në vendlindje asnjë nga pjestarët e familjes sepse i kanë vdekur përveç një vëllai, Mustafa Gjinishi, që është anti-italian i rreptë…(Molto pericoloso). Kur të kthehet në Shqipëri ndaj zonjushës Gjinishi do të disponohet një vigjilencë e duhur”.


Para pak ditësh më erdhi në zyrë gjenerali i njohur në pension Ernest Jakova. Kur i thashë në e kishte njohur Mustafa Gjinishin dhe a mund të më thosh ndonjë gjë për të, m`u përgjigj se e kish patur komisar në Pezë, por nuk mbante mend shumë gjëra për të, pasi ai pa ardhur mirë në çetë, zhdukej për ditë të tëra, atje ku e prisnin detyra shumë më të rëndësishme, pasi ai i përkiste gjithë Shqipërisë. Astrit Kaziu, me fakte të njohura botërisht, me dokumente e fotografi, na e jep portretin e Mustafait, si një nga drejtuesit dhe organizatorët më energjikë e më të përgjegjshëm të luftës nacional-çlirimtare. Ja si shkruan ai për të:”Meritë e veçantë e Mustafait në luftë qe se ai, krahas aktivitetit të tij për ngritjen e njësiteve dhe formacioneve ushtarake…apo të krijimit të këshillave naç-çl. në zonat e çliruara, në veçanti nuk pushoi së luftuari për të sheshuar kontradiktat ndërmjet forcave të ndryshme politike, për t`i bashkuar ato të gjitha, në luftë kundër pushtuesit…M. Gjinishi gjatë luftës vazhdimisht u mundua të sheshojë mosmarrëveshjet politike të P. Komuniste, Legalitetit, Ballit Kombëtar e nacionalistëve, për t`i mobilizuar dhe organizuar në luftë”.
Inteligjent dhe atdhetar i spikatur, Mustafai punoi si askush për bashkimin e tërë shqiptarëve kundër okupatorit, duke nuhatur qysh në fillim të këqiat që do t`i vinin Shqipërisë nga përçarja e lufta civile. Mustafa Gjinishi shpalosi me vendosmëri këtë qëndrim edhe në konferencën e Mukjes, ku ai u bë promotor i bashkimit parimor. Por duke mbështetur parrullën e Shqipërië Etnike, ai mori mallkimin e të dërguarit të P K Jugosllave dhe të shërbëtorit të tyre të bindur E. Hoxhës.
Me shumë durim e logjikë të ftohtë, Astrit Kaziu ndërton tërë atë çka ngjau në Tapizë në 26 korrik dhe Mukje në 1-2 gusht 1943. Gjinishi mbajti atje atë qëndrim që do të mbante çdo njeri që i thosh vetes shqiptar. Ai ishte nga ata burra që e dinte mirë se ku janë kufijtë e Atdheut tonë.
Astrit Kaziu për asnjë çast nuk rrëmbehet nga vrulli i cilësive të pa përsëritëshme të Mustafait udhëheqës; ai na e jep atë në tërë madhështinë e thjeshtësisë të të qenit njeri. I çiltër, orator i mbaruar, njeri i sakrificës deri në vetmohim, ai mbetet në ç`do situatë përfaqësues tipik i vetive më të mira të popullit tonë. Me shokët është rreptësisht njerëzor. Tek ai nuk ka kurrfarë ndjenje superioriteti në marrëdhëniet me të tjerët. Ai është imponues pa qenë aspak mendjemadh e fodull. Eshtë i natyrshëm e aspak i shtënë. Dhe kjo del shumë e qartë në dashurinë që ka për të Bab Myslymi. A. Kaziu me vërtetësi na ka dhënë këtë miqësi: keqardhjen e revoltën e Babës për vrasjen e Mustafait, dyshimet për pabesi, betimin për hakmarrje. Por ai shpjegon edhe rënjen e M. Pezës në kurthin e Enverit, deri atje sa tek libri “Kur dhashë besën” e quan Mustafanë që s`e ndante nga fëmijët e tij, tradhëtar. Për këdo që e njeh historinë e pasluftës së dytë botërore, është e qartë se vrasja prapa shpine e Mustafa Gjinishit, është prologu i tërë skenarëve mbushur me intriga e goditje të tilla, që Enveri u bëri gati të gjithë atyre që drejtuan luftën dhe udhëhoqën rindërtimin e vendit. Në këtë pikë ai, po të kishte jetuar 2-3000 vjet më parë, do të qe modeli më tërheqës i gjithë tragjikëve grekë. Astriti nuk merret me analogjira, edhe pse kjo në raste të tilla çon tek e vërteta. Ai kompozon skemën e krimit nëpërmjet analizave logjike e të pakontestueshme. Enveri i thotë Babës se Mustafai do pushkatuar. Ai e shpall atë fajtor për Mukjen. E quan Pezën, ku Mustafai qe caktuar, fole intrigash, sajon incidentin me Radio Londrën (që sipas tij i çon mesazh Tafarit, pra Mustafait, pasi ai duhej të qe agjenti i anglezëve ), e çon me detyrë Mustafain në Dibër, ku me anë të Liri Gegës e ka më të lehtë ta likujdojë, jo vetëm për të plotësuar dëshirën e jugosllavëve, por edhe për të larguar nga rruga e karrierës së tij politike mbushur me nënshtrime, një njeri të pa pajtueshëm me ambiciet e tij, një rival të mundshëm. Në kulmin e luftës ndaj okupatorit, E. Hoxha vazhdon i qetë intrigat e tij. Kështu veç shumë e shumë porosive, ja se ç`i shkruan ai Liri Gegës:...

”Nuk dimë ç`bën Mustafai, e me kë piqet (në Dibër). Keni harruar krejt të na raportoni mbi atë zog të bukur”. Dhe këtë zog të bukur, siç qe me të vërtetë ai, më 16 gusht 1944, një dorë mizore dhe e pa besë e qëlloi për vdekje, teksa fluturonte me guxim drejt qiellit të lirisë. Kërceu përpjetë nga gëzimi Enveri e Miladini, të cilin dikur duke rrezikuar jetën e tij, po ky Mustafa e pati nxjerrë nga burgu. Ishte një vdekje e dhimbshme dhe një humbje e pazëvëndësueshme, të cilën Astriti, na e jep shumë afër asaj që ka ngjarë. U vra në moshë fare të re, një luftëtar, një udhëheqës, një organizator, një orator e një patriot i madh, që me veprën e tij na kujton atë thënjen e Senekës se “Jeta është si një anekdotë; s`ka rëndësi sa e gjatë është: por sa është e vlefshme”. Dhe këtë jetë të prerë në mes, A. Kaziu , e ka rindërtuar për bukuri, duke ballafaquar faktet, thënjet e logjikat e kundërta. Për më tepër ai di të flasë edhe për ndjenjat e Mustafait, tamam sikur të shkruante letërsi artistike. Dashuria për motrën dhe simpatia për vajzën e bukur me emrin Besa, përligjin vuajtjet shpirtërore e brengat e këtyre dy femrave.
Në vazhdën e përpjekjeve të autorit për të shpjeguar mbiemrin Gjinishi, çfletova fjalorin e shqipes së sotme (viti 1984 ) dhe pashë se kështu quhej zdrukthi  me thikë shumë ngushtë që përdoret pë të hapur një vijë të thelluar anës drrasës, që gjithashtu quhet gjinish. Poetikisht mundet të mos jetë krahasim i goditur, por duhet thëne se i tillë qe me vërtertë Mustafai, udhëheqës i një lufte të lavdishme, që gjithmonë kërkonte të çelte vija bashkimi për të gjithë shqiptarët, pavarsisht se ç`krahu i përkisnin. Ashtu siç i kërkonte të tilla vija bashkimi edhe në mes Shqipërisë, Kosovës e Çamërisë, ç`ka duket se qe dhe shkaku më i rëndësishëm për t`a vrarë mizorisht, si shumë të tjerë pas çlirimit të vendit. Po të mos qe e  tillë rruga e përgjakëshme e Partisë komuniste dhe e shtetit diktatorial që pasoi, mund të ketë vend për dyshime rreth vdekjes së M. Gjinishit. Por e vërteta është e vërtetë. Dhe ne do të arsyetojmë sipas parimeve të saj. Drymondi diku thotë:”Kush nuk do të arsyetojë është një fanatik, kush nuk di të arsyetojë është i marrë, kush nuk guxon të arsyetojë është skllav i të tjerëve.” Burrat e meçur të Peqinit në radhë të parë, do të dinë t`i shpëtojnë nderin Mustafa Gjinishit, ashtu sikurse dikur, baballarët e tyre e shpëtuan atë nga varja. Punët që fare mirë mund dhe duhet t`i bëjmë vetë, të mos u a lemë brezave që do të vinë, se do të na qortojnë para historisë. Astrit Kaziu dha një shembull të lavdërueshëm, për të cilin e përgëzojmë dhe e urojmë që t`a vazhdojë më tej. Ai tani ka një përvojë të suksesëshme dhe është në moshën për të cilën Servantesi thosh:”Të shkruash nuk është kurrë vonë. Dyzet vjetori është mosha e vjetër e rinisë, ndërsa pesëdhjetë vjetori është rinia e moshës së vjetër”.                        

ShabanGeclila



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes