l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Nuk ka art më të madh se ai i të vërtetave të mëdha

Rrahman Parllakut – Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit


SHPENDI TOPOLLAJ

Për trimëritë dhe karakterin burrëror të gjeneralit legjendar Rrahman Parllaku, kam dëgjuar qysh kur isha i vogël nga prindërit e mij. Im atë kishte qënë vetë luftëtar i orëve të para dhe kuadro drejtuese gjatë luftës, kurse pas çlirimit të vendit, kishte shërbyer për një kohë të gjatë si oficer në ushtri, prandaj kishte se ç`të tregonte për të. Ndërsa nëna ime Hatiqe Agalliu, duke qënë bijë e një familjeje të njohur vlonjate që kishte kontribute të mëdha në përpjekjet për mbrojtjen e lirisë dhe pavarsisë së vendit, e kishte njohur atë shumë heret, qysh kur i thërrisnin Gega e Hallvaxhiu, nga që kishte një dyqan ëmbëlsirash në këtë qytet. Për më tepër, ajo së bashku me nënën e saj të mrekullueshme, gjyshen time Medijen, i kishin shpëtuar jetën gjatë një rrethimi që pushtuesit dhe bashkëpuntorët e tij u kishin bërë disa ilegalëve në lagjen Muradie. Edhe sot ruaj shumë deklarata të noterizuara, të lëshuara nuk e di pse, nga personalitete të luftës në Vlorë, të cilat e vërtetojnë këtë gjë që e pohon edhe vetë Rrahmani në librin e tij “Mirënjohje familjeve vlonjate që më mbajtën si birin e tyre...”.


Në vitin 1967, pasi kisha dalë oficer dhe u emërova në Durrës, pata rastin ta njoh vetë gjeneralin pa grada, pasi ai kryente detyrën e rëndësishme të Komisarit të Forcave Ushtarako - Detare. Ishte një zgjedhje e menduar mirë a një rastësi fatlume që në atë kohë, komandant i kësaj njësie të madhe operative, të ishte Vaskë Gjino, një nga gjeneralët më të aftë dhe më të mençur të gjithë Ushtrisë.
Impulsiv siç isha dhe ndofta dhe pak i përkëdhelur, në një analizë që u zhvillua në sallën e madhe të Shtëpisë së Pushimit të Oficerëve ose siç e quanim, Konvaleshenca, teksa po diskutohej çështja e disiplinës në ushtri, pas masave të propaganduara si shumë revolucionarizuese, si heqja e gradave, vendosja e komisarëve, roli parësor i Partisë mbi komandën e ku di unë, e mora fjalën edhe unë, sido që as për moshë dhe as për detyrë, nuk më takonte të flisja. U nxita për këtë, pasi ashiqare po dukej se diskutantët, kryesisht komisarë repartesh e njësish, nuk thonin aspak të vërtetën për këtë problem. I indinjuar deklarova se këtu po gënjehej, pasi ishte krejt e kundërta. Një nga salla, siç duket më impulsiv nga unë, pa marrë leje nga ata të presidiumit pyeti me zë të lartë, si duket edhe për të më vënë në pozitë të vështirë: “Kush gënjen? Komisarët?” Unë aty për aty, nxitova të përgjigjem: “Po, komisarët po gënjejnë” dhe me fakte e shembuj konkretë argumentova se në ushtri mbizotëronte shthurja dhe anarshia e plotë dhe ne s`kishim përse ta fshihnim këtë të vërtetë. “Në qoftë se do vazhdojmë kështu - vazhdova - atëhere kot që i bëjmë këto analiza.” Bile edhe shtova se ishte e kotë që bëheshin mbledhje të tilla dhe perifrazova Majakovskin që thosh se kur do të bëhet një mbledhje që t`i zhdukë të gjitha mbledhjet. Sa dëgjuan këto fjalë, pati një mërmërimë pakënaqësie nga salla. E pashë se kishin mjaftuar fare pak minuta dhe kisha fituar urrejtjen e shumë njerëzve. Unë e kisha qëllimin të mirë, vetëm doja të thoshja se po dëmtonim ushtrinë dhe nga kjo punë për llustër e bujë, nuk i vinte asnjë e mirë atdheut, po me kë të flisje. Normal që më quanin ose buzëqumësht ose mendjemadh ose të dyja bashkë. Në pushim, sikur të mos kishte mjaftuar ai reagim aq i egër e përçmues, vija re se askush nuk më afrohej. Për më shumë, më shihnin vëngër si të isha delja e zezë. Kuptohet që u ndjeva keq. Me vete thoshja se po ta dija se do të bëja përshtypje kaq të keqe, ndofta do të qe mirë të mos kisha diskutuar fare.


Në këtë kohë shoh se po më afrohej Komisar Rrahmani me Komandantin, Vaskë Gjinon. Komisari, madhështor siç qe, ma bëri me shënjë që të shkoja tak ai. Iu paraqita ushtarakisht. Ai shumë miqësor, më futi krahun, duke bërë shaka: “Po eja mor i biri i Hulësiut, mor kokëkrisur Kolonje, se nuk gënjejmë të gjithë ne komisarët.” Vazhduam të shëtisnim të tre. Mua “rebelin” më kishin vënë në mes. E pashë se tek ata që na shihnin, situata kishte shkrirë. Në vazhdim e gjithë biseda synonte të më qetësonte mua: “Ne kështu i duam kuadrot; ta thonë hapur dhe pa drojë mendimin e tyre”. Por dhe kuptova se ai me takt, donte t`u thoshte të tjerëve se e kishin gabim që mbanin atë qëndrim me mua.
Mua nuk më bëri përshtypje vetëm takti i tij, por edhe thjeshtësia që e karakterizonte këtë personalitet të shquar të ushtrisë. Dhe është pikërisht ashtu siç thotë La Bryjeri se “Thjeshtësia është për vlerën e punës si hija për figurën e një pikture: i jep asaj forcë dhe reliev”. Kjo thjeshtë e bënte Rrahman Parllakun, akoma më madhështor.
Duke menduar se i kisha fituar zemrën atij, një ditë më lindi ideja, t`i kërkoja që të më miratonte kërkesën për të ndjekur studimet në Universitet. Shkova në Tiranë, ku më priti zëvendësi i tij Mehdi Ramohito. I pakët nga trupi, ky ishte tepër i zhdërvjelltë, i zgjuar, i kulturuar dhe o zot... sa ironik. U tregua shumë dashamirës me mua dhe pasi më dëgjoi, më çoi te komisar Rrahmani. Mehdiu, s`më la të flisja, por ia bëri vetë të qartë kërkesën time atij. Ky vetëm tha: “ Ushtria ka nevojë për djem të shkolluar, dhe me kulturë. Vetëm kështu ajo do të forcohet e modernizohet. Ta çojmë pa tjetër atj ku dëshëron. Ndiqe vetë ti Mehdi këtë punë.” Dhe m`u drejtua mua: “Ta kesh gjithmonë në shpirt ushtrinë, për të cilën babaj yt me shokë luftuan e punuan.”
E falenderova me gjithë zemër atë burrë të pashëm e me tipare të theksuara që më ngjiste si një kreshnik i vërtetë malesh dhe u largova. Ruajta për të një mirënjohje të pafund dhe gëzohesha kur dëgjoja se ai kështu sillej me këdo. Të gjithë e njhnin zemërmadhësinë e tij.
Rasti e solli më pas që të isha në një repart me Rexhep Myftiun, një oficer me horizont të gjerë, i cili kishte studiuar në Letoni për Artileri Bregdetare, ku kishte marrë dhe medalje ari. Mirëpo i kishte vajtur pak ters, pasi një herë duke parë një foto ilustruese në gazetën “Zëri i Popullit” që mbante diçiturën: Demonstratë në vendet borgjeze, ai u tha atyre që kishte pranë: “Mos u bëni budallenj, se këta nuk kanë asnjë arsye të bëjnë demonstrata e të përmbysin qeveri. Shihni sa i kanë kravatat e shihni sa i kanë republikat. Atje ka liri shprehjeje dhe fjale dhe kjo duhet të jetë normale për ç`do vend që i thotë vetes sistem demokratik”. Kaq mjaftoi dhe pasi u çua fjala atje ku s`duhej, nisi përndjekja për Rexhepin që po e vinin përpara si sorra bufin. Nga kjo situatë nuk po e shpëtonte as medalja e arit. Mbledhjet gati gati, po e shpallnin revizjonist. Në këtë kohë vjen vetë Rrahmani. Me urtësi e llogjikë të ftohtë, sqaroi “revolucionarët e ekzaltuar” se “Koha është e tillë që do të ketë edhe keqkuptime. Kështu ngjet në raste kthesash të mëdha. Prandaj ne do ta ndihmojmë se ai është oficer me vlera dhe atdhetar.”


Kështu shpëtoi dhe shoku im, të cilin e liruan vetëm pas nja dhjetë vjetësh, kur ndërsa goditej “grupi puçist”, u dënua me njëzet vjet burg edhe vetë i miri Rrahman Parllaku.
Shoku im, ish komandanti i Brigadës së Parë, doktori i shkencave Novruz Zejnati, i cili ka qënë për një farë kohe adjutant i tij, nuk e heq atë nga goja, duke e kujtuar ç`do ditë. Rrëfen plot ndodhi që tregojnë se Rrahmani kështu sillej me këdo. Dëshira për të ndihmuar e përkrahur të tjerët, ishte veti e lindur e tij. Kur pa se po shkruaja diçka për të, m`u lut të mos lija pa thënë se Rrahman Parllaku e konsideronte veten të barabartë me këdo edhe me atë që kishte detyrën më të ulët, i dëgjonte me respekt vartësit pa u mërzitur kurrë, kapte fijet që i lidhnin dhe jo ato që i ndanin, nuk nxitohej asnjëherë kur vihej në lojë e ardhmja e reputacioni i tyre, dhe mbi të gjitha ishte njohës i thellë i Artit të Luftimit, e sidomos atij të traditës. Veç, e mbylli bisedën Nokja, asnjëherë nuk i merrej vesh; në ishte nga Kukësi a nga Vlora.
Po kështu edhe ish oficeri Filo Dhima më tregoi këtë rast: Na sollën në Brigadën e Kavajës një komandant bataljoni nga Lushnja të dënuar pa asnjë faj dhe e çuan intendent diku. Sesi ngjau dhe ai e gjeti të të drejtën e tij. Atëhere tek ne erdhi vetë komisar Rrahmani dhe pasi na mblodhi, bëri një autokritikë që nuk do ta harroj kurrë. Ai oficeri vetëm kërkoi të kthehej atje ku kishte qënë , të paktën sa të vinte nderin në vend. “Por t`i duhet ta dish - e mbylli bisedën Filua - se këdo që të pyesësh për të, të tilla histori do të dëgjosh plot.”


I tillë mbeti Rrahman Parllaku edhe në vitet e gjata të burgimit të pamerituar. Kur u takuam, gjatë një pritjeje në një ambasadë, më puthi e më përqafoi. U gëzova që nuk më kishte harruar. Me shaka më tha: “Ore e paske patur mirë ti për ne komisarët” Dhe qeshi me gjithë shpirt. Atë nuk e kishte thyer as shpifja, as vuajtja dhe as tortura shpirtërore. Pas daljes nga burgu Rrahmani u tregua përsëri njeri i ekulibruar. Me fjalën e tij të urtë kudo mbolli dashuri e bashkim.
Nikolas Jorga, ndër gjërat e bukura që ka thënë, ka edhe këtë: “Dielli lind jo që të perëndojë, por për të ndriçuar deri sa të perëndojë”. Me këtë mision, edhe tani në moshë të shkuar (Thua do më zemërohet?) ky burrë i lindur më 17 Prill të vitit 1919, me një kujtesë për t`ia patur zili, shkruan prej një kohe të gjatë kujtimet e tij për kohën e luftës dhe i përmbledh ato tek libri i titulluar “Mirënjohje familjeve vlonjate që më mbajtën si birin e tyre...”
Në një rast M. Ciceroni ka shprehur një mësim shumë të vlefshëm për historinë: “Të mos dimë çfarë ngjarjesh kanë ndodhur para nesh, është njëlloj sikur të mbetemi gjithmonë fëmijë”. Mirëpo në Shqipëri historia u tregua sipas interesave të triumfatorëve. Eshtë kjo arsyeja që puna e atij që shkruan për ngjarje të së shkuarës vështirësohet. Prandaj gjeneral Rrahmani, në këtë libër i ka vënë vetes si qëllim që t`i qëndrojë sa më pranë të vërtetës. Dhe mendoj se ia ka arritur.
Unë, me këto që rendita deri tani, desha të them se një njeri me karakter kaq të fortë, nuk ka sesi të mos thotë vetëm të vërtetën e asaj epoke të lavdishme, e cila edhe me mangësitë e saj mbetet e shkëlqyer. Pastaj, duhet mbajtur parasysh fakti se ai flet për luftën e vlonjatëve, të cilët janë të dalluar sa herë zëri i atdheut i ka thirrur. Ata edhe pse qenë luftëtarë të sprovuar, përsëri në krye të organizimit dhe drejtimit, zgjodhën Gegën, pra Rrahman Parllakun. Kjo flet më së miri për cilësitë e veçanta të këtij njëriu që nuk pyeti për interesat e tij e të familjes së tij, por i doli për zot të gjithëve. Dhe çudia tjetër është se atë në Vlorë e deshën të gjithë; të varfërit po e po, por edhe të pasurit. Madje edhe ata që ishin me mendime të kundërta, pra që nuk e përkrahnin doktrinën komuniste.
Aq saktë janë thënë të vërtetat në këtë libër, sa gjenerali tjetër, tragjasioti Halim Ramohito, duke ndjerë detyrim në emër të të gjithë vlonjatëve thotë: “Vlorën tonë të bukur e kreshnike, Vlorën tonë të mirë e heroike, e ke përshkruar me dashuri e vërtetësi...Ne bijtë e Vlorës plakë si të gjithë Shqipërisë, të jemi mirënjohës se ke qënë në ballë të stuhisë. Vlorës me këtë libër lapidar i ke ngritur, një monument të merituar, por mjaft të ndritur. Emri yt në këtë qytet, një yll mes yjeve do të jetë.”


Me aktivitetin e tij dhe me dashurinë që lumjani Rrahman Parllaku, shpalos për Vlorën, na thotë se ne në radhë të parë jemi shqiptar e vëllezër me njeri tjetrin.
Vini re sesa me zgjuarsi ai ka rreshtuar vargjet e zonave respektive, labërisë dhe atyre të veriut:
“Bota shkruajnë e thonë/ Shqipëtarët po luftojnë/ Me një mbret 40 milionë/”. Dhe: “ Djemt e Lumës hiç s`kanë dert/ Nga një luftë bëjnë vjet për vjet/ Luftë me Krajl e luftë me Mbret”.
Pra paralelizmi këtu vetëm bashkon. Shqiptarët janë një, kur bëhet fjalë për idealin e shenjtë të Atdheut. Ja dhe pse edhe ky stërnip i Ali Matës ( të cilin turqit e kërkonin me mbiemrin Parllak, që do të thotë i pashëm), ndjehet mes vlonjatëve si në shtëpinë e tij. Ai kishte të njejtat të drejta, por dhe të njëjtat detyrime ndaj atij qyteti. Rasti e solli që ai vuajtjet që shkaktonin synimet e italianëve t`i shihte qysh në Selenicë, ku për llogari të shoqërisë SIMSA punonin rreth 400 puntorë. Atje ata kishin një dyqan ëmbëlsirash, por siç shkruan vetë ai:
“Ne ishim të brumosur dhe edukuar nga traditat luftarake të krahinës sonë dhe atmosfera e ndezur e trevës së Vlorës na përfshiu në gjirin e saj. Në momentet kur vendit i kanosej pushtimi fashist, ne të tre (me vëllanë Selim e kushëririn Baftjar), pa asnjë mëdyshje, mbyllëm lokalin dhe më 5 prill, bashkë me popullin e krahinës së Treblovës, zbritëm në Vlorë dhe iu bashkëngjitëm masës së revoltuar që kishte mbushur rrugët e qytetit e gatshme për të kundërshtuar agresionin fashist dhe që thërriste: “Duam armë!”
Rrahmani u largua nga Selenica, dyqanin e çeli në Lagjen e Re të Vlorës dhe e shndërroi atë në çerdhe ilegalësh.
Këtu, pra në këtë periudhë, fillojnë kujtimet e këtij luftëtari sypatrembur.
Çfarë respekti për shokët. Sa admirim ka ai për veprën e tyre dhe sidomos të atyre që dhanë jetën duke mbetur dëshmorë të paharruar. Para syve na parakalojnë aktet sublime të Shyqyri Alimerkos, Teli Ndinit, Elham Doçi, vëllezërit Demiraj, Ali, Ismet e Hajro Çakërri, Vllas Arapi me gjithë peripecitë e tij, Lef e Mitaq Sallata, Sulo Didi, Qemal Gorishova, heronjtë e Topanasë Mumin Kallarati, Bajram Tushi, Hiqmet Buzi, e Hajredin Bylyshi, Ali Demi, Miço Emini, Abaz Shehu, Kastriot Muço, Resul Veliu, Hysen Çino, Zaho Koka etj. etj.


Lufta me vrullin e saj dikton herë pas here ndryshime në strukturën e formacioneve partizane. Fillimisht ishin njësitet guerile. Populli po ndërgjegjësohej nga veprimet e tyre të guximëshme. Rrahmani qe caktuar në krye të tyre.
Por si edhe kur atij i besohen detyra shumë të rëndësishme, ai për vete gati nuk flet fare. I gjithë kujdesi i tij është të rrëfejë e të përjetësojë veprën e shokëve. Kështu njeri pas tjetrit shfaqen Arif Hasko, Vehbi Hoxha, Nuri Arapi, Hito Çako, Et`hem Gjinushi, Pëllumb Dëshnica, Reiz Malile, Manush Myftiu, Ibrahim Devishi, Yzedin Bimo etj. etj.
Me këta luftëtarë të devotshëm betejat pasojnë njera tjetrën. Ato si në një film na dalin para sysh. Pa bujë dhe eufemizma Rrahami i përshkruan ato sinqerisht, siç kanë ndodhur dhe duke qënë njeri me shumë përvojë, ai i analizon edhe ushtarakisht. Për më tepër ai nxjerr edhe anët e dobëta të veprimeve të kryera. Por një gjë është e qartë; trimëria e djemve dhe vajzave të Vlorës në të katër anët ia shtoi lavdinë luftës Nacional -Çlirimtare. Në ç`do luftim të zhvilluar armikut iu dhanë goditje vdekjeprurëse. Dhe të gjitha të përshkruara nga ai që ka qënë vetë aktor dhe regjizor i tyre. Rrahmani nuk e njeh mburrjen. Gjithkush e kupton vetë rolin e tij të madh.
Ai nuk ka qëllim që të rreshtojë veprat e tij. Ai e di se veprat në emër të atdheut, janë detyrë e cilitdo. Ai ka dashur të përjetësojë atë epope, në të gjithë komponentët e tij. Deri tek ndihma e përkrahja që dhanë familjet e Vlorës për atë luftë, pa të cilën fitorja do të ishte shumë e vështirë. Ja një skenë nga këto sakrifica dhe qëndrime burrërore; Nënë Tarikës i arrestojnë djemtë dhe i premtojnë asaj që të tregonte ku ishte Rrahmani dhe ata do t`ia lironin. Ajo as që e çonte ndërmend këtë gjë, por shkon dhe e lajmëron vetë Rrahmanin që të largohej sa më parë, duke i thënë fjalë epike: “Gëzohem që ke shpëtuar. Ata pyesin çdo të arrestuar për ty. Mua më lejuan Gjyshin (njeri nga djemtë, i vogëli, dhe me këmbë të thyer.


Shënimi im Sh T), por më porositën ; po more vesh ku është Rrahmani, do të t`i lirojmë edhe dy djemtë e tjerë. Unë ata i kam djem gjaku, por ty të kam djalë hakikati. Armiqtë me ty e kanë inatin, por edhe ne me ta e kemi inatin. Po qe e shkruar të m`i vrasin fëmijët, unë s`jam as e para dhe s`do të jem as e fundit nënë që i vriten fëmijët për Shqipërinë. Ruaju e mos u bjer në dorë”.
Në libër autori thekson se “Roli i bazave ishte çelësi i fitores së luftës në qytet”. Kjo është e vërtetë edhe për luftën në fshat. Në libër ndeshim shumë e shumë familje patriote fshatare që janë vënë në krah të luftës. Prof. Dr. Myslym Islami duke folur për këtë libër ka thënë se “Meritat e vlerat e LANÇ - it nuk i takojnë vetëm një njeriu, një partie ose një sistemi, por gjithë bijve dhe bijave të kombit tonë.”
Prandaj ne jemi të sigurtë se si familjet Hoxha, Drenova, Tërbaçi, Cenko, Arapi, Xhuka, Imami, Spahiu, Doçi, Uznova, Bejto, Muhaj, Çakërri, Velça, Mandro, Imeraj, Dobi, Avdullai, Gorishti, Shkurti, Ademi, Agalliu etj. kanë qënë thuajse të gjitha familjet e qytetit dhe krahinës në përgjithësi.


Nuk ka dokument më të besueshëm se kujtesa e njeriut. Pastaj, janë ca ngjarje, që për nga rëndësia dhe momenti kur kanë ndodhur nuk harrohen lehtë. Rrahmani e ka kujtesën të pacënuar. Ai në libër përshkruan edhe ngjarje të vogla, por që kanë patur ekuivoke. Të tilla janë ati të vrasjes së Ramize Gjebresë, Vllas Arapit, apo një partizani që pinte ujë tek burimi, për hir të kërkesave morale ndonjëherë edhe të tepruara.


Në shumë faqe shohim qëndrimin kritik të autorit për veprime e sjellje të nxituara. Ja si thotë ai në një rast për familjen e Dalip Ademit: “Duke vlerësuar kontributin e kësaj familje patriote, theksoj se ne u kemi mbetur borxhli këtyre njerëzve të ndershëm për qëndrimin ekstremist, që mbajtëm ndaj dy vajzave të xha Dalipit, Bules dhe Hasies, dy shoqeve tona të ndikuara nga fraksioni i Xhepit, që ne i pamë me dyshim”. Ai edhe vetë veprimtarinë kundër Xhepit e të tijve e sheh me frymë autokritike. Prandaj askush nuk duhet të çiditet kur sheh se edhe pas çlirimit, paçka se ishte në detyra shumë të rëndësishme, Rrahman Parllaku, vente dhe kërkonte falje kur dikush dënohej pa të drejtë.
Sa bukur e ka konstatuar ai çështjen e mbajtjes lart të moralit. E pyeta Reizin: “Ne komisarët u ngremë moralin këtyre, apo ata na e ngrenë ne?”


Dhe me sa ndjenjë përshkruan ai fuqinë mobilizuese të këngës labe: “Sa herë na vriteshin shokët në luftë, ne i varrosnim me premtimin se do t`ua merrnim hakun dhe menjëherë pasonte kënga labe dhe ajo partizane e njerëzit menjëherë fillonin përgatitjet për betejën e ardhëshme”.
Rrahmani, herë pas here jep shembuj që flasin për vëllavrasjen. Ai nuk i mëshon shumë këtij fakti dhe mirë bën, por si ta quash një rast të tillë? “Pranë meje ishte Murat Zeqiri nga Brataj që shënonte e shante. Kur e pyeta se çfarë kishte, më tha se dallonte mes tyre gunën thinjoshe të vëllait të tij po nuk po e vriste dot.” Pavarësisht se më pas, ata të dy së bashku shkonin në festën e Brigadës në Bramyshnjë.


Edhe pse autori nuk ka dashur të paraqesë vlera letrare në këtë libër, mendoj se ai lexohet me ëndje, pasi nuk ka art më të madh se ai i të vërtetave të mëdha, të treguara nga një luftëtar i ndershëm që gjithë jetën e tij ia kushtoi të vërtetës.
Tek e fundit, me këtë libër interesant, ai konfirmoi edhe një herë ato që më tregonin mua për të, prindërit e mij të dashur.



Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes