l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 


Myftinia e PUKËS përkujton me një program të pasur një nga ngjarjet më të shënuara

25-vjetori i rifillimit të Myftinisë dhe besimit islam në Pukë

Nga Xhemal Meçi
Studiues, “Mjeshtër i Madh”

Fillimi ishte i vështirë, sepse gjithçka duhej filluar nga e para. Xhamija ishte kthyer nga zyrë e magazinë në fjetore, ku ishte hapur banjoja për familjarët. Pra xhamia ishte dëmtuar, dhunuar dhe poshtëruar si godinë, si vend kulti islam. Besimtarët ishin të fyer, sidomos Laçajt që e kishin çdo ditë parasysh . E shikonin zemërplasur dhe mendonin se do shkonin vite sa të rindërtohej, siç kanë kaluar 25 vjet dhe ajo xhami historike e Pukës është prapë gërmadhë. Hafiz Elez Hoxha ecte i shqetësuar rrugëve të qytetit. E hante maraku se nga e si duhej filluar. “O sot , o sot, o kurr”- sikur fliste me vehte.! Po kështu edhe i vëllai, imam Ibrahim Hoxha. Po nuk jepeshin. Kishin besim dhe vullneti nuk u mungonte. Shihej qart se PPSH-nuk mund ta pengonte më besimin fetar dhe ritet përkatëse, prandaj si H. H. Elezit e H. Ibrahimit u dukej se po humbnin kohën.
Si fillim e shihnin se duhej nisë me këshillin e Myftinisë. për të shpejtuar punën dhe fituar kohën e humbur, prandaj duheshin ndarë në etapa, tri etapa.
Etapa e parë përfshinë situatën e dhjetorit 1990, kur filloi lëvizja demokratike e studentëve dhe vet inisiativa popullore për rifillimin e riteve fetare.Kështu, Mesha e parë në Shkodër më 1991 dhe fill mbas saj edhe falja e namazit në xhaminë e Plumbit po në Shkodër nuk kishin thjesht karakter fetar, sepse ato u paraprinë aksioneve politike e revolucionare, të demonstratave të studentëve dhe mitingjeve demokratike popullore në Tiranë, Shkodër,Vlorë, Durrës etj. Kështu ngjarjet politike të brendshme e të jashtme ishin zgjuar e ngritur, se kishin rifituar besim në fitore,duke ia lënë nismën besimit që të rifillonte. Në këto rrethana, Hafiz, Haxhi Elez Hoxha dhe imam Haxhi Ibrahim Hoxha me disa besimtarë morën pjesë në faljen e namazit të parë në xhaminë e Plumbit Shkodër.
Në vazhdim u aktivizuan me takime me besimtarë jo vetëm në Pukë, por edhe në Qerret, Kabash, Iballe, Rrape, Micoj, Kryezi, Kulumri etj.


Së pari, pas 25 vjetësh (1967-2016) me vetë përpjekjet e H. H. Elez Hoxhës, i përkrahur prej imam H. Ibrahim Hoxhës dhe të Agim Kuqit, Bekë Ademit, Sadri Becit, Sulejman Ganisë prej meje etj. filloi e u riorganizua këshilli i Myftini Pukë. Gjatë muajve prill-maj 1991 H. H. Elez Hoxha filloi nga puna që të zgjidhej këshilli i myftinisë, i cili ishte pezulluar që më 1967 me mbylljen e kishave dhe të xhamive,teqeve e tyrbeve. Në takimet e veçanta me besimtarë të fshatit e të qytetit të Pukës u arritë që të merrej miratimi që këshilli i Myftinisë të përbëhej prej:Sylejman GANISË, Agim Elez KUQIT, Xhemal MEÇIT, Sadri BECIT, Rifat LAÇIT, Zenel Islam ÇELËS, Bekë ADEMIT, Xhemal Vocerr FURRIKUT, Ali KOPANIT, Muharrem DIZDARIT,Ekrem RRUSTË KUQIT etj. Sekretar i Myftinisë u zgjodh Armir MEHAJ, i cili edhe pse ishte maturant, u tregua shumë i gatshëm dhe i përkushtuar në kryerjen e detyrës me pjekuri, duke iu përgjegj në kohë për çdo lajmërim dhe kërkesë të Myftisë, e kryesuar prej H. H. Elez HOXHËS. Kështu Armiri sado maturant,fare i ri fitoi respektin e të gjithëve dhe u bë shembull për moshatarët e vet.


Anëtari i parë i këshillit kombëtar të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u zgjodh Bekë ADEMI. Beka edhe pse ishte i moshuar dhe kishte ngarkesë familjare, si kryefamiljar me tre djem, nipa e mbesa, e mori zgjedhjen e tij anëtar të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Islam në Tiranë, si një nder që i bëhej dhe si një detyrë për ta çuar atje zërin e myslimanëve të Pukës krahas Myftisë H.H. Elez HOXHA. Fjala e tij në këshillë ishte e argumentuar dhe me mesazhin e unitetit e të mirëkuptimit brenda e jashtë komunitetit Mysliman që e pasqyronte mjaft mirë edhe në Pukë si dhe për përfundimet e punimeve të xhamisë së re të Pukës.


Etapa e dytë lidhet me përpjekjet për ndërtimin e xhamisë dhe forcimin e besimit islam në kundërshtim me tendencat e ndikimeve të disa elementeve,që kishin studiuar në vende të ndryshme arabe të sekteve kundër traditës islame .
Së dyti, H. H. Elez Hoxha bashkë me anëtarë të këshillit të Myftinisë u përpoq shumë për ndërtimin e xhamisë së re ku është sot, që u bë realitet më se 15 vjet më parë. Me ndërhyrjen e Tij të pandërprerë pranë shoqatave bamirëse sa në Tiranë, në Shkodër deri në Kukës. Çështjen e truallit e zgjidhi me vëllezërit Kuqi. Vëllezërit Kuqi: Shabani, Agimi, Enveri, Haliti dhe Ekremi dhuruan për truall xhamie një sipërfaqe toke prej dy dynymësh në veri të ish-fushës së sportit, dikur e quajtur “Ara Pite Kosit “. Përsa i takon xhamisë së mëparshme ranë në godi me lagjen Laçaj që të të rindërtohej në një të ardhme sa më të shpejtë, sapo të gjëndej ndonjë donator. Përpjekjet vazhdojnë edhe sot. Myftia Gëzim Kopani i ka prej kohësh gati dokumentat, përveç miratimit të pushtetit vendor.
Së treti, Xhamia e Re mbetej krahas masave për rindërtimin e xhamisë së vjetër, prandaj ku nuk vazhdoi të shkojë H.H. Elezi bashkë me anëtarë të këshillit: Bekë Ademi, Hydajet Kuqi, Xh. Meçi, Xhemal Furriku etj. Njëkohësisht u kërkua ndihmë për vende të përkohshme për faljen e vakteve të namazëve. Autoritetet e pushtetit lokal vendor, kryetarëve të komitetit ekzekutiv pluralist: Halit Topalli, pastaj Pashk Deda dhe në vazhdim Ndue Çuni, Nikollë Paluca etj. për sigurimin e lokaleve ku fillimisht të faleshin namazet, lutjet e taravive, të ramazanit, mevludit (lindja e Profetit Muhamed a.s), të xhumave (të premteve), si dhe të festës së Bajramit. Ndue Çuni me vendim të komitetit ekzekutiv të rrethit, dha godinën e çetava vullnetare në Kodër-Qytezë (Kodërxhami, dikur quhej: Kodërhani ), të cilën ia kaloi komunitetit mysliman, Myftinisë, e cila u përshtat për falje për mëse një vit. Ndihmuan vullnetarisht në meremetimet e brendshme, si dhe me dyer e dritare ndihmuan: Hydajet Kuqi, Binak Alia, Sulejman Gania, Sherif Mustafa, Halil Islami, Gëzim Laçi , Demë Rrahmani, Abaz Laçi etj.


Së katërti, për të plotësuar nevojat e ngutshme për literaturë fetare islame, u muar vetë myftiu H. H. Elez Hoxha, i cili solli Kur-anin e parë në disa kopje të përkthyera në shqip dhe në vazhdim shumë të tillë u sollën me ndihmën e Demë Hadroit dhe Xhemal Vocrrit, që iu dhuruan shumë familjeve myslimane në Pukë e rrethinë. Kishte shumë interesim për Kur-anin edhe prej mjaft të krishterëve.Po kështu u sollën edhe libra të ndryshme fetare.Gjithashtu u sollën mjaft ndihma ushqimore për familje në nevojë e fëmijë jetim, me ndihmën e imam Adem Ademit, ardhë si misionarë prej Kosove, duke hapur edhe kurse për fëmijët e rininë. ndërsa u kujdes edhe për jetimët, për pensionet e tyre.
Së pesti, në shkurt 1992 Myftisë dhe Këshillit të Myftinisë iu kërkua që të pranonin dhe t’i mirëpritnin motrat e Nënë Terezës. Me këtë kërkesë u morën: Pashk Deda dhe Nikollë Paluca. Nikolla kërkonte që ta përfundonim sa më shpejt kërkesën. Edhe pse ishin ditë me ngrica dhe unë sapo isha operuar, kemi dalë nëpër qytet që të takonim anëtarët e këshillit të myftinisë që t’ua merrnim firmat siç ishim mirëkuptuar për miratimin e ardhjes së motrave të Nënë Terezës. Duhej mirëkuptim mes komuniteteve. Por nuk ishte aq e lehtë, se mjaft pukas ngurronin me idenë se në Pukë s’ka pasë kurrë as kishë as murgesha. Megjithatë nënshkrimi u arrit unanim.Ndryshe po ndodh tani në Fushë-Arës, ku ngurrohet për ndërtimin e xhamisë në lagjen Dedaj me 26 familje myslimane me justifikimin se aty s’ka pasë kurr xhami dhe se meshkujt e Shtëpisë Madhe për xhami kishin xhaminë e fshatit Micoj e cila sot është e braktisur nga se shumica e fshatit është larguar, kurse xhamia është gjysmë e shkatërruar.
Përfundimisht në Pukë u arritë mirëkuptimi dhe, si u përgatitën marrëveshjet me shkrim dhe i firmosën,“Motrat e Nënë Terezës” u vendosën në Pukë fillim korrikut 1992. Tani u bënë dy dekada në Pukë, por gjithmonë të respektuara prej komunitetit mysliman. Për më tepër, të mbrojtura prej këtij komuniteti, siç ndodhi më 1997, kur vëllezërit Tofik Kadria, Mehaj, i mbrojtën me armë nga një grup grabitësish,që erdhën me makinë me synimin që të hapnin magazinat dhe të grabitnin ushqimet e veshjet të siguruara për të varfërit e të sëmurët.
Si këto murgesha, si klerikët e famullisë së Pukës “Zoja e Papërlyeme,deri tek dom Xhovani sot, janë treguar të mirëkuptuar dhe miqësor me komunitetin mysliman, siç është treguar edhe ky komunitet ndaj tyre dhe vazhdojnë edhe sot pa ra ndesh me të krishterët.


Etapa e tretë lidhet me rindërtime e ndërtime xhamish të reja, si është rasti i xhamisë së Qerretit dhe forcimin e besimit mysliman në harmoni të plotë me të krishterët, duke kundërshtuar edhe presionet e disa elementeve që kërkonin përhapjen e ndikimeve të disa sekteve gjoja islam modern. Ky presion u bë i dukshëm sidomos gjatë vitit 1991, kur myftiu Hafiz Elez Hoxha ishte i sëmur dhe nga mesi i verës vdiq e kaloi në jeten e përtejme. Tani këto elementa shpresuan se mos Myftiu i ri Haxhi Ibrahim Hoxha nuk do ta kishte guximin dhe mbështetjen e Myftisë së mëparshëm, por Haxhi Ibrahimi u tregua i vendosur.
Duke fuqizuar unitetin dhe vendosmërinë e besimtarëve , si edhe të ndihmës së kryesisë së Komunitetit Islamik Shqiptar në Tiranë.Kështu kjo situatë u kalua shpejt sidomos me emërimin imam e në vazhdim Myfti të Gëzim Kopanit xhamia e Pukës mbeti xhami model për faljen e namazit simbas traditës të Islamit në Shqipëri. Për më tepër u shtuan ndihmat sociale. Nga viti 1990- 2004 janë ndihmuar me ushqime e veshmbathje afro 300 familje të varfëra. Ndërsa gjatë viteve 2005- 2011 u ndihmun 4587 familje në gjendje të ulët ekonomike, Rëndësi i është kushtuar edhe edukimit me mësimet e Islamit në kurse e medrese.


Në vitet 1998- 2015 në mejtepet e Pukës kanë mësuar 1350 nxënës nën kujdesin e Shoqatës Kultura Islame me përgjegjës Qazim Kopani Pukë, ndihmuar prej shoqatës Istanbul. Gjithashtu kanë mësuar në medreset, sidomos në Medresen Haxhi “Sheh Shamia” Shkodër deri në 361 medresista. Për të shtuar interesimin për besimin Islam u organizuan edhe koncerte për Mevludin, “ Me TY , “FJALË ZEMRE” etj. që janë ndjekur prej qindra besimtarësh të moshave e gjinive të ndryshme. Për më tepër janë pasqyruar në formë lajmesh e programesh në rreth 150 minuta, gjë për të cilën ka ndihmuar drejtori i TVP lokal Ramazan Rringaj, ish- anëtar i Këshillit të Myftinisë, nderuar me “Çertifikatë MIRËNJOHJE”nga Këshilli i Myftinisë Pukë. Në vazhdim të programit Prof Dr.Haxhi Bajram Xhafa prof. i Universitetit të Shkodrës “ Luigj Gurakuqi” mbajti kumtesën: Hoxhallarët e Pukës në mbrojtjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe luftën kundër pushtuesve serb 1912. Musa Dizdari, i quajtur Hoxhë Puka, imam e Myfti i Pukës, në bashkëpunim me kajmekamin e Pukës, Sulejman agë Kryeziun organizoi kalimin e Ymer Prizrenit për në Shkodër. prej ku kaloi nëpër Pukë për në Ulqin. Po kështu, kur u sulmua Shkodra më 1912 hoxhallarët e Pukës organizuan qindra luftëtarë në luftë kundër pushtueve serbë dhe u vunë pushkën që prej Vaspasit e deri në Flet të Pukës.
Mijëra ushtarë serbë mbetën të rrethuar e të sulmuar përgjatë luginës së Fletit, ku mbetën shumë ushtarë serbë, sa këndohet në këngë: “ Krajli Serbit asht ngushtue:/ Ç’ ka më bane , mor FLet, ?!/ Krejt ushtrinë ma ke damtue! etj.
Gjatë programit u ndanë 32 “ÇERTIFIKATA MIRËNJOHJE” për imamët e Myftitë e Parë, si edhe myftitë e myftinitë e Shkodrës, Tiranës e Prizrenit dhe donatorët si: Sait Fishta, Ilirian Idrizi, Milazim GABETA E Muhamet Braha, Basri Mehaj etj.Përshëndetën dom Xhovani, në emër të Bashkisë Pukë z. Artan Zaja, Përfaqësuesi i Ambasadës Turke, i shoqatës Istambul, Ali Vezajn Kryeimam Prizren, Kordinatorja Denisa Meçi, studente për arkitekturë e mbylli veprimtarinë me vargjet: Sot në këtë 25-përvjetor që jemi mbledhur për ta uruar,/ për ta uruar e përkujtuar si datë historike, që na kthej besimin, unitetin e bashkimin./ Në këtë përvjetor të gjithë t’i përgëzojmë e t’i urojmë./ Donatorët t’i falënderojmë!/ T’i falënderojmë se ata na ndihmojnë. Ato Zoti i gëzoftë sot e mot!/ urime edhe për myftinë Gëzimin i përkushtuar për besim, për ndihma e mirëkuptim, gjithnjë në veprim./
Falenderojmë edhe gjyshin Xhemal,që 80-vjet poi mbush tamam./ 25 -vjet në këshill të Myftinisë. 50-vjet punë shkencore e për pa i lëshuar librat prej dore. /Krahas Urdhrit “ Mjeshtër i Madh”dhe “Çmimi i Virtytit” tani “Çertifikatë Mirënjohje./ Të gjitha i gëzoftë e prap u nderoftë!”


Më në fund u bë vizitë në ekspozitën kushtuar këtij 25-vjetori, i denjë për myftini me mundësi më të mëdha se Puka. Kokteli e dreka kaluan me urime, përgëzime e premtime prej të ftuarëve donatorë.

 




Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes