l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Në Kuvendin e VI-të, OBVL shënoi një ndryshim cilësor në përbërjen dhe strukturën e saj organizuese e drejtuese

OBVL, histori suksesi


Gjeneral Rrahman PARLLAKU

Të nderuar pjesëmarrës në Kuvendin e VI-të të Organizatës të Bashkuar tëVeteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare!
Të nderuar të ftuar nga shoqatat homologe!
Ky Kuvend, është i një rëndësie të veçantë, për vetë momentin historik në të cilin mbahet.
Ne mblidhemi në këtë Kuvend, pas kapërcimit të krizave zgjedhore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, të bindur në progresin që do të sjellin zgjedhjet parlamentare në këto tre vende të Rajonit tonë. Për këtë vlerësojmë arritjen e kompromisit aq shumë të kërkuar mes liderëve politikë si dhe rolin e Faktorit Ndërkombëtar.
Ne brezi, që bëmë Luftën e Lavdishme Nacionalçlirimtare dhe ju pasardhësit tanë të denjë, i gëzohemi këtij kapërcimi epokal, pasi Organizata jonë, më shumë se kushdo tjetër ka lujtur rol determinant për pajtimin kombëtar, aq të domosdoshmëm.
Zonja dhe Zotërinj!
Organizata jonë, në këtë Kuvend, po bën një ndryshim cilësor në përbërjen dhe strukturën e saj organizuese e drejtuese. Megjithëse të vonuar, po kurorëzojmë përfshirjen në organizatë të pasardhësve, të parashikuar në Statutin tone, të miratuar që në mbledhjen themeluese dhe në Kuvendin tonë të parë.
Duke bërë këtë ndryshim në strukturë e përbërje, mendojmë se gjallërojmë Organizatën, për të përmbushur në vazhdim detyrat fisnike e historike të kujtimit të atyre që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe të atyre që megjithëse bënë sakrifica sublime në luftë, për fat të keq e pësuan nga regjimi diktatorial.
Të vazhdojmë me brezat e ardhshëm, të mbrojmë lavdinë e asaj lufte heroike, ta ndihmojmë historinë të thotë të vërtetën.
Këto që thashë, i kemi në platformën e Programin e Organizatës.

Të dashur pasardhës!
Me pjesëmarrjen tuaj në Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, shpresoj dhe besoj se në vazhdimësi, këto detyra do të zbatohen, pasi koha bën të veten; brezi ynë po shkon drejt shuarjes; kjo është e kuptueshme, pionieri i luftës, 13-vjeçari i atyre viteve të zjarrta e të lavdishme, sot është 87 vjeç.
Ju faleminderit që ju përgjigjët ftesës tonë për të marrë pjesë në Organizatë, duke pranuar Programin dhe Statutin tonë, për të çuar më përpara trashëgiminë tonë të vyer, duke ruajtur dhe propoganduar vlerat e LANÇ; vlerat atdhetare patriotike të popullit e kombit tonë. Ky është një Mision Historik, që na nderon të gjithëve.
Historia 23 – vjeçare e Organizatës tonëështë vërtetë një histori suksesi. Një pjesë të punës e aktiviteteve të organizatës sonë i keni të dokumentara në Librin “20 VJET OBVL”. Shumë veteranë e familje të tyre e kanë marrë këtë libër, po kanë mbetur ende ekzemplarë që mund t’i lexoni, ndërkohë që e gjeni të botuar të plotë edhe në faqen e organizatës tonë në internet. Aty do të gjeni punën qëkanë bërë paraardhësit tuaj, për të përkujtuar e përjetësuar ngjarjet historike dhe sakrificat që bëri brezi i rinisë sonë në Luftën Nacionalçlirimtare. Në këtë libër, në formën e një enciklopedie, janë figurat e shquara që drejtuan Luftën, si dhe fatkeqësia që e gjeti popullin tonë nën diktaturën e Enver Hoxhës, sidomos me goditjen që mori elita e kombit dhe ata që drejtuan e komanduan në luftën për çlirim.
Siç thashë, Organizata jonë gjatë këtyre 23 viteve është përpjekur të përkujtojëngjarjet historike të luftës dhe të mbrojë me konsekuencë të vërtetat e saj, duke luftuar e denoncuar publikisht shtrembërimine fallsifikimin e historisë.
Kemi përkujtuar e propoganduar ngjarjete datat historike, veprimet luftarake të njësive e reparteve. Këtë e kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme, sipas një kalendari të veçantë, me kohën, vendin e repartet pjesëmarrës. Ky aktivitet gjindet i dokumentuar në shtypin e shkruar, në emisionet radiotelevizive, në librat e shkruar me kujtime nga veteranë, etj. Një vend të veçantë në veprimtarinë tonë kanë zënë mbledhjet përkujtimore, me pjesëmarrje të gjerë të figurave historike kombëtare e në veçanti të atyre që i vrau, burgosi e persekutoji diktatura. Këto veprimtari janë pasqyruar gjerësisht në mjetet e informimit publik dhe plotësisht në gazetën tonë “VETERANI”.
Organizata jonë, nëpërmjet drejtuesve e anëtarëve të saj u ka bërë një pasqyrim të gjerë mediatik, në të gjitha gazetat e radiotelevizionet, ngjarjeve historike të luftës, kujtimit të heronjve e dëshmorëve. Veçanërisht gazeta jonë “Veterani” ka bërë një punë të madhe në këtë drejtim dhe për këtë një meritë të veçantë ka zoti Halil Rama, jo vetëm si kryeredaktor i gazetës, por dhe me lidhjet që ka krijuar me shtypin e drejtuesit e televizioneve për pasqyrimin në to të veprimtarisë sonë. Por meritë e Z.Rama është dhe krijimi i rrjetit të bashkëpunetorëve të tij të ngushtë, mes të cilëve mund të përmendim zotërinjitë: Sakip Cami, Xhemal Meçi, Shpendi Topollaj, Prof.Dr.Ana Lalaj, Kol Deda, Kadri Tarelli, Murat Gecaj, Dr.Leonidha Peppo, Zaim Sefa, etj.
Ne nuk varemi nga asnjë parti politike, por kjo nuk do të thotë se nuk kemi mbajtur qëndrim kur kemi parë se po cënohen të drejtate bashkëkombësave tanë, kudo që jetojnë. Këtë e kemi bërë me deklarata zyrtare, në shtyp dhe emisione e debate televizive.
Gazeta jonë pasqyron ngjarjet kryesore në Kosovë dhe të shqiptarëve kudo që jetojnë. Shoqatës të Veteranëve të LANÇ të Kosovës i dërgojmë një kontigjent gazetash për arkivin dhe për anëtarët e kryesisë së saj.
Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ, lidhjet me shtetin i mban me Ministrinë e Mbrojtjes, pasi organizatat e veteranëve, invalidëve e familjeve tëdëshmorëvekanë mbështetje të drejtpërdrejtë nga ky dikaster. Ne marrim pjesë në të gjitha aktivitetet që kanë lidhje me zhvillimet historike. Ministria na jep një subvencion nga buxheti i saj për të përballuar shpenzimet e aktiviteteve tona dhe na ka mbështetur edhe me mjete transporti për lëvizjet e gjata e të shumta brenda dhe jashtë vendit. Marrëdhëniet tona janë korrekte dhe kemi patur mirëkuptimin e mbështetjen e duhur nga drejtuesit e ministrisë e të Shtabit të Përgjithshëm.
Bashkëpunim të frytshëm kemi patur dhe kemi me Shoqatën e Veteranëve të LANÇ të Kosovës. Dua të veçoj këtu aktivitetet e përbashkëta që organizuam në kuadrin e 70-vjetorit të Konferencës së Bujanit, me dy sesione shkencore në Prishtinë e Tiranë, ku na nderuan me pjesëmarrjen e tyre dy kryeparlamentarët, Ilir Meta e Jakup Krasniqi, si dhe aktivitetet e shumta në përkutim të 100-vjetorit të lindjes të Fadil Hoxhës, në Tiranë e Gjakovë.
Organizata jonëështë anëtare e Federatës Botërore të Veteranëve të Luftës prej Dhjetorit 2003. Si organizatë jemi përfaqësuar në të gjitha kongreset e kësaj Federate me të deleguarin tonë Astrit Leka që banon në Zvicër, por edhe me delegacione të organizatës. Gjithësesi e kemi patur të pamundur të plotësonim gjithë kuotën e anëtarësisë, por kemi patur mirëkuptim.
Aktivitetine fundit në kuadër të Federatës e patëm para një viti në Zhabljak të Malit të Zi, në një koferencë rajonale për luftën kundër terrorizmit, ku na pritën e na vlerësuan në mënyrë miqësore. Këtu u përkujtua fillimi i luftës sidhe dita e çlirimit të zonës nga italianët, e para nëish-Jugosllavi (siç ka qenë Skrapari tek ne).
Bashkë me zotin Myfit Guxholli, para disa muajsh morëm pjesë në përkujtim të betejës së Vukovarit, ku kishin rënë dëshmorë 85 shqiptarë.
Si kryetar i OBVL unë u ftova dhe mora pjesë në Kongresin e 6-të tëVeteranëve të LANÇ tëMalit të Zi. Ky kongres për ne qe një eksperiencë e mirë, pasi 90 % e pjesëmarrësve në të ishin pasardhës dhe i tillë u zgjodh edhe kryetari i ri, me kombësi shqiptare. Risi e këtij kongresi ishte pjesëmarrja në të e Presidentit dhe kryeministrit, e disa deputetëve e ministrave të qeverisë tëMalit të Zi, çka tregonte se kishte mbështetje të plotë nga shteti.
Tek ne është ndryshe, se nga moria e partive ka vlerësime të ndryshme për luftën. Vetë qeveria socialiste, në 70-vjetorin e çlirimit nuk zhvilloj asnjë aktivitet; organizatat e veteranëve nuk u përfshinë në komisionin qeveritar, siç kishte ndodhur me vitet tjerë jubilarë të kësaj lufte të lavdishme. Fondet e caktuara për mirëmbajtjen e riparimin e varreve të dëshmorëve, përmendoreve e memorialeve të Luftës, u përdorën për koncertet e rinisë në Pezë.
Por duhet të pohojmë se aktiviteti i Organizatës tonëështë vlerësuar nga Presidenti i Republikës, duke na akorduar tituj nderi e dekorata për personalitete e drejtues të Organizatës. Dhënia e Dektoratës së lartë “Nderi i Kombit” për Dr.Ymer Dishnicën dhe për mua, si dhe nderimi me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” i Liri Belishovës, Edip Ohrit dhe Hamit Keçit, për kontributin në luftë dhe qëndresën dinjitoze ndaj regjimit komunist, ia kanë rritur prestigjin Organizatës tonë të Bashkuar tëVeteranëve të LANÇ.
Të nderuar pjesëmarrës nëKuvendin tonë të V-të,
Që në themelimin e saj para 23 vitesh, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇl përcaktoi në dokumentat e saj themeluese, vazhdimësinë nëpërmjet pasardhësve të veteranëve. Në më shumë se dy dekada veprimtari intensive, krahas themeluesve, ish- veteranë të LANÇl, drejtues të spikatur të formacioneve partizane dhe më vonë të ushtrisë shqiptare, si Dr.Ymer Dishnica, Skënder Malindi, Edip Ohri, Hamit Keçi, Tahir Voshtina, Shaban Reçi, Liri Belishova, Myfit Guxholli, Sotir Budina, Jorgji Terca, Genci Ballanca, Fluturak Vinçani, Isuf Imeraj e dhjetra figura të tjera të shquara, pasardhësit e tyre kanë qenë të pranishëm. Dhe jo vetëm si figurantë, apo në sfond, por si pjesë vitale e kësaj organizate me një histori të lavdishme.
Jo vetëm përvoja shqiptare, por edhe ajo botërore evidenton domosdoshmërinë e vijueshmërisë së aktivitetit të organizatave të veteranëve të luftës. Është fakt që në veprimtaritë e ndryshme me karakter politik, patriotik e social, gjithmonë ka qenë i dukshëm kontributi i madh dhe i përhershëm i veteranëve. Por gjithsesi është e pamundur vijueshmëria e aktivitetit të OBVL, pa e trashëguar traditën tek më të rinjtë.
Para një viti, në korrik 2016, në një Konferencë rajonale të organizatave të veteranëve të vendeve të rajonit të Ballkanit, që u mbajt në Zabljak të Malit të Zi, përveç, Prof. Dr.Ljubomir Sekuliq, si organizator, spikatën edhe dhjetra të rinj, si përfaqësues të organizatave të veteranëve të Kroacisë, Sllovenisë, Serbisë e Bosnje-Hercegovinës. Midis tyre edhe Presidenti i Federatës Botërore të Veteranëve, norvegjezi Dan Vigo Bergtun, i cili ishte rreth 40 vjeç.
Ajo që ra në sy në këtë event të rëndësishëm ishte prania e shumë pasardhësve të veteranëve. Nëse norvegjezi 40-vjeçar Dan Vigo Bergtun, vinte si President i Federatës Botërore të Veteranëve, kryetarja e Org.Veteranëve të Kroacisë ishte një e përafërt me të në moshë, si bija e një gjenerali kroat me emër. Të tillë ishin edhe përfaqësuesit e Serbisë e të Sllovenisë.
I solla këto shembuj për të evidentuar rolin që kanë pasardhësit edhe për vijueshmërinë e OBVL-së. Edhe në veprimtaritë e saj kanë qenë dhe janë prezentë në vijimësi zonjat e nderuara Arlinda Keçi, Mirjana Ohri, Marjana Zegali, Natasha Tahiri, Bujana Jakova, si dhe zotërinjtë Ilir Malindi, Dashamir Tahiri e disa të tjerë, vajza e djem të themeluesve e drejtuesve të OBVL-së. Por tashmë, që prindërit sa vijnë e largohen në moshë, është koha që ato të marrin përgjegjësi konkrete në organizimin dhe drejtimin e veprimtarive të kësaj organizate. Për më tepër, kur si pjesë vitale e saj janë bërë herë pas here edhe ikona të artit e kulturës sonë kombëtare, si artistet e popullit Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku, nga pasadhësit e drejtpërdrejtë kërkohet një angazhim më i madh, që ata të trashëgojnë Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar (OBVL), historia e së cilës është me të vërtetë një hisori suksesi.
OBVL njihet tashmë si organizata që vlerëson lart kontributin e shquar të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, që dënon krimet e komunizmit, që mbështeti fort Luftën e drejtë të UÇK dhe në tërësi çështjen mbarëkombëtare shqiptare. Këto vlera janë përqafuar e propoganduar nga pasardhësit e denjë të veteranëve, si ish ushtaraku Isa Tare – Mjeshtër i Madh, nga gazetari e shkrimtari i njohur Sakip Cami (ish ushtarak), nga historiani, studjuesi e publicisti Nikolla Sudar,por janë dhjetra të tjerë, ish ushtarakë të devotshëm, të mirëpritur në radhët e strukturat e OBVL. Ata duhet të ndjekin shembullin e pasardhësve të denjë në degët e OBVL të rretheve Durrës, Kukës e Pukë, respektivisht të piktorëve të mirënjohur Agim Faja e Alajdin Tabaku si dhe të studjuesit me emër, shkrimtarit të përmasave mbarëkombëtare Xhemal Meçi.
Me prurjet e reja në organizatën tonë, si pasardhës, duke na u bashkuar edhe veteranë të UÇK-së, si Dilaver Goxhaj, Rajmonda Maleçka etj, shpreh bindjen për një të ardhme të sigurtë të OBVL.
Nëse organizata jonë nderohet e respektohet dhe i dëgjohet fjala kudo, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Prishtinë, Gjakovë e Prizren, apo edhe në veprimtari promovuese, siç ndodhi kohët e fundit në promovimet e librave të ish ushtarakëve Kujtim Boriçi e Demir Rusi, është koha që ata pa asnjë mëdyshje të bëhen pjesë e kësaj organizate. Ish ushtarakë të shquar, të pranishëm në këto promovime, si gjeneral Dilaver Laçi, Ismail Shulku, Sokol Agolli e të tjerë do të ishin trashëgimia e vyer e kësaj organizate, anëtare e Federatës Botërore të Veteranëve. Ata kanë se ç’të mësojnë nga bilanci i pasur i veprimtarive, jo vetëm produktive, por edhe cilësore të OBVL, të fokusuara në konferenca shkencore e sesione jubilare, por dhe në botime produktive e cilësore.
Duke përfunduar shpreh bindjen për një ardhme të sigurtë të OBVL-së.

Faleminderit.

Raport i mbajtur në kuvendin e VI-të të OBVL - Tiranë, më 28.05.2017.







Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes